Ndërlidhjet

Debati i dytë: Përplasen Obama dhe Romney


Raundi i dytë: Përplasje gjaknxehtë Romney - Obama
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:17 0:00

Raundi i dytë: Përplasje gjaknxehtë Romney - Obama

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe sfiduesi i tij, Mitt Romney, janë përplasur për situatën ekonomike dhe politikat e Amerikës në Lindjen e Mesme.

Debati i dytë mes tyre është mbajtur vetëm tre javë para se amerikanët të votojnë për presidentin, më 6 nëntor.

Ata kanë pasur disa shkëmbime gjaknxehta gjatë duelit në Hampstead – secili duke bërë përpjekje që të paraqesë tjetrin si të papërshtatshëm për Shtëpinë e Bardhë.

Obama ka pranuar përgjegjësinë për sulmin e muajit të kaluar në Bengazi, ku kanë humbur jetën katër amerikanë, përfshirë edhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Libi, por ka akuzuar Romneyn se përpiqet të shfrytëzojë çështjen për përfitime politike.

Romney ka hedhur kritika të reja ndaj politikave ekonomike të Obamës, ndërsa presidenti ka akuzuar kundër-kandidatin se punon për interesat e njerëzve të pasur dhe industrinë e naftës.

“Guvernatori Romney thotë se ka plan pesëpikësh? Guvernatori Romney nuk ka plan pesëpikësh. Ai ka plan me një pikë. Dhe, ai plan është të sigurojë se njerëzit e pasur funksionojnë me rregulla ndryshe. Kjo ka qenë filozofia e tij në sektorin privat, kjo ka qenë filozofia e tij si guvernator, kjo ka qenë filozofia e tij si kandidat presidencial”, ka thënë Obama.

Romney, ish-guvernator i Massachusettsit, ka fajësuar Obamën për ecurinë ekonomike të Amerikës, duke thënë se më pak amerikanë janë të punësuar tani sesa katër vjet më parë, kur Obama ka marrë postin.

“Politikat e presidentit janë ushtruar gjatë katër vjetëve të fundit dhe ato nuk kanë kthyer amerikanët në punë. Ne sot kemi më pak njerëz që punojnë sesa në kohën kur presidenti ka marrë zyrën”, ka thënë Romney.

Sulmi në Bengazi

Romney ka bërë përpjekje të paraqesë sulmin vdekjeprurës në Bengazi si simbol të dobësive të Obamës në politikën e jashtme, sidomos në Lindjen e Mesme.

“Ka qenë e qartë se nuk bëhej fjalë për demonstratë. Ai ka qenë një sulm terrorist. Dhe, ai vë në pyetje politikën e presidentit në Lindjen e Mesme. Shihni se çfarë ndodh në Siri, Egjipt, tani në Libi”, ka thënë Romney.

Ndonëse ka akuzuar Romneyn se përdor vdekjen e diplomatëve amerikanë për të siguruar avantazhe politike, Obama ka thënë se ai ka qenë përgjegjës për sigurinë diplomatike.

“Kur them se do të zbulojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, secili duhet të mbahet përgjegjës. Dhe, unë jam mbi të gjitha përgjegjës për atë që ka ndodhur atje, sepse ky është populli im. Unë jam ai që duhet t’iu falem arkivoleve kur arrijnë në shtëpi. Ju e dini se unë e mendoj atë që them”, është shprehur Obama.

Gjatë debatit, kandidatët kanë marrë pyetje të zgjedhura nga të pranishmit në audiencë. Politika e jashtme pritet të jetë në fokus të debatit të tretë dhe të fundit, që do të mbahet më 22 tetor. (v.t.)
XS
SM
MD
LG