Ndërlidhjet

Ndërpriten punimet te “Kroi i Vitakut”


Mitrovicë
Mitrovicë
Banorët e lagjes “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës, kanë ndërprerë punimet në rindërtimin dhe ndërtimin e shtëpive të tyre, për shkak të tensioneve që mbretëruan në atë pjesë gjatë tërë ditës së enjte.

Misioni i NATO-s, si përgjegjës i parë për sigurinë në veri, e cilësoi të qetë situatën aktuale atje.

Zëdhënësi i KFOR-it, Uwe Nowitzki, tha se janë shtuar patrullat e ushtarëve të misionit në atë pjesë.

Mund të them se kemi patrulla shtesë atje. Po, kjo është e vërtetë”, theksoi Nowitzki.

Policia e Kosovës, ndërkaq, ka tërhequr njësitet e saj speciale - dërguar në Suhadoll në mëngjesin e së enjtes.

Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë se pjesëtarët e njësitit special “ROSU” janë tërhequr në orët e vona të pasdites.

Besim Hoti
Besim Hoti
“Punimet në terren janë ndërprerë pikërisht për shkak të tensioneve dhe situatës së krijuar atje. E tërë situata është kontrolluar nga policia lokale. Njësitet policore speciale kanë qëndruar deri në orët e vona të pasdites në afërsi të vendit të ngjarjes, përkatësisht fshatin Suhadoll në rast të nevojës së aktivizimit, mirëpo një gjë e tillë nuk është paraqitur si e nevojshme”, tha Hoti.

Përfaqësuesit e lagjes “Kroi i Vitakut” thanë se disa serbë të asaj pjese, në mënyrë të mobilizuar, kanë bllokuar në qysh në mëngjes punimet për rindërtimin dhe ndërtimin e një pjese të shtëpive në këtë lagje.

Njazi Ismaili, njëri nga banorët e kësaj lagje, tha se serbët kanë bllokuar disa rrugë duke pamundësuar arritjen e punëtorëve te shtëpitë përkatëse.

“Serbët e kanë bllokuar në të gjitha anët-pikërisht aty ku kanë filluar të punohet në ndërtimin e shtëpive. Janë mjaft shumë serbë dhe puna është e bllokuar totalisht”, tha Ismaili, duke shtuar se vetëm në disa pjesë po mund të vazhdojnë punimet në ndërtimin e gjithsejtë tetë shtëpive të reja.

Ditë më parë, te “Kroi i Vitakut” ndodhi një shpërthim pa pasoja në njerëz.

Incidenti, megjithatë, shkaktoi tensione te banorët e asaj pjese.

Serbët kundërshtojnë rindërtimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës sikurse të atyre që janë në ndërtim e sipër, duke thënë se fuqi ekzekutive për këtë çështje në veriun e Kosovës ka misioni i Kombeve të Bashkuara në vend.

Krstimir Pantiq, kryetar i komunës paralele të Mitrovicës, tha se nga UNMIK-u i është thënë se pronarët që po rindërtojnë shtëpitë te “Kroi i Vitakut”, nuk kanë leje për këtë veprim.

“Kjo ka qenë një nga arsyet pse serbët kanë vendosur spontanisht të mblidhen e të protestojnë kundër aktivitetit ilegal. Këto shtëpi po ndërtohen pa asnjë leje për ndërtim dhe pa miratimin e autoriteteve kompetente”, u shpreh Pantiq.

Por, një ditë më parë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se “Qeveria e Kosovës mbështet fuqishëm ndërtimin e shtëpive në pronat e tyre për qytetarët në veri, pa dallime etnike”.

Hashim Thaçi
Hashim Thaçi
Ai theksoi se “Qeveria e Kosovës do të jetë pranë qytetarëve aty që të mos ketë asnjë pengesë prej kujtdo qoftë”, duke thënë se UNMIK-u “nuk ka të drejtë as morale, as legale, as legjitime të pengoj apo të pretendoj të pengoj ndërtimin e shtëpive dhe rikthimin e qytetarëve në shtëpitë dhe pronat e tyre”.

Por, përfaqësues të UNMIK-ut thanë për Radion Evropa e Lirë se mbështesin kthimin e të gjithë personave në shtëpitë e tyre.

Ata thanë se “janë të shqetësuar për incidentet e fundit”, ndërsa dënuan “kërcënimet dhe dhunën” ndaj çfarëdo komuniteti.

“Aktualisht, jemi duke e hetuar tërë çështjen dhe duhet të marrim vesh për fakte të reja. Andaj, do të ishte e pamatur të japim ndonjë deklaratë përfundimtare. UNMIK-u promovon të drejtën e të gjithë personave për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në Kosovë-bazuar në ligjet e zbatueshme”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Olivier Salgado.

Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet vatër tensionesh për shkak të kundërshtimit të autoritetit shtetëror nga serbët lokalë.

Ditëve të fundit, janë shënuar një varg incidentesh të tjera në atë pjesë të vendit.
XS
SM
MD
LG