Ndërlidhjet

Stefanoviq: Serbia s'ka struktura të organizuara sigurie në Kosovë


Borko Stefanoviq
Borko Stefanoviq
Ish-kryenegociatori serb në dialogun teknik me Prishtinën, Borisllav Stefanoviq pranon në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se mund të ketë struktura të MUP-it të dikurshëm në territorin e Kosovës, por se ato nuk kanë formacion të veprimit, e as zinxhir komandues.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Stefanoviq, çka duhet pritur nga takim i radhës në Bruksel, mes kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë?

BORISLLAV STEFANOVIQ
Para së gjithash, që të caktohet simetria e ardhshme e autonomisë së serbëve në Kosovë, që do të thotë organizimi i tyre, dhe përgjegjësitë që do të kenë atje. Pra, në çfarë mënyrë dhe si do të trajtojnë të dyja palët, praninë e institucioneve serbe në Kosovë, se a do të jenë ato pjesë e të ashquajturit shtet i pavarur i Kosovës, apo si pjesë e Kosovës që është një vend autonom i padefinuar në kuadër të Serbisë.

Prandaj, kjo tani ka ende shumë të panjohura për secilin që po përcjellë këto procese, dhe vlerësoj se as opinioni në Prishtinë, e as në Beograd, nuk e dinë mjaftueshëm se për çka ka pajtim dhe cilat janë rezultatet e mundshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur mohim nga ana e Beogradit, kurse pohim në Prishtinë, se do të zhbëhen ato institucione të sigurisë në Kosovë që i financon Qeveria e Serbisë. A mendoni se mund të ketë lëvizje në këtë drejtim?

BORISLLAV STEFANOVIQ
Mendoj se në këtë aspekt, qeveria jonë e ka thënë të vërtetën. Pra, ne nuk kemi kurrfarë struktura të sigurisë në Kosovë, të cilat funksionojnë në atë mënyrë si e paraqet Prishtina. Ka njerëz të cilët, ose ishin të punësuar në MUP dhe tani faktikisht janë të papunë, por ata nuk kanë asnjë lloj formacioni të veprimit, dhe as që ekziston ndonjë zinxhir komandues.

Unë e di se në Prishtinë mendojnë ndryshe. Por, fatkeqësisht, ngjarjet fatkeqe në Kosovë e vërtetojnë se struktura të tilla nuk ekzistojnë. Sepse po të ekzistonin ato, supozoj se nuk do të kishte incidente të tilla dhe dhunë. Por sidoqoftë, mendoj se edhe kjo gjë, do të jetë pjesë e zgjidhjes në Bruksel.

Natyrisht se ne [Partia Demokratike], mbështesim të gjitha ato lëvizje që çojnë kah zhvillimi pozitiv i ngjarjeve, stabilizimit të mundësive, dhe rregullimit të raporteve me Prishtinën, të cilat qëndrojnë për një kohë të gjatë të ngrira.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë realisht prisni nga Prishtina, sepse ju vetë keni drejtuar për më se një vit bisedime të tilla me Prishtinën, dhe a vlerësoni se qeveria e re në Beograd ka disponim që të gjejë zgjidhje me Prishtinën?

BORISLLAV STEFANOVIQ
Kjo do të varet nga vullneti i bashkësisë ndërkombëtare, dhe deri diku nga vullneti i Prishtinës, që të arrihet një marrëveshje e cila do të ishte e qëndrueshme, para se gjithash, [një marrëveshje] e pranueshme për qytetarët në terren, serbët e Kosovës, e që do të sillte paqe dhe prosperitet në këtë rajon ku jetojmë.

Mendoj se Prishtina, edhe mëtutje, është ende kushtimisht e ngurtë në qëndrimin e saj. Deklaratat që japin zyrtarët në Prishtinë, nuk janë shpresëdhënëse në asnjë mënyrë, dhe do të shohim se si do t’i demantojë ata koha.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se qeveria e re në Beograd është e gatshme që të kosovarizojë, ta themi ashtu kushtimisht, institucionet që ajo ka në territorin e Kosovës? Madje edhe ato të sigurisë, edhe pse ka polemika aty - këtu, si nga faktori ndërkombëtar, si në Serbi dhe në Kosovë, se a ka apo jo institucione të sigurisë!?

BORISLLAV STEFANOVIQ
Unë mendoj se kjo qeveri është e gatshme që të bëjë shumë më shumë sesa ishte e gatshme ajo e Mirko Cvetkoviqit dhe Boris Tadiqit! Në këtë drejtim, tashmë veç po shihet qartë se shumë gjëra që kërkohen nga qeveria e Serbisë, ato pranohen qysh në start.

Unë supozoj se edhe në qarqet intelektuale në Prishtinë, shohin nga i njëjti kënd, vlerësojnë edhe qeverinë e Hashim Thaçit. Mendoj se kemi dy kryeministra, që gjenden në probleme të mëdha politike, me kredibilitetit të njollosur, që bëjnë shumë më shumë se sa që dikush kërkon prej tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Një pyetje esenciale është se a duhet të kosovarizohen ato institucione që ka Serbia në Kosovë?

BORISLLAV STEFANOVIQ
Mendoj se jo. Mendoj se para se gjithash, ato duhet të jenë institucione që serbët e Kosovës i konsiderojnë si të tyre, e që ato në asnjë mënyrë të mos prejudikojnë mënyrën se qysh i sheh Prishtina e qysh Beogradi. Mendoj se këtu, paqartësia konstruktive mund të luajë rol shumë të mirë.

Kjo është një prej atyre situatave, ku të dyja palët mund të lexojnë ndryshe statusin e tyre. Problemi qëndron në atë se ka shumë ngatërresa, moskuptime, dhe lexim të ndryshëm të gjithë asaj që dakordohet. Problem tjetër është se as opinioni nuk e di se për çka është marrë vesh.

RADIO EVROPA E LIRË
Paqartësi ka pasur edhe për marrëveshjen që keni bërë për IBM [Menaxhimin e Integruar të Kufirit]! Po thoni se kështu dykuptimëshe duhet të jetë marrëveshja?

BORISLLAV STEFANOVIQ
Po. Opozita jonë atëherë, sulmonte fuqishëm marrëveshjet tona! Kurse tani, po më duket se gjëja e parë për të cilën janë pajtuar, është pikërisht modeli ynë i zgjidhjes së problemeve. E të mos flasim për atë, se ne as 50% nuk kemi shkuar aq larg me kompromise, sa këta [qeveria] të së sotmes.
XS
SM
MD
LG