Ndërlidhjet

Gjermania inkurajon Kosovën dhe fqinjët e saj


Flamuri gjerman
Flamuri gjerman
Vendet e Ballkanit kanë marrë siguri për anëtarësim në BE nga ministri i Jashtëm gjerman, Gudio Westerwelle, në “Konferencën mbi Perspektivën e Integrimit Evropian në Berlin”.

Megjithatë, ai ka thënë, se kjo varet edhe nga përparimi që bëjnë shtetet veç e veç në rrugën e tyre të integrimit.

“Iu takon shteteve të rajonit që të ndërmarrin hapat e ardhshëm në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Secili vend do të gjykohet nga progresi që ka bërë dhe lëvizja drejt BE-së, do të përcaktohet nga vetë ai. Bashkimi Evropian do t'i mbështesë ata në këtë rrugë të reformës dhe transformimit”, tha Westerwelle.

Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka shprehur besimin se me marrjen e Studimit të Fizibilitetit, Kosova do të nisë procesin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

“Ne jemi goxha të sigurt se kjo Marrëveshje e Stabilizim-Asociimit do të jetë korniza e njëjtë, hapi i parë i rëndësishëm në aspektin e agjendës evropiane dhe anëtarësimit evropian”,
është shprehur Hoxhaj.

Në anën tjetër, Westerwelle ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë ku të marrin shembull se si të zbatohen reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

“Perspektiva e anëtarësimit në BE mbetet motori më i rëndësishëm për reformën dhe bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor. Sot, Sllovenia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe pjesë e eurozonës dhe unë nuk kam asnjë dyshim zonja zëvendëskryeministre (i adresohet zëvendëskryeministres kroate Vesna Pushiq), se më 1 korrik 2013, Kroacia do të bëhet shteti i 28-të i Bashkimit Evropian. Ndërsa mbeten dhe më tej sfida, unë jam i bindur se Kroacia do t’i trajtojë ato me sukses dhe do të vendosë një shembull pozitiv për të gjithë rajonin”, ka theksuar Westerwelle.

Ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pushiq, iu ka dhënë një këshillë vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE.

“Mos prisni shumë dhe gjatë për të gjetur konsensusin, unë do të thosha se kjo është gjëja e parë që më vjen në mendje. Kjo gjë na mori 14 vjet në Kroaci, ndërtimi i një konsensusi politik, dhe jo vetëm konsensusin deklarativ, ai është e lehtë, të gjithë mund ta bëjnë”, është shprehur Pushiq.

Kroacia pritet të anëtarësohet në BE gjatë vitit të ardhshëm. Ndërkohë, nga shtete tjera të Ballkanit - Shqipëria, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë statusin e vendeve kandidat për anëtarësim në BE.

Kosovës aktualisht i është dhënë Studimi i Fizibilitetit, përmes të cilit, synohet të arrihet Marrëveshja për Stabilizim-Asociim me BE-në, marrëveshje kjo e kaluar kohë më parë nga ana e fqinjëve të saj.

Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë hyrë tashmë në listën e bardhë të zonës Shengen, pra lëvizin lirshëm pa viza në shtetet e BE-së, përveç Kosovës, që gjithashtu mbetet e izoluar në këtë drejtim.

Nga 27 vendet e BE-së, pesë shtete ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Komisioni Evropian, ndërkaq, një ndër kushtet në rrugën drejt BE-së, Serbisë i ka vënë normalizimin e raporteve me Kosovën.(a.i.)
XS
SM
MD
LG