Ndërlidhjet

Pafuqia për ta kundërshtuar BE-në


Ilustrim
Ilustrim
Procesi që nisi më 19 tetor me duar-shtrëngimin e dy kryeministrave që nuk njohin shtetësinë e vendeve që përfaqësojnë, pritet të vazhdojë në muajt e ardhshëm nën ndërmjetësimin e iniciatores së takimit “historik”- përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Derisa kjo e fundit pritet ta bëjë gati listën e temave që do të diskutohen për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq duket se nuk e kanë idenë se me cilat çështje do të ballafaqohen në takimet e ardhshme.

Njohësit e rrethanave politike në Prishtinë e Beograd thonë se të dyja vendet presin që fillimisht të jehojë zëri evropian për të shikuar mundësitë e akomodimit të kërkesave të Brukselit dhe përshtatjen e tyre me synimet individuale shtetërore.

Por, duke synuar “karrotën” evropiane që gjendet në horizontin e këtyre bisedimeve, analistët thonë se të dyja palëve u mbetet të presin duarkryq për t’i përmbushur kërkesat e Brukselit zyrtar.



Pavarësisht kundërshtimit të autoriteteve kosovare për të biseduar për çështjet e brendshme, drejtori ekzekutiv i Institutit për Demokraci dhe Zhvillim, Leon Malazogu, i tha Radios Evropa e Lirë se pafuqia e Kosovës karshi kërkesave të BE-së mund ta detyrojë atë të pranojë çfarëdo opsioni për zgjidhjen e çështjes së veriut.

“Prishtina nuk ka fuqi që të imponojë situatën në terren në veri. Prishtina nuk e kontrollon veriun dhe e vetmja mënyrë që Prishtina ta rifitojë veriun me çfarëdo mase që e rifiton atë, është duke u mbështetur në BE-në”, u shpreh Malazogu.

Ndarja, një autonomi e zgjeruar për veriun dhe modele të ndryshme që njeh e drejta ndërkombëtare, ishin përmendur si opsione të mundshme edhe në vigjilje të takimit Thaçi-Daçiq.

Por, kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, tha se me këtë lloj retorike shteti serb vetëm se dëshiron të fitojë kohë.

Ajo tha se, përderisa nuk obligohet ta njohë pavarësinë e Kosovës, Qeveria serbe do të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për t’i zvarritur gjërat, sidomos kur bëhet fjalë për problemin e veriut të Kosovës.

“Derisa ata nuk detyrohen ta njohin realitetin në Kosovë, ata do ta përdorin Kushtetutën dhe preambulën e saj që flet për integritetin e Serbisë si arsyetim se nuk mund ta bëjnë këtë apo atë për shkak të opinionit publik. Por, ky është vetëm një manipulim, sepse çështja e veriut të Kosovës do të zgjidhej shumë lehtë në rast se Serbia vendos ta njohë realitetin e ri. Kjo do të varet edhe se sa Rusia do ta mbështesë rezolutën 12 44 në Këshillin e Sigurimit”, tha Biserko për Radios Evropa e Lirë.

Biserko shprehu bindjen se, në mungesë të një platforme të detajuar, Beogradi do të përpiqet të rikthejë në tavolinën e diskutimeve disa marrëveshje të arritura gjatë dialogut teknik me Prishtinën.

“Me sa duket ata do të përpiqen që, gjatë zbatimit të marrëveshjeve që janë arritur gjatë mandatit të ish-qeverisë, të ri-negociojnë disa pjesë të atyre marrëveshjeve. Për momentin, kjo është strategjia e vetme që kanë”, shtoi Biserko.

Që nga marsi i vitit të kaluar Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar një dialog për çështje “teknike” që rezultoi me shtatë marrëveshje brenda nëntë raundeve të takimeve.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet palëve ishte përmendur edhe atëkohë si synim kryesor i dialogut teknik, ndërsa në fazën më politike ky normalizim thuhet se do të mund të arrihej me zgjidhjen e çështjeve të hapura në veri të Kosovës.
XS
SM
MD
LG