Ndërlidhjet

Papa Françesku mban lutjen e parë engjëllore


Papa Françesku
Papa Françesku
Papa Françesku është paraqitur para më shumë se 100,000 njerëzve në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë, për lutjen e tij të parë engjëllore.

Kreu i Kishës Katolike i është drejtuar masës nga dritarja e apartamentit të papatit, i cili qëndron sipër sheshit.

Ndryshe nga tradita, Papa nuk ka lexuar fjalimin e shkruar, por ka folur spontanisht për fuqinë e Zotit për të falur.

“Mesazhi i Jezusit është mëshira. E them me përulësi se ky është mesazhi më i fuqishëm i Zotit: Mëshira”, ka thënë Françesku.

Kjo ka qenë lutja e parë engjëllore e tij prejse është zgjedhur në krye të Selisë së Shenjtë, më 13 mars.

Në këtë detyrë, Françesku I pason Benediktin XVI, i cili muajin e kaluar ka hequr dorë nga detyrat e papatit, për shkak të problemeve me shëndetin.

Françesku është papa i parë nga Amerika Latine dhe në turmën e tubuar të dielën në Romë kanë dominuar flamujt e vendlindjes së tij - Argjentinës.

“U dërgoj përshëndetje të përzemërta të gjithë pelegrinëve. Faleminderit për mirëpritjen dhe lutjet tuaja. Ju kërkoj të vazhdoni të luteni për mua”, ka thënë Françesku.

Të shtunën, kreu i ri i Kishës Katolike ka folur për herë të parë edhe me gazetarët në Vatikan.

Në takimin me ta, pos tjerash, ka bërë të ditur se emri i tij papnor është në kujtim të Shën Françeskut të Asisit në shekullin XIII, i cili “ka qenë njeri i varfërisë dhe i paqes”.

Papa ka folur edhe sot për këtë, duke vënë theksin mbi rrënjët e tij italiane.

“Kam zgjedhur emrin e mbrojtësit të Italisë, Shën Françeskut të Asisit, për të forcuar lidhjet e mia shpirtërore me këtë vend, ku, siç e dini, familja ime ka origjinën”, ka thënë papa.

Menjëherë pas adresimit të së dielës, Françesku ka bërë cicërimën e parë në Twitter në cilësinë e papës, duke shkruar:

“Të dashkur miq, ju falënderoj nga zemra dhe ju kërkoj të vazhdoni të luteni për mua. Papa Françesku”.(v.t.)
XS
SM
MD
LG