Ndërlidhjet

Si do ta ndryshojë SHBA sektorin energjetik global?


Në pesë vjetët e kaluara, përparimi në nxjerrjen e gazit dhe naftës sintetike e ka revolucionarizuar industrinë e energjisë në SHBA.

Tash, një raport i ri i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji(IEA) me seli në Paris, tregon se sa do të shkundet tregu global energjetik.

Agjencia parashikon në pasqyrën botërore energjetike të lëshuar këtë javë, se SHBA do të bëhet prodhuesi më i madh në vitin 2017, duke e kaluar Rusinë që aktualisht mban vendin e parë dhe Arabinë Saudite në vendin e dytë.

IEA, një organizatë ndërqeveritare që punon për të siguruar furnizime energjetike për më shumë se 28 shtete anëtare perëndimore, gjithashtu parashikon që në vitin 2030, SHBA do të bëhet eksportuesi më i madh i naftës dhe në vitin 2035 do të jetë pothuajse shtet i vetë-mjaftueshëm në energji.

Të gjitha këto përbëjnë një rikthim dramatik të pozicionit aktual të SHBA-së në tregun e energjisë. Sot, SHBA importon më shumë se 20 për qind të nevojave energjetike.

Richard Child, botues në revistën për energji me seli në Londër, “Petroleum Argus,” tha se një kthim i tillë dramatik në pasurinë e SHBA-së do ta ndryshojë tregun global të energjisë.

Derisa rritet prodhimi amerikan i naftës dhe rritja e kërkesave kufizohet nga përmirësimi i efikasitetit të energjisë – kryesisht përmes karburanteve të makinave- ajo që do të shohim, do të jetë një zhvendosje e importeve të naftës, që përndryshe do të shkonin në SHBA”, tha Child.

Rusia, OPEC-u dhe Evropa janë në mesin e atyre që do ta ndjejnë ndryshimin.

Aktualisht, Evropa është thellësisht e varur në naftën ruse dhe atë të Lindjes së Mesme, sepse alternativa tjetër më e afërt e burimeve të naftës së papërpunuar- Afrika Perëndimore- eksporton kryesisht në SHBA. Por, kur SHBA të ndalojë importimin e naftës së papërpunuar nga Afrika Perëndimore, Evropa do jetë e vetmja që do blejë më shumë.

Kjo, jo vetëm që do t’i ndihmojë diversitetit të burimeve energjetike të Evropës, por, gjithashtu do të bëjë që Rusia dhe OPEC-, të kërkojnë tregje të reja në Azi.

IEA parashikon që në vitin 2035 pothuajse 90 për qind e naftës nga Lindja e Mesme të shkojë në Azi, krahasuar me 60 për qind të sasisë së sotme.

John Mitchell, një ekspert i energjisë në Chatham House me seli në Londër, tha se kjo do të mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve të furnizimit të dobët me energji të Azisë.

Ne tashmë jemi në një situatë kur, suficitet e eksporteve të Lindjes së Mesme nuk janë të mjaftueshme për ta mbuluar deficitin në tregun aziatik”, tha Mitchell.

Diçka, që analistët e industrisë nuk presin të shohin, është shndërrimi i SHBA-së së pasur me rezerva nga të cilat krijohet nafta sintetike, në eksportues të madh të naftës.

Një nga arsyet është ajo ekonomike. Një nga nxitjet e lulëzimit të naftës sintetike janë çmimet e naftës së rëndomtë në mbi 80 dollarë për fuçi, për çka kjo lloj nafte bëhet profitabile.

Nëse prodhuesit e naftës amerikane e mbushin tregun global me naftë, ata do të rrezikojnë që ta ngrisin çmimin e naftës nën këtë nivel të përcaktuar.

Por, ekziston edhe një shqetësim tjetër. Për të shtuar kërkimet për depozitat nga të cilat krijohet nafta sintetike, do të pasojnë shpime të panumërta, sepse disa puse nuk janë produktivë:

Një pus mesatar në Arabinë Saudite prodhon 26 herë më shumë sesa një në Dakotën Veriore, që është rajoni kryesor me këto rezerva aktualisht”, tha Child.

Kjo nënkupton se SHBA do të konkurrojë me eksportuesit tjerë të mëdhenj, vetë duke zgjeruar kërkimet, të cilat mund të rrisin shqetësimet e ambientalistëve.

Teknologjia e nxjerrjes është duke u zhvilluar me shpejtësi për të prodhuar metoda që janë më pak të dëmshme, pra ka një përparim teknologjik. megjithatë, mendoj se do të ketë çështje dhe shtete që do të kundërshtojnë hapjen e derës për gërmimin e depozitave për të krijuar naftën sintetike”, tha Mitchell.

Raporti tha se SHBA do të jetë vetëm përkohësisht lider në prodhuesit e naftës në botë.

Në të thuhet se prodhimi i naftës në SHBA do të bie nga kulmi prej 11.1 milionë fuqi në ditë sa do jetë në vitin 2020 në 9.2 milionë në vitin 2035. Ndërkohë, Arabia Saudite parashihet që të prodhojë 12.3 milionë fuçi në vitin 2035, derisa prodhuesi më i madh në botë, Rusia diku mbi 9 milionë fuçi.

Sipas çfarëdo matjeje, do të ketë më shumë naftë në ditë sesa më parë në dekadat e ardhshme.

Por, çmimet do të mbesin të larta për shkak se kërkesa pritet të rritet gjithashtu.

IEA parashikon se rritja prej 1.8 miliardë e popullsisë në botë, duke arritur numrin e përgjithshëm në 8.6 miliardë do të çojë në rritjen globale të kërkesës së naftës për më shumë se 10 për qind në vitin 2035.(a.i.)
XS
SM
MD
LG