Ndërlidhjet

Çka mbeti pa u përfshirë në buxhetin 2013?


Ilustrim
Ilustrim
Nga aspekti ekonomik, për shkak të papunësisë së madhe në Kosovë, investimet publike të projektuara në buxhetin e vitit 2013, i cili kap shumën prej 1 miliard e 586 milionë euro, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, është dashur të orientohen në industrinë përpunuese.

Që nga paslufta, Kosova investimet kapitale kryesisht i ka drejtuar në ndërtimin e rrugës dhe në energji elektrike.

Për nivelin e zhvillimit ekonomik që ka Kosova, eksperti i ekonomisë, Musa Limani, thotë se investimi në infrastrukturë është orientim i gabuar.

“Infrastruktura parqet një faktor limitues të zhvillimit ekonomik, kur është fjala për rrugët apo për energjinë elektrike, mirëpo ato hyjnë në radhët e objekteve investive që nënkupton që absorbojnë vlerë të madhe të investimeve, punësojnë numër shumë të vogël dhe i kthejnë shumë vonë investimet”.

“Pra, ky nivel i tanishëm i zhvillimit ekonomik, nuk i përgjigjet që investimet kryesore të orientohen në infrastrukturë”,
vlerëson Limani.

Për shkak të papunësisë së madhe në Kosovë, që, sipas të dhënave të fundit, llogaritet të jetë 44.9 për qind, Musa Limani thekson se investimet publike duhet të orientohen në industrinë përpunuese, e cila absorbon investime të vogla, krijon vende pune, ndikon në ngritje e GDP-së, (bruto produkti i brendshëm), si dhe në ngritjen e standardit jetësor.

“Strategjia e zhvillimit ekonomik të Kosovës duhet të orientohet në prodhimtari. Në mungesë të një strategjie të tillë në periudhën e pasluftës, kapitali privat, por edhe ai publik është orientuar në degët shërbyese, sidomos ai privat në hoteleri turizëm, tregti etj. Arsyeja është se këto degë kërkojnë investime të vogla dhe për një periudhë shumë të shpejtë vjen te një fitim, por nuk ngrenë peshën në zhvillimin ekonomik, pasi që kanë karakter shërbyes”, thekson Limani.

Profesor Limani shton se në mungesë të prodhimtarisë, Kosova është e detyruar të importojë mbi 80 për qind të produkteve, të cilat janë të nevojshme për plotësimin e nevojave të qytetarëve.

Një orientim i tillë i zhvillimit ekonomik, sipas tij, e ka shndërruar Kosovën në një treg konsumues.


Projektet që sjellin punësim

Ndërkaq, njohësi i çështjeve ekonomike, Alban Zogaj, thekson se prioritete në buxhetin e vitit 2013 për këtë ekonomi që ka Kosova, duhet të jenë projektet që sjellin punësim.

“Projektet, të cilat kanë nivel të lartë të krijimit të vendeve të reja të punës duhet të jenë prioritete. Ne e dimë që infrastruktura rrugore e ngre nivelin e punësimit për një kohë të caktuar, derisa ato projekte të zhvillohen, por pas përfundimit të këtyre projekteve punësimi bie”, konsideron Zogaj.

Investimibujqësi, sipas Zogajt, mund të jetë po ashtu një lëmi që do të sillte zhvillim ekonomik dhe punësim.

“Edhe bujqësia mund të ishte një prej sektorëve ku mund të investohet më shumë dhe që do të mund të sillte punësim, por duhet të investohet edhe në të gjithë sektorët, të cilët sjellin punësim, pasi që problemi kryesor i ekonomisë në Kosovë është papunësia”, thekson Zogaj.

Edhe, raporti i fundit i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë (UNDP) thekson se në sektorin social, 42 për qind e qytetarëve të anketuar kanë thënë se papunësia është ende shqetësimi më i madh për shoqërinë kosovare, ndërsa 20 për qind prej tyre e kanë cilësuar si problem kryesor varfërinë.
XS
SM
MD
LG