Ndërlidhjet

Premtimet e (pa)përmbushura


Para zgjedhjeve në Prishtinë...
Para zgjedhjeve në Prishtinë...
Qeveria e Kosovës kishte vënë si prioritete gjatë vitit 2012 zhvillimin ekonomik, investimet në infrastrukturë dhe bujqësi, ndërkaq nga aspektet tjera, plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave dhe përgatitjet për nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si hapi i parë drejt procesit të gjatë të integrimit evropian.

Por, sa besojnë qytetarët se qeveritarët kanë arritur t’i realizojnë premtimet e dhëna? Ata flasin vetë në një anketë të zhvilluar nga Radio Evropa E Lirë.

Hysen Dobratiqi, qytetar, thotë se premtimet nuk janë përmbushur:

“Politikanët tanë nuk i kanë përmbushur premtimet e dhëna. Na premtojnë për liberalizimin e vizave, do të hyjmë në Evropë, tash gjejnë pretekst, dhe nuk përmbushen. Të huajt vijnë me mesazhe të qarta, jeni popull i korruptuar, jeni shtet ku ka shumë kriminelë, ligjet tuaja nuk zbatohen. Nuk shihet asgjë mirë, as nuk pritet asgjë më mirë me këtë qeveri”.

Derisa Shefqet Rexhepi, mendon se premtimi i dhënë për rritjen e pagave është mbajtur, por ai përmend plot sosh që s’janë mbajtur:

“Mund të them se kryeministri ka rritur pagat, një premtim i mbajtur, përndryshe asgjë tjetër pozitive nuk është bërë - 98 për qind nuk janë përmbushur premtimet”.

Xhevdet Ramadani, 50-vjeçar, jurist me profesion, thotë se ka pritur që këtë vit do të liberalizohen vizat, gjë e cila nuk ka ndodhur.

“Po premtojnë shumë, por nuk po i përmbushin. Kam pritur më shumë, si liberalizim të vizave, por e kemi humbur besimin krejtësisht ndaj tyre”, shprehet Ramadani.

E, Arbnora Syla, 30-vjeçare, kreatore me profesion, shprehet e zhgënjyer me jetën në Kosovë dhe premtimet e papërmbushura për të rinjtë, në vendin që s’ofron shumë mundësi:

“Gjithmonë kanë premtuar shumë. Suksese kanë pasur në infrastrukturë rrugore, por jo edhe aq sa kanë premtuar. Jam e zhgënjyer me atë se si funksionojnë gjërat në Kosovë. Unë vazhdoj të jetoj këtu, por sa i përket ofertës që shteti ta ofron ty, si i ri, nuk është në nivelin e kënaqshëm”.

Kurse, Ramadan Ademi, ekonomist, thotë se mendon se Kosova ka mbetur një shtet shumë i varfër, dhe me shumë probleme.

Çdo punë që e kanë nisur, e kanë lënë në gjysmë. Tash rreth kufijve del në shesh e vërteta. Kryeministri ynë thotë ndryshe, ai i Serbisë ndryshe. Për liberalizim kanë thënë se deri në fund të vitit do të bëhet, por jo. Kemi punë me fukarallëk, skamje, të cilat nuk ndërpriten. Mbi 49 për qind e kemi varfërinë, 20 për qind varfëri të skajshme, pastaj pensionistët. Kur grumbullohen këto, unë nuk e di çfarë suksesi, me këtë asfalt po, se tjetër premtim asnjë i përmbushur”, thotë Ademi.

Almedin Tahiraga, 20-vjeçar ka thotë se ka pritur dhe e pret me padurim përmbushjen e premtimit për liberalizimin e vizave:

“Mendoj që shumë pak janë përmbushur premtimet e qeveritarëve tanë. Liberalizimi i vizave nuk është bërë, edhe shumë sende tjera. Mendoj se kanë arritur shumë pak suksese, por shpresoj në të ardhmen”.

Pesimiste me mospërmbushjen e premtimeve nga ana e udhëheqësve tanë shprehet studentja Valbona Gashi, meqë sipas saj nuk u ofrohen kurrfarë mundësi të rinjve për t’u avancuar:

“Jam shumë pesimiste, dhe mendoj se nuk do të ndryshojë asgjë. Do të doja të kishte më shumë mundësi për t’u avancuar, qoftë me studime, në mënyrë financiare, më shumë bursa. Këtu nuk i ke kushtet për studime të mirëfillta. Do të doja sa më shumë vende pune për të rinj”.
XS
SM
MD
LG