Ndërlidhjet

Strukturat paralele të sigurisë, ende sfiduese


Mitrovicë, foto e bërë në shtator 2012...
Mitrovicë, foto e bërë në shtator 2012...
Strukturat paralele të sigurisë nga Serbia, vazhdojnë të veprojnë ende në veri të Kosovës. Kjo çështje edhe më tej mbetet shqetësim, si për autoritetet vendore, ashtu edhe për ato ndërkombëtare. Zyrtarët e EULEX-it thonë se funksionimi i strukturave paralele të sigurisë, është duke u trajtuar në nivelet më të larta.

“Sa i përket strukturave serbe të sigurisë, ne, dhe të gjithë të tjerët, jemi në dijeni për praninë e tyre në veri. Kjo është një çështje shqetësuese, dhe është duke u trajtuar në nivelet më të larta”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Blerim Krasniqi zëdhënës i EULEX-it.

Kurse, autoritetet e rendit thonë se këto struktura të sigurisë, të cilat veprojnë në bazë të urdhrave që marrin nga Beogradi, janë duke penguar në masë të madhe funksionimin normal të jetës së qytetarëve të asaj ane.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti shpjegon:

Besim Hoti
Besim Hoti
“Roli i tyre, gjithmonë ka qenë më tepër në aspektin negativ - i referohem shkaktimit të veprave të ndryshme penale, frikësimit dhe veprave të tjera, të cilat në shumë situata kanë marrë karakter politik. Ne jemi të vetëdijshëm se ato nuk kanë një shtrirje administrative të kryerjes së detyrave të tyre, mendoj në veri të Kosovës, por gjithsesi janë prezent dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës, kryesisht në veri”.

Nga ana tjetër, eksperti për çështje ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë për Radion Evropa e Lirë se strukturat paralele serbe të sigurisë po e cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Qehaja konsideron se në veri, jo vetëm që funksionojnë strukturat e tilla paralele, por atje janë edhe strukturat e MUP-it serb, dhe të shërbimit sekret serb.

Ramadan Qehaja
Ramadan Qehaja
“Strukturat ilegale atje, qofshin ato të xhandarmërisë, policisë serbe, të inteligjencës serbe të mbrojtjes territoriale të ashtuquajtur, sipas principeve të mëhershme të formimit të saj, atje ekzistojnë dhe veprojnë. Duhet të ndërmerren masa, sidomos para fillimit të bisedimeve që vërtet ato struktura të fillojnë të shpërbëhen. Nëse kjo nuk ndodh, situata nuk do të jetë e mirë”, vlerëson Qehaja.

Ndryshe, Policia e Kosovës, rajoni për Mitrovicën, ka njoftuar se të mërkurën një qytetar i përkatësisë etnike serbe, është rrëmbyer nga një grup i personave.

Bazuar në informatat operative në terren dhe me autorizim të Prokurorit Publik të Qarkut në Mitrovicë, Policia e Kosovës në Mitrovicë, ka iniciuar rastin e hetimeve të veprës penale “rrëmbim i personit”.

Ndërkohë, bëhet e ditur se personi i arrestuar tashmë ndodhet para organeve të drejtësisë në Serbi, pavarësisht që Policia e Kosovës nuk e konfirmon nëse ai është rrëmbyer nga strukturat serbe të Serbisë.

Largimi i strukturave paralele serbe të sigurisë dhe të fushave tjera, është kërkesë e vazhdueshme që i bëhet Serbisë nga qendrat perëndimore.

Prania e strukturave serbe të sigurisë në veri, përmendet edhe në deklaratën e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i cili gjatë korrikut i pati bërë thirrje Serbisë që t’i largojë këto struktura nga Kosova.

Prishtina zyrtare nuk i kontrollon ende komunat me shumicë serbe që gjenden në veri të vendit.
XS
SM
MD
LG