Ndërlidhjet

Zeman mund Schwarzenbergun - zgjidhet president i Çekisë


Zeman dhe Schwarzenberg
Zeman dhe Schwarzenberg
Ish-kryeministri majtist i Çekisë, Milosh Zeman, ka mundur ministrin e Jashtëm, Karel Schwarzenberg, në zgjedhjet presidenciale të vendit.

Me më shumë se 97 për qind të votave të numëruara, Zeman ka siguruar 55.3 për qind të tyre, kundrejt Schwarzenbergut, i cili ka marrë 44.6 për qind të votave.

Zemani, 68 vjeç, ka pasur mbështetjen e presidentit në largim, Vaclav Klaus, i cili ka shërbyer dy mandate dhe, në bazë të ligjit çek, nuk ka mundur të garojë për të tretin.

Zeman, anëtar i Partisë Komuniste para pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë në vitin 1968, u ka premtuar çekëve se do t’i drejtojë edhe më pranë Bashkimit Evropian.

Ai ka shërbyer si kryeministër social-demokrat në periudhën 1998-2002.

Schwarzenberg ka pranuar humbjen dhe ka uruar Zemanin, por analistët thonë se marrëdhëniet ndërmjet kabinetit të qendrës së djathtë dhe presidentit të ri mund të tendosen.

Zeman dhe Schwarzenberg, gjatë fushatës së tyre, kanë shprehur qëndrime diametralisht të kundërta edhe për Kosovën.

Presidenti i zgjedhur e ka quajtur “regjim terrorist”, ndërsa ministri aktual i Punëve të Jashtme ka thënë se do t’i ofrojë përfaqësim të plotë diplomatik – gjë të cilën nuk e ka bërë presidenti i deritashëm, Vaclav Klaus.

Zemani, në anën tjetër, njihet për privatizimin e bankave kryesore dhe tërheqjen e investimeve të huaja gjatë mandatit të tij si kryeministër. Kundërshtarët kritikojnë miqësinë e tij me ish-zyrtarët komunistë dhe biznesmenët që kanë lidhje me Rusinë.

Ai do ta marrë detyrën e presidentit në muajin mars.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Çeki është mbajtur më 11 dhe 12 janar, ndërsa balotazhi të premten dhe sot.

Kjo ka qenë hera e parë në historinë e shtetit të pavarur çek që qytetarët kanë zgjedhur drejtpërdrejt presidentin. (v.t.)
XS
SM
MD
LG