Ndërlidhjet

Selimi: T’i zgjidhim çështjet vetë dhe t’i paraprijmë partneritetit me miqtë


Rexhep Selimi
Rexhep Selimi
Lëvizja Vetëvendosje është e bindur se Kosova nuk duhet të bëjë dialog me Serbinë, sepse tema është vetë Kosova, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri.


RADIO EVROPA E LIRË
Lëvizja Vetëvendosje është i vetmi subjekt politik në Kosovë që ka kundërshtuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, qoftë atë teknik, apo atë politik. Cilat janë arsyet që ju ndajnë nga spektri politik në Kosovë lidhur me këtë çështje?

REXHEP SELIMI
Ne e kemi bërë të ditur dhe vazhdojmë të mendojmë, dhe jemi të bindur, se dialog me Serbinë për çështjet e Kosovës ne nuk duhet të bëjmë, për shkak se tema, që po trajtohet sot, në këtë dialog, është temë që ka të bëjë me Kosovën dhe drejtpërsëdrejti edhe Kosova do të duhej ta paguante njëanshëm kompromisin me Serbinë për çështje të veta.

Pra, çështjet brenda Kosovës, çështjet për të cilat sot edhe po dialogohet me Serbinë, ne do të duhej dhe duhet t’i zgjidhnim vetë. Prandaj, ne jemi kundër negociatave me Serbinë për Kosovën, dhe gjithsesi jemi kundër çdo kompromisi me Serbinë për Kosovën, për shkak se Kosova nuk është e Serbisë - Kosova është e Kosovës dhe do të duhej vetë t’i zgjidhte problemet që i ka brenda kufijve të saj.



RADIO EVROPA E LIRË
Dialogu është ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara Amerikane. A mendoni se Kosova duhet të konfrontohet me ndërkombëtarët për shkak të dialogut?

REXHEP SELIMI
Nuk është konfrontim respektimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës as me SHBA-në, as me BE-në. Nuk është konfrontim, nëse respektohen të drejtat e kombeve dhe të popujve për vetëvendosje, por ne do të duhej t’u paraprinim miqve tanë dhe partneritetin ta ndërtonim mbi bazën e së drejtës së popullit të Kosovës për të vetëvendosur.

Normalisht, që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë e kanë ndihmuar dhe vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën, por Kosova nuk po e ndihmon vetveten, kështu që po u nxirren paksa probleme edhe vetë partnerëve tanë me qasjen tonë që e kemi ndaj zhvillimit të vetvetes.

Kështu që, BE-ja as SHBA-ja nuk i bëj fajtorë pse ata e mbështesin një dialog, për shkak se ata kërkojnë një zgjidhje,por ne do t’u ofrojmë zgjidhjen e vetme, zgjidhjen e duhur edhe Bashkimit Evropian edhe SHBA-së dhe mbi atë çfarë ne ofrojmë, atëherë të kërkojmë edhe mbështetjen e tyre. Nëse i referohemi të kaluarës sonë, ju e dini shumë mirë që ne duhet të jemi ata që do të duhej t’u prinim proceseve, ashtu siç ka ndodhur në vitet ’90.

Në vitet ’90, BE-ja, SHBA-ja, dhe perëndimi në përgjithësi, e kanë mbështetur politikën paqësore, duke e refuzuar shpeshherë edhe çdo lloj rezistence të armatosur, por kur ne e kemi bërë dhe kemi sendërtuar këtë rezistencë, atëherë e kanë mbështetur edhe ata. Pra, ne do të duhej t’u paraprinim partnerëve tanë me iniciativat tona, në mbrojtje të së drejtës së popullit shqiptar për vetëvendosur.

RADIO EVROPA E LIRË
E keni shpalosur këtë zgjidhje që thoni ju, para faktorëve ndërkombëtarë dhe keni biseduar me ta?

REXHEP SELIMI
Edhe para faktorëve ndërkombëtarë, edhe para faktorëve të brendshëm. Ne e kemi nxjerrë një plan, ne nuk i kemi dhënë vetes të drejtë se plani ynë është më i miri. Por, ne kemi nxjerrë një plan 13pikësh për zgjidhjen e problemeve në fjalë, sidomos për zgjidhjen e problemeve të komunave të veriut të Kosovës.

Pra, ne kemi ofruar një plan, mund të mos jetë më i miri por është plani i vetëm deri më tani dhe ky plan gjithsesi mbështetet mbi të drejtën e popullit të Kosovës për të vetëvendosur dhe mbi të drejtën e shtrirjes së sovranitetit në të gjitha pjesët e Republikës së Kosovës.

Kështu që, çdo gjë tjetër është kundër-kushtetuese dhe çdo gjë tjetër që e cenon sovranitetin e Kosovës, është kundër Kushtetutës dhe kundër shtetit të Kosovës dhe gjithsesi ne e trajtojmë si të tillë dhe nuk pranojmë asnjëherë të bisedojmë me askënd, e aq më tepër me Serbinë, e cila ka qasje agresive dhe pushtuese ndaj Kosovës.




Kosova ka mekanizma të mbrojë sovranitetin e saj


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Selimi, institucionet e Kosovës nuk kanë arritur ta shtrijnë autoritetin në veri. Një nga parimet e dialogut ka të bëjë me shuarjen e strukturave paralele në veri. A prisni që Serbia ta përmbushë këtë kërkesë, të cilën e ka bërë edhe komuniteti ndërkombëtar?

REXHEP SELIMI
Unë nuk pres dhe ne nuk do të duhej të prisnim nga Serbia ta bënte një gjë të tillë. Por unë pres, e është dashur të presim nga institucionet e Kosovës, të cilat janë thirrura, të autorizuara dhe të ngarkuara për ta shtrirë sovranitetin dhe për ta mbrojtur sovranitetin e Kosovës.

Ne nuk mund të presim nga Serbia që ta respektojë sovranitetin e Kosovës, për shkak që ne si Kosovë, në Kushtetutën e Serbisë, jemi pjesë territoriale e saj. Ata në Kushtetutë e kanë Kosovën si pjesë të Serbisë, ata po vazhdojnë t’i financojnë grupet ilegale brenda Kosovës, vazhdojnë të kërcënojnë gjithmonë sigurinë, sovranitetin dhe qenien e shtetit të Kosovës si shtet dhe nëse ne presim nga ta, do të ishte një absurd. Pra, ne nuk do të duhej të prisnim nga Serbia, ne do të duhej të mbroheshim nga ajo. Kosova ka mekanizma që të mbrohet dhe të mbrojë sovranitetin e saj.

Në anën tjetër, ju thatë që institucionet e Kosovës nuk kanë arritur ta shtrijnë sovranitetin atje, unë them që nuk kanë dashur për shkak se ka mekanizma dhe ka mundësi, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare dhe duke shfrytëzuar mekanizmat tonë kushtetues, ne jo vetëm që mund ta bëjmë, por do të duhej ta konsideronim si detyrë këtë.

Ne, nëse nuk e kemi kryer punën tonë, s’kemi çfarë kërkojmë nga të tjerët, aq më tepër do të duhej ta kryenim punën tonë më mirë, për shkak se partnerët ndërkombëtarë duan një partner më dinjitoz në Kosovë. Qeveria e Kosovës nuk është partner dinjitoz as me SHBA-në, as me BE-në dhe si e tillë ajo nuk i ka ofruar asnjëherë zgjidhje. Prandaj, edhe BE-ja edhe SHBA-ja do të duhej ta kishin një partneritet dhe një partner shumë të mirë në krye të qytetarëve të Kosovës për t’i zgjidhur problemet që i ka vendi.

RADIO EVROPA E LIRË
Në dhjetor pritet të fillojë zbatimi marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit mes Kosovës e Serbisë. A mendoni që kjo do të realizohet?

REXHEP SELIMI
Më lejoni t’ju demantoj se kjo nuk është një marrëveshje për Menaxhimin e Integruar të Kufirit për shkak se edhe në këtë marrëveshje ky kufi nuk konsiderohet kufi, por si pikë kaluese kufitare që mund të jetë një lloj kufiri administrativ. Pra, nuk e ka statusin e kufirit ndërshtetëror dhe si i tillë, edhe po u realizua kjo marrëveshje, mund të jetë vetëm një, si të thuash, lojë “ala-kufi”, për shkak se kufiri mes Kosovës e Serbisë ende nuk është i trajtuar as nga institucionet e Kosovës e aq më tepër nga Serbia, si kufi ndërshtetëror.

Pra, ne kemi, dhe mund të kemi edhe marrëveshje tjera me shtete që e njohin njëra-tjetrën, por Menaxhimi i Integruar i Kufijve apo marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit është njëra ndër marrëveshjet më kulmore në kulmin e marrëdhënieve të mira me një shtet.

Nëse flitet për marrëdhënie me Serbinë, atëherë ne e dimë se çfarë lloj marrëdhëniesh kemi me këtë shtet dhe të kërkojmë një marrëveshje për menaxhimin e përbashkët të kufijve me Serbinë, e cila nuk e njeh fare Kosovën, as qenien e saj si shtet, as substancën e saj si shtet, është më tepër një lojë politike, po gjithsesi nuk mbetet brenda kufirit të lojës, sepse kjo lojë është edhe e rrezikshme edhe për Kosovën, sidomos për të ardhmen e saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga temat mediale, së fundi, është edhe kthimi i Ramush Haradinajt nga Haga, dhe përfshirja e tij e mundshme në Qeverinë e Kosovës. A besoni në ndryshimet në Qeveri para mbajtjes së zgjedhjeve?

REXHEP SELIMI
Më lejoni t’i shoh këto dy gjëra ndaras nga njëra-tjetra, për shkak se lirimi apo shpallja i pafajshëm e zotit Haradinaj, e zotit Brahimaj dhe e zotit Balaj, është një ngjarje shumë e madhe për Kosovën, është ngjarje shumë e madhe dhe një vlerësim për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe tashëm ky verdikt do të duhej të reflektonte në çdo lloj gjykate që ngrihet kundër luftëtarëve të UÇK-së, të cilët akuzohen për atë çfarë kanë bërë në luftën çlirimtare.

Pra, është një ngjarje shumë e madhe për Kosovën, për UÇK-në dhe për historinë e saj edhe për pastërtinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - gjithsesi është një ngjarje e madhe edhe për vetë zotin Haradinaj dhe familjen e tij. Patjetër edhe unë ndihem shumë mirë dhe më komod tashmë, sidomos pas këtij verdikti të Tribunalit të Hagës.

Kurse, sa i përket qasjes së Haradinjat në politikë, i mbetet atij të vlerësojë dhe të vendosë. Uroj që të marrë vendimet më të mira dhe më të duhurat në shërbim të qytetarëve të vendit dhe uroj që së paku mos të bëjë, meqë po flitet (nëse më lejohet të flas edhe për spekulime), gabime, të cilat ndoshta do t’i kushtojnë edhe atij, edhe subjektit të tij, po mbi të gjitha do t’i kushtojnë Kosovës.

Uroj që zoti Haradinaj të reflektojë shumë mirë në shërbim të qytetarëve dhe atë çfarë qytetarët mendojnë, atë ta bëjë edhe zoti Haradinaj.
XS
SM
MD
LG