Ndërlidhjet

Ndërhyrja e ligjvënësve në drejtësi, e palejueshme


Ilustrim
Ilustrim
Presidenca e Republikës së Kosovës e sheh si ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit debatin në Kuvendin e Kosovës, për atë që njihet si rasti "Kiçina".

Të martën, Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë debatin e të premtes së kaluar, për formimin e një komisioni ad hoc për verifikimin e shkeljeve procedurale dhe të drejtave dhe lirive të njeriut në rastin "Kiçina".

Vëllezërit Arben dhe Jeton Kiçina, si dhe Arsim dhe Burim Ramadani, po vuajnë dënimin prej 106 vjetësh burgim.

Ata akuzohen se në vitin 2001, në Baicë të Drenasit, kanë vrarë ish-inspektorin e policisë, Hamzë Hajrën, bashkë me katër anëtarë të familjes së tij.

Të katër të dënuarit janë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një përgjigje me shkrim, dërguar Radios Evropa e Lirë, nga Zyra e presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, thuhet se "debati në Kuvendin e Republikës së Kosovës për një rast gjyqësor konsiderohet ndërhyrje në pavarësinë e punës së gjykatave, sepse Kuvendi i Kosovës nuk e ka as mandatin, e as mekanizmat për ballafaqimin me prova".

"Ky rast është një precedent i keq dhe shkelje e vet rregullores së Kuvendit për vënien në rend të ditës për raste të tilla".

Në të thuhet, gjithashtu, se "është mirë që debati nuk ka prodhuar asnjë efekt praktik".

"Republika e Kosovës është shtet i rendit dhe i ligjit me pushtetet e ndara legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Pavarësia e Gjyqësorit është një nga vlerat e shoqërisë sonë demokratike dhe garant i funksionimit të sistemit".

"Ndarja e pushteteve kontribuon edhe në luftën efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të gjitha dukurive negative në shoqëri që janë pengesë për zhvillimin demokratik dhe të ardhmen tonë".

"Kuvendi si organi më i lartë ligjvënës pikërisht duhet ta mbrojë dhe ta ruajë pavarësinë e institucioneve të pavarura të gjyqësorit",
thuhet në përgjigjen e Zyrës së presidentes së Kosovës.

Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme të hënën. Duke shqyrtuar debatin e zhvilluar në Kuvendin e Kosovës lidhur me rastin penal gjyqësor “Kiçina” , ka miratuar një rezolutë, duke konsideruar se “çdo diskutim i një vendimi konkret gjyqësor, paraqet përzierje të palejueshme dhe me këtë bëhet shkelje e ndarjes së sistemit gjyqësor dhe është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe rregullat ndërkombëtare”.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka reaguar, gjithashtu, gjatë ditës së hënë, mbi këtë rast.

“Debati i së premtes vetëm se konfirmoi kritikat e disave se udhëheqësit politikë të Kosovës tentojnë të ndikojnë në procedurat e sundimit të ligjit dhe të minojnë pavarësinë e gjyqësorit. Debati i vazhduar i Parlamentit për një çështje gjyqësore tashmë të gjykuar, i shërben vetëm dobësimit të mëtutjeshëm të institucioneve të Kosovës”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

Samuel Zhbogar, shef i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, është shprehur javën që shkoi i shqetësuar dhe i zhgënjyer me debatin parlamentar, lidhur me rastin “Kiçina”. (a.v.)
XS
SM
MD
LG