Ndërlidhjet

Ballafaqimi i parë Obama - Romney


SHBA
SHBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe ish-guvernatori i Massachusettsit, Mitt Romney, do të përballen sonte në debatin e parë televiziv, në kuadër të fushatës zgjedhore.

Pas fushatës individuale për disa muaj, dy zyrtarët do të takohen në Denver të Colorados.

Sondazhet e fundit kombëtare i japin Obamës epërsi të lehtë ndaj Romneyt, por analistët thonë se gara është aq e ngushtë saqë Romney “mund të mbyllë hendekun”.

Kyle Kondik, analist politik në Universitetin e Virginias, thotë se debatet janë të rëndësishme, por historikisht nuk kanë ndikuar në votimin përfundimtar.

Natyrisht, Romeny duhet të sigurojë se nuk bën ndonjë gabim të madh. Duke pasur parasysh se debatet janë ngjarje të mëdha në kalendar, Romneyt i duhet të kalojë mirë në to, pasi ndodhet prapa në garën presidenciale”, thotë Kondik.

Fushata e Romneyt është goditur së fundmi nga deklarata të turpshme të tij, e sidomos nga një incizim që tregon kandidatin presidencial duke u thënë donatorëve të pasur se “47 për qind e amerikanëve, të cilët mbështeten në përfitimet nga qeveria, nuk do t’i marrin kurrë përgjegjësitë personale për jetët e tyre”.

Sonte, Romney duhet të ofrojë specifikat e propozimeve të tij ekonomike dhe të bindë votuesit se plani i tij është më i mirë se i Obamës. Ai po ashtu duhet të përmirësojë normat e pëlqyeshmërisë. Sondazhet e fundit tregojnë se numri i amerikanëve që nuk pëlqejnë Romneyn është më i madh se i atyre që nuk kanë pëlqyer ish-presidentin George Bush.

Debatet e mëparshme të Romneyt kanë pasur disa momente delikate. “Garoj për zyrën, nuk mund të kem të paligjshëm”, ka thënë njëherë Romney duke aluduar në punëtorët e paligjshëm imigrantë.

Por, as Obama nuk ka histori të përsosur debatesh. Ai është i njohur për tendencat e tij për të qenë i inatosur me kundërshtarët dhe për të dalë i vetëkënaqur.

Analistët thonë se Obama duhet të bindë votuesit se ai mund të arrijë në mandatin e dytë atë që s’ka mundur në të parin.

Të mos shfaqet shumë kryelartë, nëse kjo është fjala e duhur. Mendoj se presidenti mund të duket si mospërfillës, si për shembull në debatet e tij me Hillary Clintonin në vitin 2008”, thotë Kondik.

Ai i referohet debatit në të cilin Clinton është pyetur nga moderatori nëse është e shqetësuar me faktin se votuesit pëlqejnë më shumë Obamën.

Jeni mjaft e pëlqyeshme Hillary”, ka thënë kandidati i atëhershëm presidencial, Barack Obama.

Sfiduesi i tij, Mitt Romney, ka deklaruar së fundmi për ABC News se po përgatitet për debatin e sotëm. Ai ka thënë se duhet të vendosë nëse do të shpenzojë kohën e tij duke korrigjuar deklaratat në incizim, apo “duke folur për gjërat që ai do t’i flasë”.

Debati i sotëm 90-minutësh pritet të ndiqet nga 50 milionë shikues. Ai do të përqendrohet në politikën e brendshme. Ballafaqimi i radhës Obama-Romney do të jetë i hapur për pyetjet e votuesve, ndërsa i fundit do të ketë në qendër politikën e jashtme.

Debati ndërmjet nënpresidentit Joseph Biden dhe kandidatit të Romneyt për nënpresident, Paul Rayan, do të zhvillohet më 11 tetor.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbahen më 6 nëntor. (v.t.)
XS
SM
MD
LG