Ndërlidhjet

Ekspertët: Ngecje në rritjen ekonomike të Kosovës


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Vonesat në privatizimin e ndërmarrjeve publike, rënia e investimeve të huaja të drejtpërdrejta, ulja e konsumit të përgjithshëm si dhe rënia e remitencave, kanë qenë faktorët kyç të cilët kanë bërë që Kosova të ketë ngadalësim të zhvillimit ekonomik, bëjnë të ditur njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Sidoqoftë, rritja ekonomike prej 3 për qind për vitin 2013 e parashikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar është pozitive, thonë ata, kur kihen parasysh ngecjet në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Naim Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë se parashikimet e FMN-së për rritje ekonomike 3 për qind është një sinjal i mirë për investitorët e jashtëm dhe për partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

Por se a është kjo rritje e mjaftueshme për të adresuar problemet thelbësore e që ka Kosova, Gashi jep më shuam hollësi.

Unë mendoj që institucionet e Kosovës, komuniteti i biznesit dhe shoqëria në përgjithësi duhet të bëjnë përpjekje sa më të mëdha që kjo rritje ekonomik të jetë më e lart në mënyrë që ne të zëmë hapin fillimisht me vendet e rajonit e më pas me vendet tjera të Evropës”, thekson ai.

Gashi thotë se të gjitha buxhetet e shteteve nuk mund të jenë të mjaftueshme për nevojat të cilat i ka një shoqëri e caktuar, duke përfshirë këtu edhe Kosovën.

Kosova gjatë tre viteve të fundit ka shënuar rritje më të lartë ekonomike se sa parashikimet e FMN-së për vitin 2013.

Gjatë tre vjetëve të fundit, ekonomia e Kosovës kishte përmbyllur vitet më rritje ekonomike mbi 4 për qind.

Gashi thekson se është pozitive kur thuhet se Kosova ka rritje ekonomike dhe jo rënie ekonomike.

Është pozitive që Kosova megjithatë vazhdon të ketë rritje ekonomike. Mendoj që këta parametra makroekonomik dhe financiar do të përmirësohen me rastin e privatizimit të Postë Telekomit të Kosovës dhe ndoshta sjelljes së investitorëve në sektorin e energjetikës, mirëpo në energjetik gjasat janë më të vogla që të kem diçka konkrete gjatë këtij viti”, shpjegon Gashi.

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve të Kosovës vlerësojnë se autoritetet kosovare urgjentisht duhet të bëjnë reforma ekonomike në fushën e politikave fiskale, në mënyrë që të krijohen mundësi më të mirë për zhvillim ekonomik të Kosovës e cila më pas do ët rezulton më rritja më të lartë ekonomike.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini thotë për Radion Evropa e Lirë se rritja ekonomike cika krahasuar me vitet e kaluara ka shënuar rënie ka ndikuar në varfërimin e ekonomisë së Kosovës dhe të mirëqenies së qytetarit të Kosovës.

Kjo vjen si pasojë e njërës nga krizat globale, pastaj kriza e eurozonës dhe krizat e brendshme të Kosovë për shkak të politikave jo të mira për zhvillimin e ekonomisë, uljes së eksportit dhe prodhimtarisë vendore. Të gjitha këto shkojnë në ngadalësimin e investimeve të huaja”, shprehet Shahini.

Për të pasur zhvillim ekonomik, Shahini vlerëson se Kosova duhet të jetë më atraktive për investitorët e huaj. Derisa ,vendet e rajonit kanë bërë politika më të mira ekonomike për tërheqjen e investimeve të huaja, Kosova siç thotë ai, nuk është duke bërë një gjë të tillë.

Derisa në Shqipëri kanë bërë reforma radikale, kanë larguar doganën dhe TVSH- në për lëndën e parë, kanë larguar të gjitha taksat për punëtorët e rinj deri në tri vjet dhe shumë reforma tjera, investitorët ndërkombëtarë vinë në Kosovë, por kur shohin këto reforma në Shqipëri ata shkojnë atje dhe largohen nga Kosova për arsye se këto politika janë më tërheqëse për investitorët. Kosova duhet të bëjë që të mos jetë vend transit i investitorëve, por të ndalen aty”, shpjegon Shahini.
XS
SM
MD
LG