Ndërlidhjet

Daçiq: Nuk do të hapen zyrat ndërlidhëse


Ivica Daçiq
Ivica Daçiq
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka hedhur poshtë mundësinë e hapjes së zyrave ndërlidhëse të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë.

Ditë më parë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, tha se Qeveria e Kosovës është e gatshme të hapë zyrën e saj ndërlidhëse në Beograd, si dhe t’i mundësojë Serbisë që edhe ajo të hapë zyrën e saj në Prishtinë.

Në kuadër të disa temave që përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, i ka paraparë për agjendën e takimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, hapja e zyrave ndërlidhëse mendohet të jetë nga të parat.

Por, Daçiq, ka thënë se nuk është e saktë se po mendohet për hapjen e ndonjë zyre të të dyja palëve, në Beograd dhe Prishtinë, por, po shqyrtohet mundësia e zyrtarëve për ndërlidhje, që do të merreshin me zbatimin më të mirë të traktatit.

“Asnjë zyrë nuk hapet, këtu bëhet fjalë për zyrtarët ndërlidhës, që do të duhet të realizojnë atë, për të cilën jemi dakorduar- domethënë asnjë zyrë nuk është në rend dite, dhe as nuk është pikë mbi të cilën do të bisedohet”, është shprehur Daçiq për Radio Televizionin e Serbisë.

Duke elaboruar temat e takimeve, por edhe parimet bazë që Prishtina mendon t’i ndjekë në procesin e bisedimeve me Serbinë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, bëri publike para disa ditësh gatishmërinë e Kosovës për hapjen e zyrave ndërlidhëse me Serbinë.

Ndonëse jo në nivel të ambasadave dhe pa simbole shtetërore, këto zyra shihen si hapi i parë drejt një procesi të gjatë të relaksimit të raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i kryejë obligimet për hapjen e zyrës në Beograd. E dini që në Kosovë ka ambasada dhe zyre ndërlidhëse, besoj se e njëjta do të ndodhë edhe në raportin Kosovë - Serbi. Me siguri se është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, por njohja do të jetë me një akt formal në mes dy qeverive dhe kjo duhet të ndodh që të arrihet traktati i paqes”, tha Kuçi.

Derisa, Prishtina zyrtare është e bindur se bisedimet e nisura me Serbinë, do të përfundojnë me njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve, liderët në Beograd ende e shohin Kosovën si pjesë të shtetit serb, dhe këtë e kanë të saktësuar dhe në Kushtetutën e tyre.

Ndërkaq, duke mos sjellë detaje, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se qeveria e tij ka propozimin për zgjidhjen finale të problemit të Kosovës. Megjithatë, ai ka thënë se Beogradi është i gatshëm që të bisedojë me Prishtinën për temat tjera.

“Kemi propozimin për zgjidhjen përfundimtare, por nëse nuk mund të flasim për të, atëherë duhet parë se çka mund të flasim për përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka thënë Daçiq pak para raundit të ri të bisedimeve me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Bruksel.

Ai ka thënë se qeveria serbe është e gatshme, që ta zgjidhë problemin e Kosovës dhe se nuk dëshiron që atë t’ia lë brezit të ri. Ai ka theksuar se bisedimet do të zhvillohen pa kurrfarë presioni.

“Ne jemi të gatshëm që këtë çështje mos t’ua lëmë gjeneratave të ardhshme. Duhet ta zgjidhim problemin e tërësishëm të Kosovës. S’dua askënd ta gënjejë, dhe tash dihet saktësisht se çka mundemi e çka jo”, ka thënë Daçiq.(a.i.)
XS
SM
MD
LG