Ndërlidhjet

Vetëvendosje kritikon MPB-në për "skandalet"


Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi.
Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi.
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot në Prishtinë një konferencë për gazetarë, ndërsa në shënjestër të kritikave ka pasur Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në komunikatën e që u ka dërguar mediave, Vetëvendosje thotë se Ministria e Punëve të Brendshme në një shtet ka rol të ndjeshëm, të veçantë dhe shumë të rëndësishëm për sigurinë dhe konsolidimin e shtetit.

Kjo, sipas Vetëvendosjes, bëhet edhe më tepër e rëndësishme në Kosovë, "kur dihet se ka struktura kriminale dhe ilegale në gjithë vendin, kur dihet se në Kosovë po lulëzon korrupsioni dhe krimi i organizuar, kur dihet se Kosova po mundohet që të konsolidohet si shtet".

"Pra, në krahasim me ministritë e tjera, në aspektet që u përmenden më lart, Ministria e Punëve të Brendshme është ministri shumë më e rëndësishme sesa shumë ministri të tjera, sepse shërben edhe për të hetuar dhe mbikëqyrur ministritë e tjera si dhe organizatat kriminele që veprojnë në Kosovë", thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Por, gjithnjë sipas saj, në Kosovë nuk ka pasur asnjë ministri që ka pasur më shumë skandale sesa Ministria e Punëve të Brendshme.

Vetëvendosje ka përmendur disa nga, siç i cilëson ajo, skandalet:

"Rreth 1 milion euro keqpërdorime në tenderin për municion dhe armatim për Ministrinë dhe policinë. Kjo solli deri tek arrestimi i disa personave. Pasi u zbulua skandali, Ministri Rexhepi tha se ishin ata të cilët e nisën hetimin, natyrisht vetëm pasi u zbulua nga media".

"Në Policinë e Kosovës vidhen më shumë se 50 kg heroinë dhe euro në valutë, përfshirë këtu edhe një numër dosjesh të ndjeshme. Kjo është vjedhja më e rëndë që është bërë në Kosovë dhe bëhet në ndërtesën e policisë dhe sot e asaj dite nuk zbulohen kryesit e veprës".

"Tenderin për furnizim me targa për automjete, Ministria e Punëve të Brendshme ia jep kompanisë që kishte ofertën 300 mijë euro më të lartë sesa ofertuesi i dytë. Tre vjet më parë, kontrata i ishte dhënë ofertuesit që e kishte ofertën për 700 mijë euro më të lartë".

"Skandali i fundit ku janë arrestuar tre persona tregon për marrëveshjen e kompanisë austriake me Qeverinë e Kosovës për të fituar kontratën me ryshfet. Kjo u zbulua vetëm pas raportimit të mediave se njëri nga këstet i është paguar përfaqësuesit të kompanisë në Prishtinë, e cila pastaj ka transferuar këto mjete tek zyrtarët e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kompanitë e tjera tenderuese që atëherë ishin ankuar për parregullsi të mëdha në tender, të cilat janë dokumentuar edhe në raportin e auditimit".

"Raporti i auditimit dokumenton shkelje pothuajse në çdo tender të vitit 2011, përfshirë këtu tenderin për pasaporta, për punimet në qendrën e regjistrimit civil, kontrata për furnizim me ushqim e pije etj.".
XS
SM
MD
LG