Ndërlidhjet

Të përgatitur për sezonin dimëror?


Pamje nga Obiliqi, gjatë dimrit të kaluar...
Pamje nga Obiliqi, gjatë dimrit të kaluar...
Derisa sezoni i dimrit po afrohet, zyrtarë në Ministrinë e Infrastrukturës, kanë deklaruar se tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për sezonin dimëror.

Lahudin Myrtaj, drejtor i Drejtorisë së Rrugëve, në Ministrinë e Infrastrukturës, thotë se për 7 regjione të Kosovës, kompanitë janë të pajisura me gjërat e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve.

“Sa i përket sezonit dimëror, ne i kemi kontratat për të gjitha regjionet, për 7 regjione dhe kompanitë janë të përgatitura për sezonin dimëror, i cili fillon prej 15 nëntorit. Kompanitë janë të përgatitura me të gjitha pajisjet e nevojshme për mirëmbajtje”, thotë Myrtaj.

Në anën tjetër, Asdren Osaj, zëdhënës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, thotë se ende nuk është shpallur tenderi për kompaninë fituese, që do të mirëmbajë rrugët e Prishtinës gjatë sezonit të dimrit.

“Jo, ende nuk është shpallur kompania fituese, sepse janë disa procedura tenderuese. Jemi në përfundim të fazës së përmbylljes për shpalljen e tenderit për mirëmbajtjen dimërore, ku është paraparë që Prishtina me rrethinë të mirëmbahet nga disa kompani. Ne ende jemi në mirëmbajtjen verore duke i mirëmbajtur rrugët në tërë komunën e Prishtinës”, thekson Osaj.

Sipas Osajt, janë bërë investime në rrugë, në mënyrë që sezoni dimëror të mos i gjejë të paorganizuar mirë. Ai, gjithashtu, shton se vitin e kaluar kanë pasur probleme sa i përket mirëmbajtjes së rrugëve, meqë dimri i kaluar, siç thotë ai, ka qenë i ashpër.

“Gjatë sezonit të pranverës dhe verës ne kemi investuar në infrastrukturën rrugore mbi 3 milionë euro vetëm në pjesët rurale. Kemi investuar edhe në qytet - kemi evituar gropat apo edhe asfaltimin komplet të ndonjë aksi rrugor. Gjithashtu kemi mbuluar lumin në lagjen Kalabria etj. Me gjithë këto investime, jemi të sigurt në pritjen e sezonit dimëror”, shton Osaj.

Ndërkaq, Arbnora Ademi, zëdhënëse në kompaninë publike “Pastrimi”, kompani kjo e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës për furnizim me rërë dhe kripë, deklaron se janë duke bërë përgatitjet e duhura për mirëmbajtje të rrugëve.

“Kompania ‘Pastrimi’ po mundohet që të bëjë përgatitjen për sezonin dimëror, meqë është shpallur fitues i furnitorit me kripë dhe rërë. Shpresojmë të mos kemi një dimër të fortë, por pavarësisht reshjeve natyrore që do të jenë, do të mundohemi që të jemi në shërbim të qytetarëve dhe të mos ketë asnjë rrugë të pakalueshme. Vitin e kaluar, siç e dimë, kemi pasur një dimër të ashpër, por ne jemi munduar me të gjitha kapacitetet dhe mekanizmat që ka kompania jonë, ta kalojmë dimrin e fortë”, shprehet Ademi.
XS
SM
MD
LG