Ndërlidhjet

Më pak kërkesa për shërim jashtë vendit


QKUK
QKUK
Në nëntëmujorin e parë të këtij viti, ka pasur rreth 1800 kërkesa të pacientëve për shërim jashtë vendit, derisa Ministria e Shëndetësisë ka arritur t’i dërgojë për shërim rreth 500 pacientë.

Kërkesa nga Qeveria e Kosovës për të rritur fondet për këtë program, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, ka qenë e parealizueshme.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, shpjegon:

“Edhe sivjet ministria ka programin për trajtim jashtë vendit. Në nëntëmujorin e parë ka pasur rreth 1800 kërkesa dhe ministria gjatë këtij viti ka arritur t’i dërgojë rreth 500 pacientë”.

Por, sipas Hotit, disa pacientë kanë përfituar shërbime falas në Republikën e Turisë, meqë Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka bërë marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë të shtetit turk.

“Duhet theksuar se rreth 110 prej këtyre pacientëve, kanë shkuar falas, në bazë të marrëveshjes që ministria jonë ka me ministrinë homologe të Turqisë, derisa pjesa tjetër është trajtuar me fondin prej 2 milionë eurosh që ndahet çdo vit për këtë program”, sqaron Hoti.

Shërbimet, të cilat nuk ofrohen në sistemin publik, janë ato të kardiokirurgjisë, kardiologjisë, oftalmologjisë, shërbimet ortopedike, sëmundjet e rënda të leukemisë, si dhe disa shërbime të tjera.

Por, pacientët ankohen për cilësinë e shërbimeve brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Pacientja Sadije Berisha thotë se vuan nga kanceri dhe për të marrë shërbimin e nevojshëm, po pret qe një kohë Në njërën nga klinikat e QKUK-së.

“Prej orës 9 e 15, e kam pasur terminin. Po presim. Nuk ka rend. Vjen dikush, hyn para meje. Na lënë të presim shumë. Nuk jam mirë me shëndet, vuaj nga kanceri. Tash po pres, të shoh a po më thërrasin”.

“Përndryshe, shërbimet që i marr unë, nuk i paguaj, edhe pse janë shumë të shtrenjta. Kohë pas kohe ka terapi, por ka raste edhe kur nuk ka. E, për trajtim jashtë vendit, nuk kam mundësi të shkoj, edhe pse mendoj se do të kishte qenë më efektiv, pasi që këtu herë pas herë më duhet ta ndërpres terapinë në mungesë të saj”, tregon pacientja Sadije Berisha.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, bën të ditur se sa i përket trajtimit jashtë vendit, vërehet një ulje e kërkesave nga ana e pacientëve. Megjithatë, thotë Fazliu, ka raste kur pacientët me vetëdëshirë shkojnë për shërim jashtë vendi, edhe pse shërbime të asaj natyre ofrohen brenda QKUK-së.

“Në QKUK mungojnë shërbimet kardiokirurgjike dhe ato të sëmundjeve me leukemi të rëndë. Sa u përket shërbimeve të radioterapisë, jemi në konsolidim e sipër dhe presim që deri në fund të vitit të kompletohen këto shërbime”.

“Sa i përket trajtimit jashtë vendit, ka një ulje të kërkesave, sepse së fundi ka filluar të ofrohet shërbimi i radioterapisë në QKUK, dhe ne kemi komisionin prej tre vetash që vendos se kush duhet të trajtohet jashtë vendit. Por, ka edhe pacientë që me vetëdëshirë shkojnë për trajtim jashtë vendit”
, thotë Fazliu.

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi kanë deklaruar se, sipas disa hulumtimeve të bëra nga Banka Botërore, në një vit pacientët kosovarë shpenzojnë përafërsisht rreth 80 milionë euro për t’u shëruar jashtë vendit. Kjo, theksojnë ata, është një humbje e madhe, si për ekonominë e Kosovës, po ashtu edhe për xhepin e pacientëve.

Sipas tyre të gjitha shërbimet që qytetarët i marrin jashtë Kosovës, do të mund të ofroheshin në vend, po të kishte një qasje më serioze ndaj shëndetësisë, në përgjithësi.
XS
SM
MD
LG