Ndërlidhjet

Daçiq për "shpëtimin aq sa mundet të Kosovës"


Hashim Thaçi, Catherine Ashton, Ivica Daçiq
Hashim Thaçi, Catherine Ashton, Ivica Daçiq
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, para shkuarjes në Bruksel, në takimin e radhës me kryeministrin kosovaa, Hashim Thaçi, ka thënë se shkon atje “për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet”.

“Kur do ta fusim në kokë, se neve na është marrë dicka, dhe duhet të shpëtojmë atë që mund të shpëtohet”, u shpreh Daçiq, për të shtuar se edhe pse Serbia e ka në kushtetutën e saj të përfshirë Kosovën, në realitet nuk është e mundur, që Kosova të kthehet në përbërjen kushtetuese.

Ai ka thënë se pret një takim të vështirë, por është shprehur se nuk vjen në shprehje asnjë lloj i kufijve mes dy vendeve, njoftojnë mediat serbe.

“Serbia gjendet në pozitë të keqe. Para një viti, është arritur një marrëveshje (pa nënshkrim) me Prishtinën, të cilën unë nuk do ta nënshkruaja. Por, këtu më nuk ka politikë në mes, veç duhet të thoni se nuk qëndroni pas marrëveshjes, a kjo do të nënkuptonte që nuk qëndrojmë as pas marrjes së datës për bisedime( me BE-në)”, u shpreh kryeministri serb.

Ai ka folur dhe për pozicionin e tij në bisedimet në Bruksel.

“Çka prisni nga unë që të bëjë në këto bisedime? Ta bind Thaçin për kthimin e Kosovës në kornizën kushtetuese? Ne jemi vetëm kundër të gjithëve, madje edhe miqtë tanë, thonë se ‘duhet ta bëni këtë’”, ka thënë Daçiq.

Takimi i sotëm në Bruksel, nën praninë edhe të shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, është i treti me radhë midis dy kryeministrave.

Në krye të agjendës së sotme është thënë se do të jetë zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, të njohur si IBM.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur këtë marrëveshje qysh në muajin shkurt, por zbatimi i saj ka ngecur.

Takimet e nivelit të lartë janë parë si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
XS
SM
MD
LG