Ndërlidhjet

Qendra e re Botërore Tregtare ngrihet nga hiri


Qendra e re mbi gërmadhat e dikur Kullave Binjake
Qendra e re mbi gërmadhat e dikur Kullave Binjake
Ditën kur ranë Kullat Binjake, prefekti i New York-ut, Rudy Giuliani, pati deklaruar se ato do të ngrihen përsëri.

“Ne do t’i rindërtojmë”, pati deklaruar Giuliani, pas sulmeve terroriste që përmbysën rrokaqiejt ikonë të Qendrës Botërore më 11 shtator të 2001.

“Ne do të dalim më të fortë sesa më parë, më të fuqishëm politikisht dhe ekonomikisht. Rrokaqielli do të ngrihet i tëri sërish”.

Më shumë se një dekadë më vonë, një Qendër e re Tregtare ose “Kulla e Lirisë” është kompletuar pothuajse.

Ndërtesa kolosale, që ngrihet mbi horizontin në Manhattan, së shpejti do të kurorëzohet me një majë, që do ta bëjë atë ndërtesën më të lartë në hemisferën perëndimore.

Pjesa përfundimtare e majës 124-metërshe pritet të dërgohet në vendin ku ka qenë Qendra Botërore Tregtare. Atje ajo do të vendoset në tokë, derisa të mbajë kohë e mirë, për ta ngjitur lart.

Pas përfundimit të Qendrës Tregtare Botërore, ajo do të qëndrojë në lartësinë prej 1.776 këmbë (541 metra) - masë kjo që simbolizon vitin kur Amerika shpalli pavarësinë.

Dizajni gjeometrik i rrokaqiellit u zgjodh nga më shumë se 2 mijë oferta dhe për shumë simbolizon kapacitetin e Nju Jorkut për t’u rimëkëmbur nga sulmet e 11 shtatorit.

Rena Gregory, një sekretare 30 vjeçe e një shkolle fillore në Brooklyn, ka qenë në shkollën në afërsi të Qendrës Tregtare Botërore, kur dy kullat e saj kryesore u goditën nga avionët e rrëmbyer.

Për Gregorin, Kulla e re e Lirisë përfaqëson fuqinë e vetë njujorkezëve:

“Unë mendoj se kjo do të jetë diçka që do të mbetet si kujtesë se ne jemi elastikë, dhe se asgjë nuk mund të na kthejë prapa”.

Rene Herrera, një 28-vjeçar i Teksasit, që vizitonte Nju Jorkun me të vëllanë, dukej pothuajse pa fjalë, duke u përpjekur të përshkruante rëndësinë e kullës për të.

“Është një ndjenjë e frikshme, të jesh këtu dhe ta shohësh këtë gjë. Është mirë që janë ndërtuar, shumë e mirë. Ju shikoni në televizion, por pastaj ju vini këtu dhe sheh diçka krejt të ndryshme. Më pëlqen. Është shumë e bukur”, u shpreh Herrera.

Khabir John McGeehan, një mysliman 56-vjeçar, që punon në reklamim, foli për Radion Evropa e Lirë nga Farah Al Dergah, një xhami sufi pranë sheshit të ndërtimit.

Ai tha se Qendra Botërore Tregtare është memorial më kuptimplotë sesa vetë kullat. Memoriali është i përbërë nga dy sheshe masive pikëlluese, që gjenden në vendin e kullave me ujëvarat që derdhen poshtë në pishinë. Uji pastaj zhduket në një pishinë të dytë, më të vogël, që duket e pafund dhe përfaqëson humbjen shkatërruese të jetës.

"Nga ajo që kam dëgjuar, arsyetimi i rindërtimit të sërishëm i kullës - është vetëm shfaqja e shpirtit amerikan, që është i pathyeshëm, dhe se do të ngrihet përsëri gjëra të tilla. Unë nuk mendoj tamam kështu. Jam kundër kësaj. Unë jam neutral. Mua më pëlqen që e kanë rrethuar zonën ku ishin kullat dhe e bënë një memorial të bukur që është shumë prekës dhe i respektueshëm”, u shpreh McGeehan.

Bankeri 27-vjeçar, Johni nga Bronksi, refuzoi të japë mbiemrin, duke shprehur kështu cinizmin që lidhet shpesh me njujorkezët.

“Kjo është një kullë”, tha ai.

“Çfarë të mendoj për të? Çfarë do të përfaqësojë? Vetëm paratë dhe politikën”. (a.i.)
XS
SM
MD
LG