Ndërlidhjet

Kishore Jaybalan: Papa është ndjerë i mbetur prapa


Papa Benedicti XVI
Papa Benedicti XVI
Papa Benedicti XVI ka bërë të ditur të hënën se do të japë dorëheqje në fund të këtij muaji, duke përmendur arsyet shëndetësore. Dorëheqja e papritur e bën atë papën e parë që heq dorë nga detyrat e tij qysh në shekullin e 15-të. Korrespondentja Claire Bigg ka biseduar me Kishore Jaybalan, i cili drejton Zyrën e Romës në Institutin Acton për Studime të Fesë dhe Lirisë, me seli në SHBA.

RADIO EVROPA E LIRË
Si është disponimi në Vatikan, pas njoftimit të Papës për dorëheqje? A ka qenë lajmi goditje apo ka pasur spekulime se ai mund të japë dorëheqje?

KISHORE JAYABALAN
Të dyja nga pak. Lajmi është goditje, sepse asnjëri nuk ka pritur që të ndodhë tani. Por, unë mendoj se shumë njerëz që kanë parë Papa Benedictin XVI në muajt e fundit, kanë parë se ka qenë shumë i lodhur.

Ai ka folur për një gjë të tillë edhe në të kaluarën; ka thënë se një papë, i cili nuk mund të kryejë detyrat e tij, duhet të ndjehet i lirë për të dhënë dorëheqje. Kur e ka thënë këtë, rreth një vit e gjysmë më parë, është konsideruar si lajm mjaft domethënës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa shpesh ndodhin dorëheqjet në papat?

KISHORE JAYABALAN
Ato nuk kanë ndodhur qysh në vitin 1415. Ky është papa i dytë që jep dorëheqje dhe që ne dimë. Hera e fundit ka ndodhur me Gregoryn XII.

RADIO EVROPA E LIRË
Papa Benedicti ka thënë se do të japë dorëheqje për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij. A ka arsye të tjera që mund ta kenë motivuar këtë vendim?

KISHORE JAYABALAN
Ai po ashtu ka folur për ritmin e mediave globale, të politikave dhe ngjarjeve sot. Pra, këto janë rrethana që prekin moshën e tij dhe shëndetin jo të mirë.

Unë besoj në atë që thotë ai, se ritmi i punës dhe ritmi i komunikimeve në shoqërinë moderne janë të vështira për dikë që nuk është plotësisht i zoti të merret me këto ndryshime të shpejta.

Ai është ndjerë se ka qenë i mbetur prapa në një mënyrë, se nuk mund të udhëheqë në mënyrë efektive Kishën dhe se ka shumë kardinalë të tjerë, që mund të bëjnë një punë më të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mendoni se janë planet e Benedictit? A do të vazhdojë të qëndrojë në Vatikan apo do të kthehet në vendlindjen e tij, në Gjermani?

KISHORE JAYABALAN
Nuk do të isha i befasuar nëse do të kthehej në Gjermani. Ai i ka kërkuar të paktën dy herë Papa Gjon Paulit II, papës së mëparshëm, që t’i lejojë të kthehet në Gjermani. Andaj, mund të lërë Romën dhe të kthehet në vendin që ai do vërtet.

Kur Papa Benedicti është zgjedhur më 2005, ai ka thënë publikisht se nuk ka dashur të ndodhë një gjë e tillë dhe se i është lutur Zotit që të mos ndodhë.

Andaj, supozimi im është se ai do të largohet nga skena sa më shumë që të jetë e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Thoni se Benedicti nuk është u gëzuar detyrave të papatit...

KISHORE JAYABALAN
Ka qenë punë e vështirë, sidomos për dikë që është tashmë 85 vjeç. Ai nuk është njeri i ri. Ai e ka thënë në letrën e tij, në mënyrë shumë eksplicite, se “në këta vjet është shumë e vështirë – duhet të kesh mendje të fuqishme në trup të fuqishëm dhe unë nuk i kam”.

Mendoj se ai e ka kuptuar se nuk mund të kryejë detyrën. Secili peshkop në botë mund të japë dorëheqje për shkaqe shëndetësore. Pse një gjë të tillë nuk mund ta bëjë peshkopi i Romës? Kjo mund të jetë ajo që ka menduar.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë ndodh tani?

KISHORE JAYABALAN
Do të takohet Kolegji i Kardinalëve. Papa Benedicti ka thënë se do të japë dorëheqje më 28 shkurt, në 8 pasdite sipas kohës në Romë. Kështu që mbledhja mund të mbahet në çdo kohë pas kësaj.

Pyetja tani është nëse Papa do të marrë pjesë në mbledhjen e fshehtë. Ai mund të thotë se ky është vendim për Kolegjin e Kardinalëve dhe ai duhet të vendosë. Por ai, megjithatë, vazhdon të jetë peshkop i Romës.

Ai mund të mos marrë pjesë në vendim, por mund të krijojë diskutime interesante, për të parë se çfarë ndodh kur keni një papë përreth dhe një tjetër vjen në zyrë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të cilësohet dorëheqja e Benedictit si e dëmshme për qëndrimet e Vatikanit?

KISHORE JAYABALAN
Nuk mendoj. Mendoj se gjithmonë është e mundur, por supozoj se Papa e ka shqyrtuar me kujdes dhe shumë seriozisht. Çfarë do të thotë kjo, do të shohim, sepse është e paparë ndonjëherë.

Nuk e dimë se si do të jetë reagimi i botës ndaj kësaj. Është mjaft tronditëse.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG