Ndërlidhjet

Koreja e Veriut kryen provën raketore


Koreja Veriore feston lansimin e raketës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:33 0:00

Koreja Veriore feston lansimin e raketës

Koreja e Veriut ka thënë se ka lëshuar një raketë, e cila ka vendosur satelitin në orbitë.

Komanda e Shteteve të Bashkuara për Mbrojtjen e Hapësirës Ajrore ka thënë se sistemet amerikane kanë detektuar se Koreja Veriore ka lansuar një objekt në orbitën e Tokës.

Lëshimi i raketës është dënuar menjëherë nga fqinjët e Veriut, Koreja e Jugut dhe Japonia, ashtu si edhe Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

Koreja e Veriut ka bërë një provë të dështuar raketore në muajin prill. Ajo thotë se ka të drejtë të lëshojë satelitë dhe, sipas saj, lansimi i së mërkurës ka vënë në orbitë një satelit të motit.

Kritikët akuzojnë regjimin verikorean se përdor lansimet e tilla si mbulesë për zhvillimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, të cilat mund të bartin armë bërthamore.

Raketa është lëshuar rreth orës 01:50, ndërsa lexuesja e lajmeve në televizionin shtetëror ka bërë njoftimin pak minuta më vonë.

Qytetarët shikojnë në televizion lansimin e raketës nga Koreja Veriore
Qytetarët shikojnë në televizion lansimin e raketës nga Koreja Veriore
“Versioni i dytë i satelitetit Këangmyongsong-3 është lëshuar me sukses nga Qendra Sohae e Hapësirës, në provincën e Phenjanit Verior. Sateliti ka hyrë në hapësirë”, ka konfirmuar folësja e lajmeve.

Koreja e Jugut ka thirrur një takim urgjent të Këshillit të saj për Siguri Kombëtare.

Japonia ka thënë se raketa ka fluturuar mbi Okinavën dhe lëshimin e saj e ka cilësuar si “të patolerueshëm”.

Sekretari i Kabinetit japonez, Samu Fujimura, ka dhënë këtë deklaratë para gazetarëve:

Ne u kemi kërkuar atyre që të mos bëjnë lansime të tilla. Fakti që ata e kanë bërë është për keqardhje dhe Japonia nuk mund ta pranojë. Ne do të shprehim protesta të fuqishme ndaj Koresë së Veriut”, ka thënë Fujimura.

Shtëpia e Bardhë ka dënuar po ashtu lansimin e raketës duke e quajtur “akt provokues”, i cili “dëmton sigurinë rajonale dhe shkel rezolutat e Kombeve të Bashkuara”.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka thënë se lëshimi i raketës është “shkelje e qartë” e rezolutave të Këshillit të Sigurimit, të cilat i bëjnë thirrje Koresë së Veriut të mos kryejë asnjë provë, e cila përdor teknologjinë e raketave balistike.

Ministria e Jashtme ruse, përmes një deklarate për media, ka shprehur “keqardhje të thellë”.

Kina, partneri më i madh tregtar, ka kritikuar gjithashtu aleatin e tij komunist. Një deklaratë që ka transmetuar agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua, i ka bërë thirrje Koresë së Veriut “që të respektojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Koreja e Veriut ka kryer dy prova të armëve bërthamore më 2006 dhe 2009.

I përballur me raunde të shumta të sanksioneve për shkak të aktiviteteve të tij bërthamore dhe balistike, Phenjani është tërhequr vazhdimisht nga bisedimet gjashtëpalëshe për çarmatimin e tij bërthamor në këmbim të ndihmës.

Këto bisedime përfshijnë edhe Korenë e Jugut, Japoninë, Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.(v.t.)
XS
SM
MD
LG