Ndërlidhjet

Jacobson: Asociacioni në përputhje të plotë me Kushtetutën


Tracey Ann Jacobson
Tracey Ann Jacobson
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka shprehur sërish mbështetjen e plotë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për dialogun që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.



Zonja ambasadore i ka dhënë këto komente në një bisedë të shkurtër me Radion Evropa e Lirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Lidhur me negociatat që po zhvillohen, bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, a po shihni një kompromis të mundshëm ndërmjet dy palëve?

TRACEY ANN JACOBSON
Jam shumë e lumtur që të kem rastin, që sërish të shpreh mbështetjen e plotë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, për dialogun e sponsoruar nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Duke iu falënderuar lidershipit të kryeministrit Thaçi, punës së madhe të të dyja palëve, dhe përpjekjeve të mëdha nga BE-ja dhe Baronesha Ashton personalisht, ky dialog ka të gjitha gjasat që të ketë sukses.

Normalizimi i raporteve me Serbinë, do të nënkuptojë përmirësimin e kushteve të jetës së të gjithëve qytetarëve, përfshirë ata në veri, dhe do të shtojë mundësitë për një zhvillim të vazhdueshëm ekonomik.

Siç është bërë e ditur në qëllimet dhe kërkesat e konkluzioneve të Këshillit të Evropës, normalizimi i raporteve, po ashtu, është kërkuar nga të dyja shtetet, në mënyrë që të ecin drejt integrimeve evropiane.

Ka ende shumë gjëra në agjendë. Kemi dëgjuar shumë diskutime ditëve të fundit, për këtë idenë e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që do të ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Dhe, shpresoj se do të shohim lëvizje para për këtë gjë, dhe temat tjera kyçe, siç është zhbërja e strukturave paralele të sigurisë, gjatë ditëve të ardhshme.

E di se kjo është një detyrë e vështirë, dhe ne vërtet e vlerësojmë vullnetin e mirë të shprehur nga të gjitha palët për të çuar përpara këtë gjë.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka gjasa që ky asociacion të ketë pushtet ekzekutiv?

TRACEY ANN JACOBSON
Nuk dua të hyj në detaje. Ne kemi dëgjuar mjaft qartë atë që ka thënë Qeveria e Kosovës dhe kryeministri.

Nuk do të ketë pushtet ekzekutiv ose zgjedhje të drejtpërdrejta. Ne e kuptojmë dhe respektojmë këtë. Por, kjo është vërtet diçka që po negociohet në Bruksel, nën drejtimin e BE-së, me pjesëmarrjen e dy kryeministrave.
XS
SM
MD
LG