Ndërlidhjet

SHBA-ja në prag të votimit mbi “tatëpjetën fiskale”


Kopja e Buxhetit për vitin 2013, SHBA...
Kopja e Buxhetit për vitin 2013, SHBA...
Nëse problemet financiare krahasohen me rënien nga shkëmbi, atëherë Shtetet e Bashkuara po qëndrojnë në skaj të një gremine të re e të rrezikshme.

Në fund të këtij viti, pritet të mbahen dy ngjarje që kanë për synim që të ndihmojnë zvogëlimin e borxhit të qeverisë, por që e rrezikojnë në mënyrë dramatike ngadalësimin e ekonomisë amerikane.

Njëra ka të bëjë me skadimin e afatit të 31 dhjetorit, për shkurtimin e disa taksave dhe futjen e rritjes së disa taksave të tjera.

Ato do të gjenerojnë më shumë të ardhura për qeverinë, për të ndihmuar në balancimin e buxhetit, por një gjë e tillë nënkupton më pak para në xhepat e njerëzve për blerjen e mallrave.

Ngjarja tjetër lidhet me shkurtimet automatike të buxhetit të qeverisë më 1 janar. Këto shkurtime do të ndihmojnë në uljen e shpenzimeve qeveritare, por një gjë e tillë, sërish nënkupton më pak para në ekonominë amerikane.

Kjo lidhje ndërmjet rritjes së taksave dhe shkurtimeve buxhetore është quajtur “tatëpjeta fiskale”. Kalimi i kësaj faze me sukses është një nga sfidat më urgjente të presidentit të sapo rizgjedhur, Barack Obama.

Barack Obama
Barack Obama
Paul Dales, një ekonomist nga “Ekonomia Kapitale” në Londër, thotë se masat e quajtura “tatëpjeta fiskale” do të nxjerrin rreth 600 miliardë dollarë nga ekonomia amerikane, vetëm në vitin 2013.

“Tatëpjeta fiskale, nëse godet, gjithsej do ta ketë vlerën e rreth 600 miliardë dollarëve, që në raport me madhësinë e ekonomisë amerikane, është i barabartë me 4 për qind të GDP-së. Kështu që, ekonomia amerikane do të bie përsëri në recesion”.

“Mendohet se rritja do të jetë rreth 2 për qind vitin e ardhshëm, nëse mund të shmanget tatëpjeta fiskale. Por, nëse Shtetet e Bashkuara bien nga shkëmbi, rritja me siguri do të jetë vetëm rreth 0.5 për qind”, thotë Dales.

Kjo, nga ana tjetër, do të jetë një pengesë serioze për ekonominë globale dhe efektet nuk do të kufizohen vetëm në vitin 2013.


Dallimet politike

Ndryshimet tatimore ka gjasë të mbesin të tilla për vjet të tëra, përderisa shkurtimet automatike të shpenzimeve të thella, pritet që t’i ulin shpenzimet qeveritare për 109 miliardë dollarë për çdo vit gjatë dekadës së ardhshme.

Çfarëdo shprese se përfundimi i zgjedhjeve mund t’i thjeshtojë gjërat për Uashingtonin, tani është rrëmbyer nga fakti se më 6 nëntor demokratët e morën sërish Shtëpinë e Bardhë dhe Senatin, përderisa republikanët arritën ta mbajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Kjo gjë e përsëritë situatën shpesh herë të bllokuar politike të katër vjetëve të fundit.

Udhëheqësit e partive nga të dyja anët, pas fitores së Obamës, u zotuan këtë javë se do të punojnë së bashku. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, thotë se ligjvënësit janë “të gatshëm që të udhëhiqen, jo si demokratë apo republikanë, por si amerikanë”.

John Boehner
John Boehner
“Për të fituar mbështetjen e republikanëve për të hyrat e reja, presidenti duhet të tregojë vullnet në uljen e shpenzimeve në programet sociale, që janë faktorët kryesorë të borxhit thonë”, thotë Boehner.

Dallimet politike janë pjesë e problemit të “tatëpjetës fiskale”, sepse kjo lidhet me pikëpamjet e ndryshme të dy partive në mënyrën e zvogëlimit të borxhit qeveritar.

Republikanët favorizojnë zvogëlimin e borxhit qeveritar duke shkurtuar shpenzimet qeveritare, por duke shmangur rritjen e taksave. Ndërsa, demokratët favorizojnë një kombinim të shkurtimeve të shpenzimeve dhe rritjes së taksave.

Tani të dyja palët duhet sërish të bashkëpunojnë për marrëveshje të vështira në një kohë shumë të shkurtër.

Sipas një marrëveshjeje kompromisi, të nënshkruar në gusht të vitit 2011 për zvogëlimin e borxhit qeveritar, Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi i dhanë vetes afat deri më 23 nëntor të këtij vitit që të merren vesh rreth një pakete të reduktimit të deficitit.

Si një nxitje për të negociuar, ata u pajtuan se nëse nuk janë në gjendje të arrijnë një marrëveshje, atëherë shkurtimet e thella të shpenzimeve do të fillonin automatikisht më 1 janar të vitit 2013.

Tani kur po afrohet “tatëpjeta fiskale”, të dyja palët po përpiqen që të gjejnë një mënyrë që t’i shmangen një goditjeje të tillë të ekonomisë.

Ekziston një mundësi që Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi të arrijnë kompromise të vogla rreth dispozitave të shpenzimeve dhe taksave, për të reduktuar disa nga borxhet e qeverisë, por duke mos e kërcënuar rimëkëmbjen ekonomike.

Ekspertja për buxhet, Isabel Sawhill nga organizata “Brookings Institution” e përshkroi këtë opsion, gjatë një konference për media.

“Ne e kemi rivendosur orën fiskale, duke filluar nga të ardhurat më të larta dhe shpenzimet më të ulëta, dhe kemi bërë disa përshtatje, në interes të mbajtjes së ekonomisë larg nga rënia nga shkëmbi, që çon drejt në recesioni të ri”, tha Sawhill.

Por, se a do të pajtohen liderët amerikanë me këtë strategji apo me ndonjë tjetër, mbetet ende të shihet.(v.k.)
XS
SM
MD
LG