Ndërlidhjet

Serbia do të vazhdojë bisedimet "pa njohur Kosovën"


Ivica Daçiq - Kryeministër i Serbisë
Ivica Daçiq - Kryeministër i Serbisë
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se nesër në Bruksel do të takojë shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, me të cilën do të bisedojë për mundësitë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, apo për nisjen e procesit të ri negociues.

Daçiq u ka thënë gazetarëve në Beograd se qeveria ka vendosur të vazhdojë bisedimet, por “nuk do që ato të verifikojnë pavarësinë e Kosovës”.

“Jemi të gatshëm për bisedime me përfaqësuesit e BE-së, me institucionet e përkohshme në Prishtinë dhe këmbëngulim që të mos ketë takime sekrete. Nuk dua të fsheh asgjë. Çfarëdo që do të bëjmë, do të bëjmë hapur”, ka thënë Daçiq, duke theksuar se qeveria e tij do “zgjidhje të shpejtë të problemit të Kosovës”.

“Duam dialog me status neutral. Nuk vjen në shprehje që Serbia, për shkak të marrjes së datës së negociatave për anëtarësim në BE, të pranojë pavarësinë e Kosovës. Për të gjitha çështjet e tjera, jemi të gatshëm të bisedojmë”, ka thënë Daçiq.

Që nga marsi i vitit të kaluar, Prishtina dhe Beogradi kanë mbajtur disa raunde të negociatave teknike, në të cilat kanë arritur shtatë marrëveshje.

Zbatimi i tyre ka ngecur, ndërkohë që janë shtuar zërat për nisjen e një dialogu politik mes palëve.
XS
SM
MD
LG