Ndërlidhjet

FMN kërkon menaxhim të disiplinuar fiskal


FMN
FMN
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë rishikimin e dytë të marrëveshjes “Stand By”, të arritur me Qeverinë e Kosovës në mars të këtij viti. Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave thonë se të gjitha kriteret e marrëveshjes, qoftë kuantitative apo të performancës, janë përmbushur dhe priten mjete shtesë për buxhetin e Kosovës.

Ndërsa, përfaqësues të FMN-së, i kanë rekomanduar Kosovës të ketë menaxhim të disiplinuar fiskal, si dhe fuqizim të bashkëpunimi ligjor dhe rregullues të sistemit financiar të Kosovës.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, po ashtu, u rekomandon autoriteteve të Kosovës të ketë një mbikëqyrje të matur nga një bankë e pavarur dhe e fuqishme qendrore.

Në një konferencë për media të FMN-së dhe Ministrisë së Financave, është bërë e ditur se kriteret e marrëveshjes “Stand By” ndërmjet Qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, janë përmbushur me sukses dhe se përmbushja e këtyre kritereve do t’i mundësojë Kosovës të marrë mbi 41 milionë euro.

Por, kjo fillimisht duhet të miratohet nga ekzekutivi i FMN-së, më 21 dhjetor.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se buxheti i këtij viti pritet të ekzekutohet në masën 95 për qind, ndërkaq buxheti i vitit 2013 është në harmoni të plotë me FMN-në.

“Është vlerësim se politikat makroekonomike janë gjerësisht në rrugën e duhur. Përveç rishikimit të dytë të marrëveshjes ‘Stand By’, e cila pastaj pritet të miratohet në bordin e FMN-së dhe shpresojmë të aprovohet me datën 21 dhjetor, kur pritet marrja e 41 milionë (euro) për buxhetin e Kosovës”, ka thënë Hamza.

Ndryshe, përmes programit “Stand By” me FMN-në, Kosova do të përfitojë gjithsej 107 milionë euro - deri më tani janë disbursuar mbi 50 milionë euro, 40 milionë deri në fund të vitit, kurse pjesa tjetër gjatë vitit të ardhshëm.

Udhëheqësi i FMN-së për Kosovën, Johannes Wiegand, ka thënë se gjatë vizitës në Kosovë kanë zhvilluar takime me Qeverinë dhe janë fokusuar në çështje të rëndësishme për vendin.

“Dy çështjet kryesore të vizitës sonë janë buxheti i vitit 2013 dhe futja në përdorim e rregullës fiskale prej vitit 2014. Qëllimi i kësaj rregulle është që t’i adaptojë politikat fiskale, që të kemi infrastrukturë ligjore në mënyrë që qeveria aktuale dhe të tjerat, të udhëheqin deficite në linjë me qëndrueshmërinë fiskale edhe në të ardhmen, kur mund të ballafaqohen me kriza të mundshme fiskale në Kosovë”, ka theksuar Wiegand.

Buxhetit i vitit 2013 është planifikuar të jetë 1.586 miliard euro.

Në kuadër të këtij buxhetit, sipas ministrit të Financave, Bedri Hamza, është futur ndërtimi i autostradës Prishtinë - Shkup.

“Për të filluar këtë projekt që është i kushtueshëm dhe që është një presion edhe për buxhetin e Kosovës, ne jemi dakorduar që të kemi një nivel të kënaqshëm të bilancit bankar dhe jemi pajtuar që në momentin e fillimit të ndërtimit të këtij projekti, niveli i bilancit bankar të jetë 300 milionë euro, që është i dakorduar edhe me FMN-në”, ka shpjeguar Hamza.

Ndërsa, për fillimin e këtij projekti, sipas Hamzës, janë ndarë 30 milionë euro.

Sa i përket ndërtimit të autostradës, Wiegand ka theksuar se duhet të ketë parakushte që projektet e tilla të ecin përpara. Si kusht i parë, ka shtuar Ëiegand, duhet që projekti të integrohet në një kornizë të qëndrueshme buxhetore.

“Kusht i dytë është që autostrada të ketë leverdi ekonomike dhe mos të jetë vetëm humbje e parave”, ka potencuar Wiegand.
XS
SM
MD
LG