Ndërlidhjet

DASH: Kosova vend transit i narkotikëve


Ilustrim
Ilustrim
Kosova vazhdon të mbetet vend transit për narkotikët e destinuar për Evropën, por nuk është prodhuese thelbësore substancash narkotike, thuhet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, që titullohet Raporti për Strategjinë Ndërkombëtare për Kontrollin e Narkotikëve.

Raporti vjetor mbulon periudhën e vitit 2012.

Në të thuhet se përpjekjet për të luftuar kontrabandimin e narkotikëve, Kosova i koordinon bazuar në Strategjinë Kombëtare Kundër Drogave dhe Planin e Veprimit.

Në nëntë muajt e parë të vitit 2012, marihuana ishte substanca më e konfiskuar nga autoritetet e rendit (1,091.4 kg) , pastaj heroina (51.5 kg) dhe kokaina (7.2kg), një rritje thelbësore në krahasim me vitin 2011.

“Faktorët që ndikojnë në përpjekjet e Kosovës për të luftuar trafikun e narkotikëve kanë të bëjnë me lokacionin gjeografik, mungesën e kontrollit mbi komunat veriore, ekonominë e dobët dhe sistemin joefektiv tgë menaxhimit të kufirit”, thuhet në raport.

“Nuk ka vlerësime gjithëpërfshirëse për përdorimin e drogës në Kosovë. Bazuar në informacionet e disponueshme, shumica e përdoruesve janë mashkuj të moshës 18 deri në 35 vjeç dhe marihuana është substance më e shfrytëzuar”, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan, në të cilin nënvizohen edhe përpjekjet e ministrive të shëndetësisë dhe arsimit, autoriteteve të rendit dhe organizatave joqeveritare për vetëdijësimin e popullatës mbi rreziqet e përdorimit të drogës.

“Të vlerësosh shkallën deri në çmasë ndikon korrupsioni në trafikun e drogës në Kosovë, është e vështirë. Ndonëse ligjet ndalojnë korrupsionin e ndërlidhur me narkotikët, ka pandehje se narkotikët qarkullojnë nëpër kufijtë e Kosovës nëpërmjet kamionëve, autobusëve dhe makinave private, me raste me ndihmën e zyrtarëve doganorë që pranojnë mito”.

Raporti përfundon me një përmbledhje mbi bashkëpunimin dhe këmbimin e informacioneve ndërmjet Kosovës dhe vendeve fqinje, në takime joformale.

Në këtë kuadër, nënvizohet edhe bashkëpunimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara në çështjen e luftës kundër drogës , duke përfshirë këtu ndihmën teknike dhe trajnimet që ofrojnë për Kosovën, programet e ndryshme të Shteteve të Bashkuara. (a.v.)
XS
SM
MD
LG