Ndërlidhjet

Shpërndarja diskriminuese e fondeve në komuna


Ilustrim
Ilustrim
Shpërndarja e investimeve kapitale nga niveli qendror në atë lokal, është duke u bërë në mënyrë joproporcionale, duke u dhënë prioritet komunave të drejtuara nga partia në pushtet.

Këto vlerësime dolën gjatë një tryeze të organizuara nga Instituti Demokratik i Kosovës, me temën “Financat e pushtetit lokal – shpërndarja e investimeve kapitale nga niveli qendror në atë lokal”.

Në një hulumtim të bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës thuhet se subjektet politike në opozitë, të cilat udhëheqin me një numër të madh të komunave në Kosovë, në vazhdimësi kanë shprehur pakënaqësi lidhur me shpërndarjen e investimeve kapitale nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministria e Infrastrukturës.

Hykmete Bajrami, nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke krahasuar investimet kapitale të këtyre dy ministrive nëpër komunat e Kosovës, thekson se dallimet janë shumë të mëdha në shpërndarje, duke privilegjuar disa komuna dhe, në anën tjetër, duke anashkaluar shumë të tjera.

“Prej vitit 2010 deri në vitin 2013 janë investuar, për kokë banori, 230 euro në komunën e Skënderajt, përderisa në Prishtinë përgjatë gjithë këtyre viteve janë investuar vetëm 12 euro”, bën të ditur Bajrami.

Sidoqoftë, formula për ndarjen e fondeve (granteve), llogaritet në këtë formë. Popullsia llogaritet me 89 për qind, numri i popullsisë pakicë me 3 për qind, komunat, shumica e popullsisë së të cilave përbëhet nga pakicat kombëtare me 2 për qind dhe përmasat gjeografike më 6 për qind.

Formula për ndarjen e fondeve për komuna dhe vetë ndarja, në përgjithësi, është vlerësuar e drejtë nga akterët e përfshirë në këtë proces.

Megjithatë, disa nga komunat e vogla, sipas raportit të KDI-së, kanë shprehur pakënaqësi me vetë formulën e përcaktuar, duke cilësuar atë si të dëmshme për komunat e vogla dhe ato të cilat kanë territore malore, ku popullsia jeton e shpërndarë në vendbanime të vogla dhe të largëta.

Zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu, thotë se ka shumë raste kur komunat nuk ofrojnë projekte për bashkëfinancim, ose drejtohen vetëm me projekte ideore, duke mos pasur asnjë sqarim.

“Ministria e Financave i këshillon agjencitë buxhetore, ministritë e linjës dhe komunat që gjatë procesit të rregullt buxhetor të zhvillojnë komunikimin e tyre mbi listimin dhe përcaktimin e projekteve kapitale shumëvjeçare përfshirë edhe ato ndërkomunale dhe angazhimet e partneritetit publiko-privat dhe donatorët potencialë”, shprehet Avdiu.

Avdiu bën të ditur se kanë iniciuar procesin e ndryshimit dhe amendamentimit të Ligjit për financa të Pushtit Lokal. Sipas tij, në vitin e 2014, do të ketë ndryshim të formulës për dhënien e fondeve. Ai shton se gjatë ndarjes së fondeve, do të merret parasysh regjistrimi i fundit i popullsisë.

KDI-ja, përveç tjerash, në raport thekson se komunat nuk kanë buxhet të mjaftueshëm nga të hyrat, të cilat i mbledhin vetë dhe varen nga fondet, që i ndan niveli qendror.

Në mënyrë që komunat të jenë të pavarura financiarisht, KDI-ja rekomandon komunat që të shtojnë efikasitetin e mbledhjes së të hyrave të tyre, veçanërisht tatimit në pronë.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se komunat e Kosovës duhet të kenë autonomi të plotë për strukturën e personelit, por që ky parim nuk zbatohet në Kosovë.

“Duhet të theksojmë se edhe pse Kosova nuk është nënshkruese e Kartës Evropiane mbi vetëqeverisjen lokale, në Kushtetutën e Kosovës është e paraparë që Kosova duhet të sillet në atë mënyrë që e ka nënshkruar këtë kartë. Parimet që dalin nga kjo kartë, në disa raste nuk respektohen”, thotë Ibrahimi.

Ndryshe, nga 1 miliard e 586 milionë euro, nga buxheti i këtij viti, 621 milionë euro janë planifikuar për investime kapitale.
XS
SM
MD
LG