Ndërlidhjet

Limaj dhe të tjerët dërgohen për 30 ditë në paraburgim


Fatmir Limaj
Fatmir Limaj
Gjykata Supreme e Kosovës i ka caktuar deputetit dhe nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Masa e paraburgimit për deputetin Limaj dhe tre të tjerë të akuzuar, Naser Krasniqi, Nexhimi Krasniqi dhe Naser Shala ka të bëjë me rastin e njohur si “Kleçka”,që ndërlidhet me akuzat për krime lufte.

Për këtë rast, Limaj dhe të tjerët ishin shpallur të pafajshëm gjatë një procesi paraprak gjyqësor, por ishte EULEX-i më pas që kërkoi rikthimin e gjykimit në Gjykatën Supreme.

Rihapjen e procesit EULEX-i e ka mbështetur në dëshmitë nga ditari i të cilësuarit si “Dëshmitarit X”, (tashmë i ndjeri Agim Zogaj).

Fatmir Limaj ngarkohet si i akuzuari kryesor i këtij rasti. Ai ka qenë një nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vendimin për masën e ndalimit prej 30 ditëve e ka dënuar pala mbrojtëse.

Avokatët e kanë quajtur të pabazuar ligjërisht vendimin e gjykatës që të mbahen në paraburgim klientët e tyre.

Në përputhje me nenet përkatëse të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, secili i akuzuar mund të paraqesë ankesë kundër këtij vendimi brenda 24 orëve nga momenti i pranimit të vendimit.

Krimet e luftës nuk janë akuzat e vetme që EULEX-i ka ngritur ndaj Limajt.

Ai është akuzuar edhe për krim të organizuar, shpërdorim i detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishte ministër i Transportit. (z.g.)
XS
SM
MD
LG