Ndërlidhjet

Kërkohet drejtësi para negociatave të reja me Serbinë


Nga shënimi i Ditës së të Pagjeturve në Prishtinë...
Nga shënimi i Ditës së të Pagjeturve në Prishtinë...
Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e bëra në Kosovë, para se institucionet dhe Qeveria në Prishtinë të hyjnë në bisedime politike me këtë vend, kanë thënë përfaqësueset e Rrjetit të Grave dhe organizatës “Thirrjet e Nënave”, të cilat kanë paralajmëruar për të shtunën një protestë paqësore në qendër të Prishtinës.

Igballe Rogova, nga Rrjeti i Grave ka thënë se nuk janë kundër bisedimeve, pasi që ato përkrahen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, por para këtyre bisedimeve, sipas saj, duhet të plotësohen disa kushte.



“I kujtojmë Serbisë se ata na kanë borxh; se drejtësia tranzicionale nuk arrihet vetëm me negociata, por janë disa kushte të cilat i kemi kërkuar, e ajo është kërkim-falja, drejtësia për krimet e luftës dhe dhunimet gjatë luftës”.

“Takimi i parë me Daçiqin, është mbajtur befas. Qeveria nuk është transparente, ne menjëherë kemi filluar organizimin që kërkesat duhet kërkuar. Ne nuk jemi kundër negociatave. Ne e kuptojmë që negociatat janë në proces dhe ka përkrahje edhe të SHBA-së dhe të Evropës, por kërkesat tona janë kërkesa dinjitoze të një populli, mbi të cilin është bërë gjenocid”
, ka thënë Rogova.

Në protestat e së shtunës pjesëmarrjen e ka paralajmëruar edhe organizata “Thirrjet e Nënave”.

Nesrete Kumnova nga kjo organizatë ka rikujtuar një nga pasojat më të dhimbshme të luftës së fundit, atë të personave të pagjetur. Ajo ka thënë se ende nuk është zbardhur fati i rreth 1770 personave të pagjetur.

Andaj, Kumnova ka kërkuar që fillimisht Serbia të kërkojë falje për krimet dhe, siç është shprehur ajo, “gjenocidin e kryer ndaj popullatës civile të pafajshme”. Njëherësh, ajo ka kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që të insistojnë që Serbia t’i kthejë të gjithë trupat e personave të vrarë gjatë luftës, të insistojë për drejtësi për dhunimet e bëra gjatë luftës, si dhe kompensimin e dëmeve morale dhe ekonomike.

Pa përmbushjen e këtyre kërkesave, çfarëdo negocimi me Serbinë, sipas Kumnovës, është i papranueshëm.

Nesrete Kumnova në Ditën e të Pagjeturve...
Nesrete Kumnova në Ditën e të Pagjeturve...
“1770 qytetarë të Kosovës, nuk janë numër, por janë njerëz, janë më të dashurit tanë që na mungojnë. Ne, së bashku me Rrjetin e Grupit të Grave dhe ‘Thirrjet e Nënave’ të organizojmë një protestë të dinjitetshme paqësore dhe kemi emëruar, ‘Drejtësi dhe dinjitet para negociatave’. Protesta mbahet të shtunën me datën 3, në ora 11 dhe përfundon në ora 13 në sheshin ‘Nëna Terezë’, ka theksuar Kumnova, duke shtuar se veshja me ngjyrë të kuqe simbolizon gjakun e derdhur të të gjithë të rënëve në luftën e Kosovës, nga gjenocidi i pushtetit kriminel serb.

Protesta e së shtunës e paralajmëruar të mbahet në qendër të Prishtinës, është thënë se do të jetë paqësore dhe me kërkesën e vetme për “Drejtësi dhe Dinjitet para Negociatave”.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG