Ndërlidhjet

Qiproja kërkon ndihmën ruse, Gjermania tërheq vërejtje


Qipro...
Qipro...
Ministri i financave i Gjermanisë, Wolfgang Schaeuble, ka tërhequr vërejtjen se bankat në Qipron ndoshta kurrë nuk do të mund të rihapen, derisa Ministri qipriot i financave, Michalis Sarris, kërkon ndihmë financiare nga Rusia.

Këto zhvillime po ndodhin, derisa Parlamenti i Qipros të martën e ka refuzuar marrëveshjen për ndihmë me kreditorët ndërkombëtarë në vlerë prej 10 miliardë eurosh, pas pakënaqësisë së gjerë brenda dhe jashtë Qipros, meqë në të përfshihej edhe një taksë në depozitat bankare.

Pasi Parlamenti i Qipros e refuzoi miratimin e marrëveshjes me kreditorët ndërkombëtarë, Ministri i financave i Gjermanisë, Wolgang Schaeuble, ka theksuar se dy bankat më të mëdha në Qipro janë të mbështetura për likuiditet emergjent nga Banka Qendrore Evropiane.

Sipas tij, “dikush duhet ta shpjegoj këtë te qipriotët”.

Ministri i financave i Holandës, Jeroen Dijsselbloem, që e kryeson Eurogrupin, po ashtu ka shprehur frustrim me refuzimin e marrëveshjes nga ana e Parlamentit të Qipros.

“Kjo është zhgënjyese, por njëherësh është e qartë se oferta nga Eurozona dhe Eurogrupi për qipriotët ende vlen. Kushtet, madhësia e pakos, dhe nevoja për shkurtimin e borxhit, po ashtu, ende vlen. Topi është në pjesën e terrenit të Qipros”, tha ministri holandez.

Ministri i financave i Qipros, Michalis Sarris, tha se vendi i tij do të kërkoj ndihmë financiare nga Rusia.

Në këtë kuadër, ai në Moskë tashmë është takuar me Ministrin e financave të Rusisë, Anton Siluanov, dhe me shefin e Bankës Qendrore të Rusisë, Sergei Ignatiev.

Pas takimit, ministri Sarris tha se janë të nevojshme më tepër bisedime “gjithkah”.

“Nuk ka pasur ofertë, asgjë konkrete. Ne po i vazhdojmë diskutimet. Jemi të kënaqur me fillimin e mirë”, tha Michalis Sarris.

Rusia ka interes special në problemet financiare të Qipros, pasi rusët e pasur i kanë afro 31 miliardë dollarë në bankat e Qipros.

Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, tashmë ka thënë se plani i propozuar për hua dhe taksa në kursime të klientëve është “jokorrekt, joprofesional dhe i rrezikshëm”.

Qeveria e Qipros po mban takime të jashtëzakonshme pasi parlamenti e refuzoi propozimin për ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Sipas propozimit, Qeveria qipriote është e obliguar të imponoj një taksë prej 9.9% për kursimet më të larta se 130 mijë dollarë, ndërsa për ata që në banka kanë kursime prej 26 mijë e deri në 130 mijë dollarësh, taksa do të ishte 6.75 % e kursimeve të tyre.

Shtetasit qipriotë kanë reaguar me tmerrim ndaj këtij propozimi dhe kanë filluar t’i tërheqin parat e tyre. Shuma maksimale që mund ta tërheqin është 1000 dollarë amerikanë ose 800 euro.

Bankat në Qipro nuk janë hapur prej se propozimi për marrëveshjen e kredisë është bërë publik, për shkak të shqetësimeve se kursimtarët do t’i tërhiqnin parat e deponuara në banka.

Mediat qipriote kanë raportuar se bankat nuk do të punojnë deri të martën e ardhshme. (f.bujupi)
XS
SM
MD
LG