Ndërlidhjet

Egjipt: Kriza më serioze prej përmbysjes së Mubarakut


Egjipt...
Egjipt...
Situata në Egjipt vazhdon të tensionohet, derisa mbështetësit dhe kundërshtarët e presidentit Muhammad Morsi, të martën përgatiten për tubime rivale në kryeqytetin Kajro.

Mediat në Egjipt kanë raportuar se nga të shtënat dhe hedhja e bombave të benzinës nga sulmuesit kundër protestuesve në Sheshin Tahrir në Kajro, të martën herët në mëngjes, janë lënduar nëntë vetë.

Grupet opozitare kanë bërë thirrje për marshe protestuese në Kajro, për ta detyruar presidentin që ta anuloj mbajtjen e referendumit për kushtetutën e re kundërthënëse, të paraparë për të shtunën.

Por, aleatët islamikë të presidentit Muhammed Morsi kanë bërë thirrje për demonstratë në mbështetje të referendumit.

Këto zhvillime po ndodhin një ditë pasi zoti Morsi urdhëroi forcat ushtarake që ta mbajnë rendin publik së bashku me policinë. Ai po ashtu u ka dhënë të drejta forcave ushtarake që të arrestojnë civilë.

Në Uashington, zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Victoria Nuland, tha se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të shohin përmbajtje të forcave të sigurisë dhe respektim të së drejtës për protestë paqësore.

Ne dëshirojmë që forcat e sigurisë ta respektojnë të drejtën për protestë paqësore, të tregojnë përmbajtje, dhe kuptohet, ne nuk dëshirojmë të shohim përsëritjen e gabimeve të periudhës së Mubarakut”, tha Victoria Nuland.

Çështja kryesore kontestuese aktualisht është propozim teksti i kushtetutës së re, e cila është hartuar nga një asamble e dominuar nga aleatët islamikë të presidentit Morsi.

Ky propozim tekst është kritikuar ashpër nga opozita dhe grupet për të drejta të njeriut, për dështim që të garantoj liri fundamentale dhe mbrojtje për femrat dhe minoritetet.

Morsi dhe mbështetësit e tij thonë se kushtetuta e re është e nevojshme për të siguruar ndryshime në Egjipt, pas përmbysjes së ish presidentit Hosni Mubarak, vitin e kaluar.

Por, protestuesit shprehen të vendosur për ta detyruar presidentin që ta anulojë referendumin e së shtunës.

Në këtë kuadër, protestuesi Sayed, thotë:

Ne do të provojmë që e shtuna të mos vijë pa arritur asgjë. Ne do të vdesim me qëllim që e shtuna të mos vijë në Egjipt, pasi nëse ajo vjen e ne ende jemi të njëjtë, atëherë Zoti le të jetë me Egjiptin”, tha ai.

Nuk është ende e qartë nëse grupi kryesor opozitar, Fronti Kombëtar për Shpëtim, do të bëjë thirrje për bojkot ose që të votohet kundër, nëse referendumi i 15 dhjetorit mbahet ashtu siç është planifikuar.

Njëri nga liderët e këtij grupi opozitar, Muhammad ElBaradei, i tha BBC-së se ai dëshiron që referendumi të shtyhet.

Kjo është një kushtetutë që nuk na i njeh të drejtat dhe liritë themelore. Ajo nuk e krijon një sistem të nevojshëm demokratik. Prandaj, ne do të vazhdojmë të luftojmë me të gjitha forcat kundër referendumit të së shtunës”, tha ElBaradei.

Ky referendum ka shkaktuar krizën më serioze politike në Egjipt, prej përmbysjes së ish presidentit Hosni Mubarak, në shkurt të vitit 2011.

Së paku shtatë vetë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në përleshjet ndërmjet mbështetësve dhe kundërshtarëve të presidentit Morsi, gjatë javës së kaluar. (f. b.)
XS
SM
MD
LG