Ndërlidhjet

Lufta në Irak dhe pasojat në civilë


Ali Ismail Abbas ka qenë 12 vjeç kur ka nisur lufta në Irak, për të ndryshuar përgjithmonë jetën e tij.

Gjatë pushtimit, një raketë e Shteteve të Bashkuara ka shpërthyer pranë shtëpisë së familjes së tij, në jug të Bagdadit. Aliu ka rrëfyer rezultatet tragjike në një intervistë për revistën “Time”, në vitin 2011.

Flinim të gjithë. Ishte ora 12 e natës. Kemi dëgjuar vetëm zhurmë të madhe. Tavani dhe muret kanë rënë mbi ne dhe shtëpia është përfshirë nga flakët. Kam dëgjuar familjen time duke bërtitur dhe kam ndjerë zjarr mbi trupin tim. Nuk kam mundur të shoh asgjë. Kam humbur babanë, vëllain, nënën dhe 13 anëtarë të tjerë të familjes”.

Aliu ka humbur duart e tij dhe ka pësuar djegie në 60 për qind të trupit. Mjekët në Bagdad nuk kanë menduar se do të gëzojë ditëlindjen e 13-të.

Pasi fotografitë e tij në një spital të kryeqytetit irakian janë publikuar anembanë botës, Aliu është bërë fytyra ikonë e pasojave të luftës te civilët e pafajshëm.

Vlerësimet për vdekjet civile në Irak ndryshojnë shumë, varësisht se kush raporton shifrat dhe si kanë hartuar informacionet.

Disa gjetje më të plota, që ka bërë projekti “Llogaritja e Trupave” në Irak, kanë vlerësuar se mbi 121,000 civilë irakianë kanë vdekur si rezultat i sulmeve të forcave të koalicionit dhe të militantëve, ashtu si edhe nga dhuna sektare dhe rritja e aktiviteteve kriminale, deri në vitin 2012.

Shifrat e publikuara nga revista britanike “The Lancet” tregojnë se afro 117,000 joluftëtarë irakianë kanë vdekur ndërmjet shpërthimit të luftës dhe tërheqjes së Shteteve të Bashkuara në dhjetor të 2011-ës.

Ministria për të Drejta të Njeriut e Irakut, ndërkohë, ka regjistruar 250,000 të lënduar irakianë në fund të vitit 2012.

Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë në Irak ka llogaritur se më shumë se 150,000 civilë janë vrarë si rezultat i luftës dhe luftimeve sektare nga mesi i vitit 2006.

Dokumentet e klasifikuara të ushtrisë së SHBA-së, të publikuara nga WikiLekas-i, kanë regjistruar mbi 66,000 vdekje civile nga viti 2004 deri në fund të 2009-ës – periudhë kur dhuna sektare ka arritur kulmin.

Aliu mezi ia ka dalë të mos përfshihet në listën e të vrarëve. Ai është dërguar në Kuvajt për trajtim, pasi historia e tij është bërë lajm ndërkombëtar dhe ka nxitur ndihma nga e gjithë bota.

Një organizatë bamirëse britanike, e quajtur “Shoqata pa Gjymtyrë”, ka ngritur një fond në emër të Aliut dhe e ka zhvendosur atë në Londër, së bashku me Ahmed Farhan, një djalë 14 vjeç, me të cilin Aliu është miqësuar në Kuvajt dhe i cili ka humbur një dorë dhe një këmbë në një sulm tjetër të SHBA-së.

Shoqata pa Gjymtyrë ka përdorur donacionet për të blerë proteza për dy djemtë.

Ata vazhdojnë shërimin, por edhe kanë nisur të luajnë futboll me ekipin e shoqatës – “L.A.Spurs” – nën drejtimin e trajnerit vullnetar, Dean Heffer.

Ky i fundit thotë se rimëkëmbja e Aliut ka qenë frymëzuese.

“Jam i sigurt se futbolli ka luajtur një rol të madh në rehabilitimin e tij, që të jetë në gjendje të dalë jashtë dhe të luajë lojën që do. Duke qenë edhe vetë invalid, kjo më ka ndryshuar jetën. Dhe, ne duam t’iu ndihmojmë invalidëve të tjerë që të ndjekin këtë rrugë”, thotë Heffer.

Në Britani, Aliu ka mësuar të shkruajë dhe të përdorë kompjuterin me këmbët e tij. Ai po ashtu ka mësuar të flasë anglisht, me ndihmën e donacioneve për të ndjekur shkollën Hall School Wimbledon.

Pas diplomimit, ka kaluar edhe testin për t’u bërë shtetas britanik më 2010.

Edhe pse vazhdon të jetojë në Londër, ai shkon çdo vit në Irak, ku është ribashkuar me motrat e tij të mbijetuara.

Në nëntor të vitit 2012, Aliu është martuar me miken e tij të fëmijërisë Ankam Hamza me një ceremoni tradicionale myslimane në Irak.(v.tela)

Dhjetë vjet nga ndërhyrja në Irak
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:47 0:00
XS
SM
MD
LG