Ndërlidhjet

“Hakmarrja” ndaj SHBA-së rrezikon fëmijët rusë


Jetimët rusë, foto nga Aleksandr Belenky
Jetimët rusë, foto nga Aleksandr Belenky
Aleksandr Belenky, fotograf nga Shën Petersburgu, po bënte fotografi në një jetimore ruse, kur ka hasur në djaloshin e vogël me emrin Vanya.

Për vite të tëra, ai ka fotografuar disa nga jetimët më të rrezikuar të Rusisë – fëmijë që vuajnë nga paraliza cerebrale, virusi HIV dhe sindromi Down. Por, Vanya ishte ndryshe.

“Ai ka qenë ndoshta katër vjeç. Nuk ka pasur as duar, as këmbë. Pëdorte paterica dhe proteza të veçanta në vend të tyre. Të gjithë kujdestarët e tij thoshin se ai është një djalë vërtet i zgjuar, thjesht i mrekullueshëm. Ai ka arritur të birësohet nga një familje në Amerikë dhe vërtet do të doja të dija për fatin e tij. Kam dëgjuar se bën jetë normale dhe se i kanë bërë proteza të mira. Teknologjia atje është më e mirë se këtu. Edhe mundësitë financiare janë më të mira”, thotë Belenky.

Belenky ka përcjellë më shumë interes fatin e jetimëve rusë, të birësuar nga amerikanët. Ai personalisht ka ndihmuar më shumë se 60 familje birësuese në Shtetet e Bashkuara që të gjurmojnë të afërmit rusë të fëmijëve të tyre.

Në proces, ai ka mësuar se fëmijët, të paaftë ose të sëmurë pa shpresë, jetojnë të lumtur në Shtetet e Bashkuara. Shpesh, pyet veten se si do t’ia dilnin këta fëmijë po qe se do të mbetnin në Rusi, ku shanset e tyre për birësim janë mjaft të pakta.

Derisa Duma Ruse përgatitet të kalojë një ligj, i cili u ndalon shtetasve amerikanë të birësojnë fëmijët rusë, shumë njerëz bëjnë të njëjtën pyetje.

Ligjvënësit rusë sot (të premten) pritet t’i japin miratimin përfundimtar ligjit, i cili shihet si masë hakmarrëse për Shtetet e Bashkuara, të cilat, pak ditë më parë, kanë miratuar ligjin Magnitsky, duke sanksionuar të gjithë zyrtarët rusë, që dyshohen për shkelje të të drejtave të njeriut.

Ligji ka nxitur ulërimë të madhe të opozitës ruse, e cila ka akuzuar qeverinë se përdor fëmijët më të pafavorizuar të shoqërisë si “patate të skuqura politike”.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë adoptuesit kryesorë të fëmijëve rusë. Familjet amerikane, në vitin e kaluar, kanë birësuar 956 fëmijë, përfshirë 89 me paaftësi serioze fizike ose mendore.

Lena Smirnova, e cila kryeson shoqatën bamirëse për fëmijët “Sozidaniye”, me seli në Moskë, e cilëson të turpshëm projektligjin.

“Qytetarët e huaj, përfshirë amerikanët, marrin fëmijët tanë më të prekur dhe 98 për qind e tyre sigurojnë jetë të shkëlqyeshme. Këtu nuk do të kishin asgjë”, thotë Smirnova.

Mbështetësit e ligjit thonë se ai vjen në përgjigje të rasteve kur fëmijët rusë vdesin nën kujdesin e prindërve amerikanë birësues.

Legjislatura ka marrë emrin e fëmijës 21-muajsh, Dima Yakovlev, i cili ka vdekur nga të nxehtit në vitin 2008. Babai i tij birësues e kishte lënë atë në makinë të nxehtë për nëntë orë.

Një total prej 19 fëmijësh të adoptuar rusë kanë vdekur në Shtetet e Bashkuara gjatë dekadës së kaluar.

Por, mbështetësit e mirëqenies së fëmijëve thonë se fëmijët e birësuar brenda Rusisë e kanë pësuar edhe më keq. Agjencia e lajmeve RIA-Novosti ka bërë të ditur se 1,220 fëmijë të adoptuar kanë vdekur në Rusi gjatë 15 vjetëve të kaluar.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka përshkruar legjislacionin e Dumës si “emocional, por adekuat”.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të përmirësojnë infrastrukturën e brendshme të birësimit, për ta bërë më të lehtë dhe më tërheqëse për rusët që të adoptojnë fëmijë.

Qytetarët e Rusisë aktualisht përbëjnë afro 70 për qind të birësuesve të fëmijëve rusë. Por, ekspertët thonë se familjet ruse vazhdojnë të jenë shumë ngurruese në adoptimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Yulia Kurchanova, nga organizata e fëmijëve "Rostok", thotë se Qeveria ruse nuk ka bërë gati asgjë për të rritur mbështetjen për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet që mund t’i birësojnë ata.

Ajo thotë se kushtet në jetimoret ruse janë përmirësuar, porse “koha është që përmirësimet të bëhen në nivele të tjera”.

“Tani që janë të ushqyer dhe të veshur, si t’i ndihmojmë këta fëmijë që të kuptojnë potencialin e tyre? Deri më tash, nuk ka përgjigje në këtë çështje. Ata nuk kanë perspektivë. Kur i mbushin 18 vjet, ata transferohen në institucionin psikiatrik për të rritur, ku situata është edhe më e komplikuar, sepse ata jetojnë në kushte të afërta me kriminalitetin. Shumë nga ta nuk arrijnë të mbushin 25 vjet”, thotë Kurchanova.

Sipas saj, në debate ka humbur fakti se efektet e të rriturit pa prindër janë shkatërruese dhe të përhershme.

Kurchanova thotë se fëmijët janë më mirë të mbrojtur kur janë nën kujdesin e një familjeje – pavarësisht se ku ndodhet familja.

“Për një fëmijë, nuk ka absolutisht rëndësi se çfarë gjuhe flet nëna e tij, përderisa ajo i ofron ngrohtësi, dashuri dhe mirësi. Anglisht, rusisht, italisht... çfarë rëndësie ka, nëse ajo është në gjendje t’i ofrojë gjënë më të rëndësishme – ndjenjën se dikush ka nevojë për të”, thotë Kurchnova.(v.t.)
XS
SM
MD
LG