Ndërlidhjet

Normalizimi politik - parakusht për pajtimin ndërmjet Kosovës e Serbisë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit duhet të nisë në nivelin politik, ndërsa për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërmjet popujve të të dyja palëve do të nevojiten dekada të tëra, thonë njohësit ndërkombëtarë të zhvillimeve në rajon.

Profesori në Qendrën për Studime në Evropën Juglindore në kuadër të Universitetit të Gracit, Florian Biber, tha për Radion Evropa e Lirë se raportet aktuale ndërmjet serbëve dhe kosovarëve karakterizohen nga mungesa e njohurive për njëri-tjetrin, paragjykimet dhe injoranca.

Për t’i hequr këto, sipas tij, do të duhet të krijohet një gjendje ku Kosova e Serbia do të funksiononin si fqinjë pa e njohur formalisht njëra tjetrën si subjekt të pavarur në arenën ndërkombëtare.

Modeli i dy Gjermanive, siç tha Biber, është një model që po shqyrtohet gjithnjë e më shumë nga Bashkimi Evropian si mundësi për përafrimin e qëndrimeve të palëve.

Nëse do të priteshin ndryshimet në shoqëri për t’i normalizuar raportet politike, do të kalonte një kohë e gjatë. Mendoj se duhet të ndodhë e kundërta. Së pari, të ketë normalizim politik që nuk do të nënkuptonte raporte të ngushta-askush nuk pret që Kosova e Serbia të kenë marrëdhënie të mira dhe nuk mendoj se kjo do të ndodhë për shumë vite. Por, duhet të ketë raporte normale që s’do të ishin marrëdhënie të plota diplomatike, por një lloj i marrëdhënieve që do t’u mundësonte atyre të jetojnë si fqinjë”, theksoi Biber.

Krejt ndryshe u shpreh profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, duke e cilësuar modelin në fjalë si të papërshtatshëm.

Ai vlerësoi se rasti Kosovë-Serbi ka të bëjë me rrethana tërësisht të tjera historike e politike.

Në mungesë të njohjes reciproke, Hoti përmendi disa nga parakushtet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja subjekteve.

Mund të ndodhë normalizimi për aq kohë sa të dyja shtetet merren me çështjet e tyre duke mos e cenuar në asnjë moment interesin dhe integritetin e shtetit tjetër”, tha ai.

Serbia, ndërkaq, vazhdon ta konsiderojë Kosovën si pjesë të sajën territoriale - gjë që apostrofohet edhe në Kushtetutën e shtetit serb dhe që vazhdon të mbizotërojë deklaratat e zyrtarëve në Beograd.

Duke iu kundërpërgjigjur këtyre deklaratave, autoritetet kosovare kishin përmendur rëndësinë për “arritjen e paqes në rajon”, ndërsa kishin theksuar se me pretendime territoriale nuk mund të jetësohet kjo.

Komentet erdhën në kohën kur theksi për rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë është vënë te normalizimi i raporteve ndërmjet tyre.

Ky qëllim ishte përmendur, në fakt, që në nisje të dialogut më 2011-n nga Bashkimi Evropian si lehtësues i procesit.

Brukseli pritet ta mbajë këtë rol edhe në fazën më politike të dialogut, por analistët në Beograd shprehën pesimistë për funksionin që BE-ja dhe ndërmjetësuesit e tjerë ndërkombëtare mund të kryejë në këtë rrafsh.

Duke shprehur bindjen se problemi i veriut pritet të jetë temë kryesore e raundit të ardhshëm, drejtori i Qendrës për Politika në Reja në Beograd, Vlladimir Todoriq tha për Radion Evropa e Lirë se konfrontimet direkte ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe do të rezultonin më shpejtë me një marrëveshje për problemet ende ekzistuese.

Nëse Beogradi dhe Prishtina do të uleshin dhe do të bisedonin drejt për drejt pa ndonjë ndërmjetësues-mund të tingëllojë absurde, por jam i sigurt se do të arrinin një marrëveshje brenda një kohe shumë të shkurtër”, u shpreh Todoriq.

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën figuron në mesin e kritereve evropiane që duhet të zbatojë Serbia për të avancuar në procesin e integrimit në BE.

Beogradi synon të marrë datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përderisa Prishtina shpreson në nënshkrimin e marrëveshjes për stabilizim asociim.
XS
SM
MD
LG