Ndërlidhjet

Përfundon me viktima kriza e pengjeve në Algjeri


Pengjet në Algjeri
Pengjet në Algjeri
Zyrtarë të Algjerisë thonë se forcat e sigurisë së këtij vendi kanë ndërhyrë në kompleksin e gazit natyror në shkretëtirën e Saharasë, dhe e kanë përfunduar krizën e pengjeve, që zgjati katër ditë.

Qeveria e këtij vendi ka njoftuar se 32 militantë dhe 23 persona të zënë peng, janë vrarë gjatë përleshjes, ndërsa 685 punëtorë algjerianë dhe 107 të jashtëm janë liruar.

Ushtria i ka konfiskuar pushkët automatike, municionin, raketat, pajisjet për hedhjen e predhave dhe jelekët vetëvrasës me granata.

Kompania shtetërore e naftës e Algjerisë, Sonatrach, ka njoftuar se ushtria tash po i pastron minat e vendosura nga militantët.

Kriza në këtë uzinë në shkretëtirën In Amenas filloi të mërkurën.

Ky kompleks i gazit, në pjesën jugore të Algjerisë, afër kufirit me Libinë, udhëhiqet së bashku nga British Petrol, Sonatrach dhe Statoil i Norvegjisë.

Presidenti i Francës, Fracois Hollande, ka shprehur mbështetje për reagimin e ashpër të Algjerisë ndaj pengmarrjes, duke thënë se taktikat e saj ishin “përgjigjja më e përshtatshme ndaj krizës”.

“Nuk mund të ketë negociata” me terroristët, i transmetuan fjalët e presidentit Hollande, mediat franceze.

Ai ka thënë, po ashtu, se pengjet ishin “vrarë në mënyrë të turpshme” nga rrëmbyesit.

Hollande ka theksuar se nëse ende duhet që Franca ta arsyetojë intervenimin e saj në Mali, zhvillimet në Algjeri e japin arsyen.

Presidenti amerikan, Barack Obama, për vrasjen e pengjeve në Algjeri i ka fajësuar “terroristët”, që ndërmorën sulm.

Ai ak thënë se sulmi ishte përkujtim i kërcënimit të vazhdueshëm nga al-Kaida.

“Gjatë ditëve të ardhshme, ne do të mbetemi në kontakt të afërt me qeverinë e Algjerisë për të mësuar plotësisht se çka ka ndodhur, në mënyrë që ne mund të punojmë së bashku për parandalimin e tragjedive si kjo”, është shprehur Barack Obama, nëpërmjet një kumtese.


Banorët në In Amenas - të shqetësuar

Banorët në vendin In Amenas thonë se ata mbetën të goditur nga dhuna në katër ditët e kaluara:

“Ky rast na prek neve, kjo është normale, sepse është hapësirë e ndjeshme e naftës. Njerëzit janë këtu për të punuar, e jo për të bërë probleme, ky është vend paqësor dhe nëse terrorizmi mbetet këtu, asgjë nga kjo hapësirë nuk do të mbetet. Janë vrarë shumë njerëz”, tha ky banor, i cili nuk deshi të identifikohet.

Personi tjerët, i cili po ashtu, nuk ka dashur të tregojë se si quhet, është i shqetësuar se kompanitë e jashtme tash mund të largohen nga kjo hapësirë për shkak të frikës nga sulmet e ardhshme terrrriste.

“Tash mendoj se të gjitha kompanitë franceze dëshirojnë të largohen dhe nuk do të japin punë. Ky është problem i vërtetë. Ne punonim dhe çdo gjë ishte në rregull, por tash, pasi kjo përfundoi, çdo gjë do të ndalet, do të ketë krizë të madhe për punë”, tha ky banor i vendit In Amenas.

Kriza i ka aktualizuar grupet e ndërlidhura me al-Kaidën, që bredhin në rajonin e madh të shkretëtirës, duke i kërcënuar interesat jetike të infrastrukturës dhe energjisë.

Qeveria e Algjerisë tha se militantët e kishin kaluar kufirin nga “vendet fqinje”. (f. b.)
XS
SM
MD
LG