Ndërlidhjet

"Drama ndërkombëtare” nga Teksasi


Gardendale, “Privat. Rrugë pa dalje. Të mos shkelet”.
Gardendale, “Privat. Rrugë pa dalje. Të mos shkelet”.
"Waldrop Drive" është një rrugë, e cila vështirë se vihet re edhe nga banorët vendas. Është e pashtruar dhe gati e pabanuar, përveç një shtëpie në fund.

Shenjat e saj janë mezi të lexueshme dhe të zbehura nga dielli në Teksas. Por, në një distancë më të shkurtër, një tjetër shenjë poshtë rrugës lexohet. Me shkronja të errëta shkruan: “Privat. Rrugë pa dalje. Të mos shkelet”.

Shtëpia në fund të rrugës i përket Laura dhe Alan Shattos - dy prej rreth 1,600 banorëve të rajonit rural Gardendale, në Teksas.

Një mesazh i regjistruar në makinën e tyre thotë:

“Nëse jeni gazetar apo agjenci lajmesh, nuk kemi komente”.

Muajin e kaluar, një autoambulancë ka nxituar në këtë shtëpi, pasi trevjeçari Max, njëri nga dy djemtë e birësuar të çiftit në Rusi, ka qenë keq. Max tani është i vdekur dhe i varrosur. Rasti i vdekjes së tij ka marrë dhenë, duke e vënë Gardendalen e vogël në qendër të një drame ndërkombëtare.

Zyrtarët rusë kanë akuzuar këtë javë Laura Shatton për “vrasje”, duke shkaktuar “tërbim” të mediave. Ata e kanë përmendur rastin si justifikim për ndalesën që u kanë vënë së fundmi birësimeve nga shtetasit amerikanë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka kërkuar që të mos dilet me konstatime, derisa të vazhdojë procesi i hetimeve. Derisa shumëçka mbetet mister, zyrtarët lokalë thonë se raporti mjekësor për vdekjen e Max Shattos është i pashmangshëm.

Shirley Standefer është shefe e mjekësisë ligjore në qarkun Ector. Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka arritur në Qendrën Spitalore në Odesa jashtë Gardendales, pasi që mjekët kanë konstatuar vdekjen e Max Shattos më 21 janar, në orën 17:43. Ajo ka thënë se ka parë trupin para se të dërgohej në autopsi.

Shirley Standefer
Shirley Standefer
“Kemi parë shenja të mavijosura. Ka pasur të tillë në trupin e tij. Por, unë nuk jam mjeke dhe nuk mund të them se nga i kanë ardhur ato”, thotë Standefer.

Raporti preliminar i autopsisë është gati, por mbetet privat. Standefer ka thënë se zyra e saj ka bërë përpjekje të përshpejtojë analizën përfundimtare të pas-vdekjes.

Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se shefi i ekzaminimeve mjekësore në qark, Nathan Gallowya, ka marrë rezultatet e plota toksikologjike. Ai duhet të jetë i gatshëm të nxjerrë një raport zyrtar, në fillim të javës së ardhshme, për shkakun dhe mënyrën e vdekjes së fëmijës, ka thënë Standefer. Raporti mund të tregojë për vrasje, aksident, shkaqe natyrore apo shkaqe të papërcaktuara.

Standefer ka thënë se ajo dhe një hetues nga Zyra e Sherifit Lokal kanë marrë në pyetje Laura dhe Alan Shatton në spital. Ajo tregon se Laura ka qarë dhe është dridhur, por ka qenë “e gatshme” kur është pyetur.

“Sipas dëshmisë së nënës, Max është gjetur jashtë shtëpisë”, thotë Standefer. “Ajo ka qenë jashtë duke shikuar dy djemtë dhe është dashur të futet brenda për të përdorur banjën. Ajo ka thënë se kur ka dalë jashtë, ka gjetur Maxin në tokë…”.

Sherifi Mark Donaldson
Sherifi Mark Donaldson
Mark Donaldson, sherifi i Qarkut Ector, ka konfirmuar dëshminë e Standeferit për intervistën. Ai ka thënë se zyra e tij ka marrë një njoftim nga Departamenti lokal për Zjarre më 21 janar, se një auto-ambulancë është dërguar në shtëpinë e Shattos, për shkak të “arrestit të mundshëm kardiak”. Ai, po ashtu, ka refuzuar të flasë për rezultatet preliminare të autopsisë. Zyra e tij nuk ka ngritur asnjë padi në këtë rast.

Donaldson ka thënë se këshilltari i lartë në Ambasadën e Rusisë në Uashington, Sergey Chumaryob, ka vizituar zyrën e tij në ditët e fundit.

Pavel Astakhov, komisionar për të drejta të fëmijëve në Rusi, ka kërkuar këtë javë që t’iu lejohet zyrtarëve rusë “të shohin materialet e rastit dhe të marrin pjesë në formulimin e ndjekjes penale”. I pyetur për përgjigje, Donaldson ka thënë se “kjo nuk do të ndodhë”.

“Ky fëmijë është fëmijë nga Teksasi. Ka jetuar në Teksas. Ka jetuar në qarkun tim dhe interesi im këtu është të zbulohet se çfarë ka ndodhur. Puna ime është t’i arrestoj ata nëse shoh se ka diçka. Ajo çfarë thotë Rusia, është një lojë tjetër topi. Unë e kuptoj se ata mendojnë se këto gjëra mbulohen, fshihen nën qilim dhe nuk i heton askush. Por, ky (departamenti) nuk është duke hetuar një fëmijë rus, është duke hetuar një fëmijë të Teksasit që ka vdekur. Ne do të bëjmë më të mirën tonë”, ka thënë Donaldson.

Shërbimi për Mbrojtjen e Fëmijëve në Teksas është, po ashtu, i përfshirë në rastin. Zëdhënësi Paul Zimmerman ka thënë se agjencia ka pranuar akuza për “abuzim fizik dhe mbikëqyrje të pakujdesshme”, të Max Shattos rreth kohës kur ka ndodhur vdekja. Ai nuk ka pranuar të thotë se kush i ka bërë akuzat.

Derisa faktet mbeten të paqarta, zyrtarët lokalë kanë shprehur shqetësim me deklaratat e Moskës.

Ekzaminuesja mjekësore, Standefer, thotë se do të donte të dinte se ku i marrin rusët informacionet për autopsinë e Max Shattos dhe deklarojnë se fëmija ka pasur dëmtim të organeve të brendshme dhe është droguar.

“Ka qenë absurde dhe vazhdon të jetë. Është vërtet e trishtuar dhe e frikshme”, thotë Standefer.

Ndërkohë, kanë nisur të shfaqen të dhëna edhe për Laura Shatton dhe birësimin e Maxit, të lindur Maksim Kuzmin, dhe gjysmë-vëllait biologjik, dyvjeçarit Kristopher, të lindur Kirill, nga një jetimore në Pskov të Rusisë.

Kush është Shatto?

Shatto, e cila është në të 40-at e saj, ka ligjëruar për ekonominë në Midland High School, rreth 30 kilometra jashtë Gardendales. Drejtuesi i shkollës, Jeff Horner, ka thënë se ajo ka lënë pozitën në qershor të vitit 2012, pasi ka punuar atje për më shumë se pesë vjet. Ai ka thënë se Shatto ka bërë të ditur se është duke bërë përpjekje të birësojë fëmijë nga Rusia.

Arin Thomas, e sapodiplomuar në këtë shkollë, ka siguruar për Radion Evropa e Lirë disa informacione për Shatton.

Midland High School
Midland High School
“Na ka treguar dosjet e birësimit”, thotë Thomas, e cila ka qenë studente në klasën e Shattos më 2011. “Ajo ka qenë vërtet e lumtur dhe na ka treguar fotografitë e djemve të saj. Ajo ka qenë njëra nga ato mësueset e afërta, të cilat ndajnë historitë e tyre personale”, thotë Thomas.

Po sipas saj, Shatto është larguar në vitin shkollor 2011-2012 për të vizituar fëmijët e saj të ardhshëm në Rusi. Shatto u ka thënë studentëve se planifikon të heqë dorë nga ligjërimi për t’u kujdesur për fëmijët e saj, rrëfen Thomas.

Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë raporton se familja Shatto ka birësuar fëmijët përmes Qendrës "Gladney", me seli në Teksas, në fund të vitit 2012. Agjencia i ka thënë Radios se është e obliguar me ligj për të mos konfirmuar dhe as mohuar raportin.

Thomas, po ashtu, thotë se Shatto i ka sjellë bijtë e birësuar për vizitë në shkollë, në fund të vitit 2012.

“Ka qenë e mirë, qesharake dhe shumë miqësore. Nuk mendoj se ka bërë atë që ata thonë se ka bërë”, shprehet Thomas.


Raportet me fqinjët

Në Gardendale, tre fqinj të intervistuar kanë thënë se çifti Shatto, sikur edhe familjet e tjera në komunitet, ka qenë i mbyllur. Megjithatë, kanë thënë se kanë qenë të befasuar kur kanë mësuar se familja ka birësuar fëmijë, ndonëse nuk i kanë parë kurrë.

Në Glendale Grocery, njërin nga dy dyqanet e Gardendales, vendasit pyeten se çfarë do të bëhet me Kristopherin, djalin e dytë të familjes Shatto.

Zimmerman, nga Shërbimi për Mbrojtjen e Fëmijëve në Teksas, thotë se Kristopher Shatto është “i sigurt”, “ në shtëpi” dhe vizitohet kohë pas kohe nga punëtorët në këtë rast.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Moskë dhe Donaldson kanë specifikuar se djali është nën kujdesin e babait të tij. Ata nuk kanë dhënë më shumë hollësi.

Zyrtarët rusë kanë kërkuar që Kristopher Shatto të kthehet në Rusi. Yulia Kuzmina, nëna biologjike e Maxit dhe Kristopherit, ka lëshuar një apel televiziv për presidentin rus, Vladimir Putin, më 21 shkurt, për ta ndihmuar për ribashkimin e saj me djalin. Kuzmina ka humbur kujdestarinë mbi djemtë e saj për shkak të neglizhencës dhe pijes së tepruar.(v.tela)
XS
SM
MD
LG