Ndërlidhjet

Incidente të reja ndërmjet Sirisë dhe Turqisë


Kufiri Turqi - Siri...
Kufiri Turqi - Siri...
Një mortajë nga Siria ka goditur sot territorin turk. Sipas agjencisë së lajmeve Anadolu, mortaja ka qëlluar një zonë rurale, pranë fshatit Guvecci, gjatë luftimeve intensive ndërmjet forcave të presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe kryengritësve rebelë.

“Predha artilerie dhe predha mortajash kanë goditur rreth 20 metra nga kufiri turk. Sirianët po qëllojnë edhe në automjetet që sjellin njerëz të plagosur këtu”, ka thënë një banor i Guveccit.

Mësohet se nga incidenti i sotëm nuk ka pësuar asnjë njeri. Agjencia Anadolu thotë se trupat turke pranë Guveccit janë përgjigjur menjëherë me armë zjarri.

Granatimet e fundit vijnë një ditë pasi kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka bërë thirrje Sirisë të mos testojë “kufijtë e kapaciteteve të Turqisë”, duke thënë se vendi i tij nuk frikësohet nga paralajmërimet e saj.

“Atyre që përpiqen të testojnë forcën e Turqisë, vendosmërinë dhe kapacitetin e saj, u them se bëjnë gabim fatal”, ka thënë Erdogan.

Ai ka deklaruar se Turqia, anëtare e NATO-s, nuk është larg luftës me Sirinë.

“Ne nuk jemi të interesuar për luftë, por nuk jemi larg saj”, ka theksuar Erdogan.

Tensionet e fundit ndërmjet Turqisë dhe Sirisë kanë nisur të mërkurën, kur një predhë nga Siria ka goditur në një qytet kufitar të Turqisë, duke vrarë dy gra dhe tre fëmijë, si dhe duke shkaktuar sulme të njëpasnjëshme artilerie nga Turqia.

Parlamenti i Turqisë ka votuar për të lejuar operacionet ushtarake përtej kufirit me Sirinë, duke rritur edhe më tej tensionet ndërmjet dy fqinjëve.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur Turqinë, duke dënuar ato që zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, i ka quajtur “aksione agresive të sirianëve”.

“Reagimi i Turqisë ka qenë i duhur dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah aleates së NATO-s”, ka thënë Earnest.

Granatimet e së shtunës kanë ndodhur në kohën kur të dyja palët po bëjnë përpjekje të zgjidhin situatën. Sipas raporteve të fundit të mediave turke, Siria ka tërhequr tanket dhe pajisjet tjera ushtarake nga kufiri. Komente zyrtare nuk ka as nga Ankaraja, as nga Damasku.

Turqia, së bashku me vendet e tjera që janë anuar kah rebelët, ngurron të ndërhyjë ushtarakisht në Siri, ndërsa Assadi po ashtu ka bërë përpjekje të shmangë provokimet për të cilat beson se do të nxisnin ndërhyrjen e huaj.

Revolta kundër Assadit ka nisur qysh në mars të vitit të kaluar. Në Turqi ndodhet numri më i madh i sirianëve që kanë braktisur vendin, për shkak të luftimeve.

Me gjithë incidentet e fundit, ekspertët e Lindjes së Mesme thonë se as Turqia, as Siria nuk duan përshkallëzim të konfliktit, i cili ka potencial të shndërrohet në luftë rajonale.
Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG