Ndërlidhjet

Vdes viktima e dhunimit në Indi


Singapor
Singapor
Viktima 23 vjeçare e një dhunimi brutal në New Delhi vdiq si pasojë e plagëve që mori nga sulmi.

Femra e re ishte dërguar për trajtim mjekësor në Singapor më 26 dhjetor, por të premten mjekët thanë se gjendja e saj po përkeqësohej.

Kevin Loh, drejtor ekzekutiv i spitalit Mount Elizabeth ku po trajtohej pacientja, bëri të ditur se ajo ka vdekur në mëngjesin e së shtunës.

Komisionari i Lartë i Indisë, T. C. A. Ragahavan ishte në Singapor për të theksuar rolin e fuqishëm të atyre që u përpoqën ta shpëtojnë viktimën.

“Siç e dini, sikurse në Indi ashtu dhe në Singapor, janë bërë përpjekje të mëdha për t’i ofruar asaj trajtimin më të mirë mjekësor dhe për t’ia shpëtuar jetën. Por, në fund ajo u dorëzua ndaj plagëve që ishin shumë të rënda”, tha ai.

Ragahavan ngushëlloi familjen e femrës së re, ndërsa çmoi lartë kurajën që ka dëshmuar.

“Ishte shumë e lodhshme për familjen. Vajza ishte natyrisht pa vetëdije dhe ishte e lodhshme për familjen. Por, më duhet të them se ata kanë tejkaluar tërë procesin me një kurajë të madh”, u shpreh ai.

Trupi i viktimës parashihej të kthehej në Indi gjatë së dielës.

Vdekja e vajzës së re, emri i së cilës nuk u bë publik, pritet të shkaktojë më shumë protesta në Indi.

Pasi kishin shikuar një film në kinema, viktima dhe një mik i saji kishin hyrë në autobusin ku u sulmuan nga gjashtë persona.

Sulmuesit kishin rrahur të dy viktimat, ndërsa kishin dhunuar 23- vjeçaren vazhdimisht.

Krimi i 16 dhjetorit shkaktoi një varg protestash gjithandej Indisë-demonstrata kryesisht të dhunshme me kërkesën drejtuar qeverisë për rritjen e masave në mbrojtjen e femrave.

Disa protestues madje kërkuan ekzekutimin e gjashtë sulmuesve.

Kryeministri i Indisë, Manmohan Singh, tha se ishte “i pikëlluar” nga lajmi për vdekjen e vajzës, ndërsa bëri të ditur synimin për t’i drejtuar emocionet dhe energjinë e tij “në kahe të një kursi konstruktiv të veprimeve”.

Përfaqësuesit e ekzekutivit të Indisë thanë se do të angazhohen për t’i vënë para drejtësisë personat përgjegjës të sulmit.

“Ne do të bëjmë përpjekje për ta ndihmuar familjen e viktimës dhe për ta vënë drejtësinë në vend. Jam thellësisht i pikëlluar për faktin se babai i së ndjerës është ngarkues në aeroport-ajo i takonte një familjeje të varfër. Ne po përpiqemi të që të shmangim ballafaqimin e familjeve të varfra më kësi lloj situatash”, tha të shtunën ministri i brendshëm i Indisë, Sushil Kumar Shinde.

Zyrtarët në New Delhi kanë bllokuar trafikun në qendër të qytetit dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve ta shmangin zonën ku ka ndodhur incidenti.(e.p.)
XS
SM
MD
LG