Ndërlidhjet

Ndëshkimet e buta për armëmbajtje


Ilustrim
Ilustrim
Instituti i Kosovës për Drejtësi në kuadër të projektit të përbashkët të punës së Forumit për Iniciativa Qytetare, Institutin GAP dhe organizata Saferworld ka publikuar të mërkurën hulumtimin me titull “Krimi i rëndë, vetëm në letër – Politika e ndjekjes dhe dënimeve në rastet që ndërlidhen me armët”.

Ky studim, siç u tha në tryezën e organizuar me këtë rast, hyn në detajet e praktikës gjyqësore lidhur me zbatimin e sanksioneve kundër përdoruesve dhe poseduesve të paligjshëm të armëve.

Ferdinand Nikolla nga organizata Saferworld, ka theksuar se studimi i prezantuar më tepër i ka në cak institucionet e gjyqësisë.

U bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë, respektivisht gjyqësorit të Kosovës, që vërtetë ta marrin më seriozisht, ta trajtojnë më seriozisht, problemin e armëmbajtjes dhe posedimit të paligjshëm, ngase duket që fushatat për vetëdijesim apo sensibilizuese, sido që ti quajmë, nuk e arrijnë efektin e vet pa e pasur në anën tjetër krahun institucional”.

Ndryshe, hulumtimi i Institutit të Kosovës për Drejtësi nxjerr në pah se Veprat penale që ndërlidhen me armët janë ndër veprat më të shprehura në Kosovë.

Autori i hulumtimit, Betim Musliu tha se mesatarisht mbi 1 mijë e 500 armë konfiskohen brenda një viti nga policia në Kosovë dhe sipas tij, kjo dukuri është mjaft shqetësuese.

Lëndët lidhur me këtë çështje, sipas Musliut janë ndër më të lehtat për tu trajtuar nga sistemi i drejtësisë. Sipas tij, brengosës është fakti se, për dallim nga Kodi i vjetër penal, Kodi i ri penal ka zbutur lartësinë e dënimit me burgim efektiv nga 8 në 5 vjet, për posedim, kontroll dhe pronësi të armës pa leje valide.

Musliu theksoi se nga numri prej 1 mijë lëndëve që për çdo vit zgjidhen në gjykata, vetëm në 4 % të rasteve shqiptohet dënimi me burgim, ndërkaq që 80 për qind e dënimeve janë me gjobë, e cila sillet nga 400 deri në 1 mijë euro, si dhe mbi 10 për qind janë dënime me kusht.

Një politikë e dënimeve nuk ka arritur që ti zmbrapsë qytetarët nga mbajtja e armëve pa leje dhe njëkohësisht me këtë politikë janë pajtuar, në njëfarë forme, edhe hisedarët institucional, ku gjatë vitit 2010 dhe 2011 Gjykata Supreme ka pranuar vetëm 169 raste të armëmbajtjeve pa leje dhe 50 për qind e këtyre rasteve janë konfirmuar".

"Në njëfarë mënyre, po e shohim se, duke e parë që Gjykata Supreme po i konfirmon dënimet e Gjykatave të qarkut, atëherë prokurorët në njëfarë forme janë destimuluar dhe janë tërhequr që të bëjnë ankesa në Gjykatën Supreme
”, tha Musliu.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Aleksandër Lumezi, ka theksuar angazhimin e prokurorive në hetimin, ndjekjen dhe zgjidhjen e lëndëve që kanë të bëjnë me armëmbajtjen jolegale dhe keqpërdorimin e tyre.

Megjithatë, edhe ai, ka shprehur vullnetin për dënime më efektive ndaj kryerësve të këtyre veprave penale.

Vullneti ynë është që të kontribuojmë në përmirësimin dhe unifikimin e këtyre dënimeve, pa tendenca për të ndikuar në pushtetin gjyqësor, i cili është tërësisht i pavarur në procesin e vendim-marrjes së sanksioneve penale. Konsolidimi i sistemit gjyqësor nuk varet vetëm nga korniza ligjore, por edhe nga vullneti i mirë për të qenë i drejtë në një proces, gjatë shqiptimit të dënimeve”.

Edhe Shefqet Beqaj, drejtor i Departamentit të Operacioneve në Polici të Kosovës, ka shprehur mendimin se politikat ndëshkimore ndaj mbajtjes dhe përdorimit jolegale të armëve duhet të ashpërsohen.

Politika ndëshkimore e butë, mund të them, bën dhe ka bërë deri më tash që armët të mbahen, të ekspozohen, por edhe të keqpërdoren gjatë ahengjeve. Armët, të cilat mbahen, shpesh herë përdoren edhe për zgjedhjen e konflikteve, të cilat mund t’i quaj se janë shumë banale. Për shembull, ato i mbajnë të rinjtë në shkolla, i mbajnë të rinjtë nëpër kafene dhe gjatë ndonjë fjalosje nuk ngurrohet që ato të përdoren, të shkrepen, dikush të lëndohet e ngjashëm”, tha Beqaj.

Por, Avdi Dina, gjykatës në Gjykatën Supreme ka reaguar duke thënë se përpjekjet për ti ashpërsuar politikat ndëshkimore, janë ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit.

Sipas tij, politika ndëshkimore pranë kësaj gjykate është e unifikuar në aspektin profesional. Ai tha se sipas dispozitës së nenit 328 të Kodit Penal të Kosovës, dënimet janë alternative, fillimisht dënim me të holla e më pas dënimi me burg.

Në këtë rast, sipas tij, është në dorën e gjykatësit të vlerësojë se cilin dënim do ta shqiptojë.

Do të thosha se kur flitet për ashpërsimin e politikës ndëshkimore, konsideroj se është një ndërhyrje në gjyqësor. Arsyeja se pse e them këtë është sepse gjykatat janë të pavarura. Edhe përkundër faktit se ekziston unifikuesi i praktikës gjyqësore, nuk ka askush të drejtë t’i përzihet në vendimin mbi dënimin, ngase Kolegji penal, i cili vendos çështjet, është i pavarur në vendosjen e secilit rast konkret".

"E them me përgjegjësi se në rastet kur ka qenë sasi e madhe e armëve, tregtia me armë, përdorimi i armëve në mënyrë kërcënuese, asnjë rast nuk ka shpëtuar pa burg efektiv”, u shpreh Dina.

Por, Musliu thotë se në rastin për të cilin po diskutohet askush nuk po tenton ta rrezikojë pavarësinë e gjyqësorit.

Në fakt, nuk është kështu, sepse politika e dënimeve nuk është adekuate. Vepër penale është armëmbajtja pa leje dhe nëse është vepër penale, atëherë, nga gjyqësori i Kosovës nuk është trajtuar si vepër penale, por është trajtuar si vepër kundërvajtjeje".

"Pra, në pjesën dërmuese të dënimeve që janë shqiptuar për armëmbajtje, kanë qenë dënime me gjobë prej 400 deri në një mijë euro, e që i bie se politika e dënimeve ka qenë absolutisht jo adekuate”, tha Musliu.

Ndryshe, në hulumtimin e Institutit Kosovar për Drejtësi janë shënuar edhe rekomandimet në mënyrë që përgjigja e organeve të drejtësisë të jetë më adekuat ndaj krimeve që ndërlidhen me armët. Këto rekomandime u adresohen Policisë së Kosovës, Prokurorisë së shtetit, Gjykatave, si dhe Ministrisë së drejtësisë.
XS
SM
MD
LG