Ndërlidhjet

Shtetet e Bashkuara kritikojnë Iranin për provën me majmun


Prova e Iranit me majmun
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:25 0:00

Prova me majmun e Iranit

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Irani mund të ketë shkelur rezolutën e Kombeve të Bashkuara nëse pohimet e tij për dërgimin e një majmuni në hapësirë, janë të vërteta.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland, ka thënë se nuk ka mundur të konfirmojë pretendimet e Iranit.

Ne nuk kemi ndonjë mënyrë për të konfirmuar, por shqetësimi ynë për lansimet e Iranit në hapësirë është mirë i ditur. Çdo lëshim në hapësirë i mjetit që mund të bartë atje një objekt, është relevant me zhvillimin e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi”, ka thënë Nuland.

Ajo ka kujtuar se Rezoluta 1929 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndalon Iranin nga “çdo aktivitet që lidhet me raketa balistike, të afta për të bartur armë bërthamore, përfshirë edhe lansimet që përdorin teknologjinë e raketave balistike”.

Zyrtarët iranianë kanë thënë të hënën se kanë dërguar një raketë me majmunin në bord, rreth 120 kilometra mbi Tokë. Kafsha thuhet të jetë kthyer në gjendje të mirë.

Ministri iranian i Mbrojtjes, Ahmad Vahidi, ka thënë se Irani ka bërë një hap të madh drejt dërgimit të njeriut në hapësirë, duke dërguar majmunin në një fluturim nën-orbital, në bordin e anijes Kavoshgar.

Konfirmimi i pavarur i këtyre pretendimeve nuk ka qenë i mundur.

Ato bëhen në kohën kur Republika Islamike dhe fuqitë botërore vazhdojnë të debatojnë për datën dhe vendin, ku do të rinisnin bisedimet për programin bërthamor të Iranit.

Irani është goditur nga raunde të shumta sanksionesh nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe vendet perëndimore. Teherani mohon çdo përpjekje për të krijuar armë bërthamore, duke thënë se programi i tij atomik është vetëm për qëllime paqësore.

Bashkimi Evropian ka kritikuar atë për refuzimin e ofertës për bisedime të reja, që do të mbaheshin këtë javë në Stamboll.

Michael Mann, zëdhënës i shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ahston, ka thënë të hënën se blloku është i zhgënjyer me Iranin dhe ka ofruar tjetër datë për bisedime në muajin shkurt.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se shtyrja e bisedimeve është “absolutisht e papranueshme”.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Victoria Nuland, i ka bërë thirrje Iranit që të bashkëpunojë dhe t’iu kthehet negociatave.

Ne nuk kemi ndonjë parakusht të caktuar për vendin apo kohën, por kemi shumë pak ndihmë nga Irani për mbylljen e kësaj çështjeje”, ka thënë Nuland.

Disa raunde të bisedimeve në vitin 2012, përfshirë ato në Moskë dhe Islamabad, kanë dështuar të prodhojnë ndonjë rezultat për programin e pasurimit të uraniumit, që bën Irani.

Pasurimi është një proces që mund të përdoret për zhvillimin e armëve bërthamore.

Bisedimet sjellin së bashku Iranin dhe gjashtë fuqitë botërore: Britaninë, Kinën, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara. (v.t.)
XS
SM
MD
LG