Ndërlidhjet

Shërimi për Evropën në nivel shtetëror


Ilustrim
Ilustrim
"Financial Times" në një artikull mbi krizën në Bashkimin Evropian, shkruan se iniciativat për të forcuar monedhën e përbashkët dhe krijimin e një unioni bankar, nuk janë një gjë e mençur.

Kriza e ardhshme thellohet më shumë duke shmangur politikat kombëtare, thuhet në artikullin e kësaj të përditshmeje.

Disa politika vendore janë thelbësore në shtetet më të mëdha të eurozonës.

Sipas madhësisë së shteteve, disa janë subjekt i një disipline më të lehtë të tregut, sesa ato më të voglat.

“Po qe se Greqia do të ishte i vetmi problem në eurozonë, atëherë nuk do të flitej për krizën. Por, çështjet janë akumuluar në shtetet e mëdha si në Itali e Spanjë”, shkruan FT.

Fatmirësisht, këto dy shtete, krahas Irlandës dhe Portugalisë, i kanë përmirësuar shumë politikat e tyre. Fokusi tash është në Francë, shtet ky, që sipas FT-së, e ka radhën të ndërmarrë reforma vendore - edhe për të mirën e tij, por edhe të eurozonës.

Qasja nga lartë - poshtë nuk është e mjaftueshme për të penguar krizat në të ardhmen, thuhet në artikull, ku kujtohet se para krizës financiare, ka pasur rregulla evropiane, por, ato janë shkelur.

Artikulli merr shembullin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që nuk ka ngritur alarmin para krizës së Greqisë në vitin 2008.

Qasja gjithëpërfshirëse e Evropës nuk mund të zëvendësojë kulturën kombëtare politike, thekson FT, për të shtuar se kjo qasje duhet të nënvizojë rolin pozitiv të disiplinës fiskale dhe të forcave të tregut.

Në artikull thuhet se liderët duhet të ndalojnë së lidhuri “modelin evropian social” me shtetin e mirëqenies sociale, dhe të ndalen së fajësuari tregjet për problemet e shkaktuara nga politikat e gabuara.

Madje, thekson FT, as në SHBA, qeveria federale nuk mund të pengojë politikat e këqija në shtetet individuale dhe iu takon politkave në nivel shtetëror që të përmirësojnë këto deformime.

Politikat federale amerikane, në veçanti ato fiskale, janë larg nga të qenit ideale. Ky fakt duhet të merret parasysh nga ata në BE që e shohin një “Evropë Federale” si zgjidhjen përfundimtare të ekonomisë së ‘sëmurë’ të eurozonës.

Shembulli më i fundit i këtij besimi, është ideja e një unioni bankar të eurozonës, që do të përfshinte një mbikëqyrës të përbashkët, sigurime të përbashkëta të depozitave dhe mekanizëm për t’u marrë me bankat e dështuara, thuhet në FT.

Unioni bankar është propozuar si zgjidhje për problemin e lidhjeve financiare të rrezikshme në mes të qeverive dhe bankave vendore.

Kjo, thuhet në artikull, mund të çojë në drejtim të gabuar.

Idetë e mëdha janë zëvendësim i dobët i planeve të detajuara. Mbikëqyrja e re evropiane mund të krijohet kur të rritet përgjegjësia fiskale në nivel kombëtar. Banka Qendore Evropiane mund, ose mund të mos jetë rregullator.

Unioni bankar, dhe iniciativat tjera evropiane, mund të jenë reforma të dobishme.

Por, ato nuk mund të zëvendësojnë reformat regullatore dhe të pëmirësojnë politikat në problemet e shteteve të eurozonës, në veçanti të atyre shteteve të mëdha.

Përgatiti: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG