Ndërlidhjet

Rifillon vënia e stendave në QKUK


Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Në Klinikën e Kardiologjisë për një kohë të gjatë nuk janë kryer shërbimet e koronarografisë, si dhe vënia e stendave në zemër. Kjo për shkak se, sipas zyrtarëve shëndetësorë, nuk ka punuar aparatura e duhur.

Mirëpo, me rregullimin e saj, ditëve të fundit janë kryer 80 koronarografi dhe 7 stendime.

Doktor Sami Gjoka, nga Klinika e Kardiologjisë, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se me fiksimin e aparatit, lista e pritjes nga ana e pacientëve është reduktuar.

“Aparatura është rregulluar më 3 të këtij muaji, dhe kemi filluar me koronarografi dhe kemi kryer 80 pacientë me këtë kërkesë, derisa janë bërë 7 stendime në zemër. Numri i pacientëve është zvogëluar, nuk ka pritje sa i përket për koronarografisë”, ka thënë Gjoka.

Por, sa i përket stendave, të cilat shërbejnë për t’u futur në zemër, mungon materiali shpenzues i nevojshëm, andaj sipas Gjokës, pacientët duhet të presin deri në furnizimin me to nga Ministria e Shëndetësisë.

“Për stendime, jemi duke pritur material harxhues meqë tash për tash mungon. Një numër i vogël i pacientëve po pret për stendime, dhe nëse furnizohemi me material ashtu siç ka premtuar Ministria e Shëndetësisë, atëherë besoj se brenda një jave do të kryhen edhe ata pacientë që janë në pritje”, ka sqaruar Gjoka.

Në anën tjetër, Gani Shabani, ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë se procedurat për të shpallur tenderin për furnizim me material shpenzues të nevojshëm për Klinikën e Kardiologjisë, janë në përfundim e sipër.

“Për material ne tashmë jemi në përfundim për shpalljen e tenderit, por që është kërkuar specifika e që nuk kanë qenë nga vetë kardiologjia invasive , andaj Departamenti i farmacisë ka kërkuar që të specifikohen kërkesat. Ndërkaq, sa i përket buxhetit ne kemi mundësi t’i mbulojmë, meqë i kemi ndarë mjetet për stenda”, ka theksuar Shabani.

Derisa në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kardiokirurgjia vazhdon të mos jetë e hapur,dhe pacientëve u mbetet që operacionet e hapura të zemrës të kryhen jashtë këtij institucioni, pavarësisht asaj se zyrtarë të lartë shëndetësorë kanë deklaruar se klinika në fjalë do të funksionalizohet kah mesi i këtij viti.

Sidoqoftë, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Gani Shabani, ka thënë se së shpejti edhe operacionet e zemrës do të kryhen brenda QKUK-së, meqë Ministria e Shëndetësisë ka pranuar vlera disa milionëshe, si ndihmë për funksionalizimin e klinikës në fjalë, dhe po ashtu për pjesën profesionale dhe ekipeve mbështetëse nga Shqipëria.

“Sa i përket kardiokirurgjisë me ndihmën e italianëve kemi shpresa që muajin e ardhshëm do të fillojmë me operacionet e zemrës. Sa i përket stafit, ka, por jo të mjaftueshëm, andaj do të ndihmohemi edhe në këtë aspekt meqë kemi oferta nga qendra rajonale si Shqipëria, dhe kanë premtuar se do të dërgojnë profesionistë eminentë në QKUK për t’i kryer operacionet e zemrës”, ka thënë Shabani.
XS
SM
MD
LG