Ndërlidhjet

Borg Olivier: Ulësja në OKB, pas marrëveshjes me Serbinë


OKB
OKB
Një marrëveshje e nënshkruar Kosovë-Serbi, e cila tekstualisht thotë se nuk pengohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, do të lehtësonte aplikimin në Kombet e Bashkuara. Por kjo sipas një ish-zyrtari të OKB-së, nuk duhet bërë para se Kosova të mbledh më shumë se 100 njohje ndërkombëtare, të cilat do të ndikojnë edhe në zbutjen e qëndrimit të Rusisë dhe Kinës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-shefi i Shtyllës së Parë të UNMIK-ut për Drejtësi, Alexander Borg Olivier, shpjegon hapat që Kosova duhet t’i ndërmerr për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Borg Oliver, na thoni se si mundet BE-ja të ndihmojë Kosovën dhe Serbinë që të normalizojnë raportet e tyre, në mënyrë që Kosova të fitojë ulësen në OKB?

ALEXANDER BORG OLIVIER
Unë do t’i ndaja çështjet, ulësen në OKB-më nga ajo se si mundet BE-ja të ndihmoj normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Është e qartë se duke ndihmuar normalizimin, BE-ja ka pozitën më të mirë për këtë qëllim, dhe sigurisht se mund të bëjë shumë për të ndihmuar të dyja vendet.

Çështja e anëtarësimit në OKB, është diçka që është shumë, shumë e rëndësishme për Kosovën. Është më pak e rëndësishme për BE-në. BE-ja dëshiron që të zgjidh një çështje brenda Evropës, në mënyrë që të mos ketë probleme të vazhdueshme, vështirësi, dhe destabilitet në rajonin e vet.

Natyrisht se parakusht që BE-ja të ketë sukses, është bashkëpunimi i Kosovës. Andaj, duhet shikuar saktësisht se cilat janë qëllimet e Serbisë, synimet e saj, Dhe në anën tjetër cilat janë objektivat e Kosovës, dhe interesat e saj.

Nëse kjo mund të balancohet, mendoj se BE-ja mund të bëjë shumë për të baraspeshuar këto interesa, kështu dialogu mund të jetë i suksesshëm për të gjithë.

Brenda këtij procesi të dialogut, Kosova duhet të bëjë çka do të mundet që të shtoj numrin e njohjeve në botë, dhe të hapë rrugën për anëtarësim në të gjitha organizatat e mëdha ndërkombëtare, por para se gjithash në OKB. Sepse të jesh anëtar i Kombeve të Bashkuara, është çelësi dhe hapja e të gjitha anëtarësimeve tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mund të bëhet Kosova anëtare e OKB-së?

ALEXANDER BORG OLIVIER
Kosova mund të anëtarësohet duke siguruar mbështetje brenda Kombeve të Bashkuara. Kjo mbështetje në OKB, nënkupton 2/3 e votave në Asamblenë e Përgjithshme. Por ato 2/3 e votave duhet të procedohet nga një rekomandim që vjen nga Këshilli i Sigurimit. Pra, asnjë shtet nuk mund të bëhet anëtare e OKB-së, nëse nuk gëzon mbështetje të mjaftueshme politike, që sinjalizon se do të ketë 2/3 e votave në favor të saj kur çështja sillet para Asamblesë së Përgjithshme.

Por në instancën e parë, çështja niset me aplikimin e një shteti drejt Këshillit të Sigurimit. Pastaj KS do ta merr parasysh këtë kërkesë, se a është shtet, a e ka popullatën e mjaftueshme për t’u quajtur shtet, a i plotëson kërkesat për shtetësi. Normalisht kur një shtet aplikon, ai i përmbush këto kërkesa. Pastaj do të ndërhyj politika, se a pajtohen Pesë Vendet e Përhershme, që të lënë këtë shtet të njihet dhe anëtar të OKB-së.

Përgjigja është Po. Zakonisht është një proces i shpejt, disa javor, ku aplikacioni merret parasysh, dhe rekomandimet janë dhënë, votimi është bërë në Këshillin e Sigurimit, dhe shkon para tek Asambleja e Përgjithshme. Shumë shpejt, Asambleja e Përgjithshme mblidhet, dhe zakonisht ka votim unanim për të pranuar një anëtar të ri, i cili bëhet anëtar i OKB-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Por me rastin e Kosovës, a varet vërtet gjithçka aq shumë nga Serbia?

ALEXANDER BORG OLIVIER
Në një masë, marr parasysh se Serbia është në lidhje shumë të ngushta me Rusinë, dhe sipas gjasave edhe me Kinën. Serbia mund të ketë një ndikim nëse apo jo Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së, dhe kur do të ndodh kjo. Sepse, dihet qartë se Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së, por nuk dihet kur.

Nëse Serbia nënshkruan një marrëveshje ku thotë se unë nuk do të njoh Kosovën, por nuk do të kundërshtoj dëshirën e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, mendoj se kjo do të ndihmoj jashtëzakonisht shumë Këshillin e Sigurimit.

Nëse procesi i dialogut, sinqerisht ka për qëllim që të arrijë aspiratat dhe objektivat e të dyja palëve, si të barabarta, atëherë kjo çështja e anëtarësimit [të Kosovës] në organizata ndërkombëtare, dhe në OKB, duhet po ashtu të reflektohet në këtë proces. Çka mund të fitoj Kosova nga ky proces, është që të ketë garanci nga ata që po e udhëheqin procesin e dialogut...

RADIO EVROPA E LIRË
Po thoni, BE-ja dhe SHBA-ja?

ALEXANDER BORG OLIVIER
BE-ja dhe SHBA-ja, që si minimum, do të sigurojnë nga Serbia që nuk do të ngrit asnjë kundërshtim formal ndaj aplikimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kjo nuk do të thotë se Serbia duhet të njoh Kosovë, por nënkupton se Serbia nuk do të përdor anëtarësinë e saj, për të lobuar, për të bllokuar, dhe për të ndikuar te pozita e shteteve të tjera kundër Kosovës.

Kjo mund të fitohet përmes dialogut, dhe duhet të fitohet, dhe duhet të jetë një prej kushteve kryesore për të cilat insiston Kosova, para se ajo vet të jetë e gatshme për të bashkëpunuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe nëse Serbia nuk përdor ndikimin e vet kundër, janë Rusia dhe Kina, të cilat mund ta bëjnë nga ana tjetër, si mundet Kosova të jetë e sigurt dhe të ketë garanca nga BE-ja dhe SHBA-ja, nëse ato bëjnë politika vet?

ALEXANDER BORG OLIVIER
Nuk ka kurrë garanci të qarta. Por këto dy shtete, Kina dhe Rusia, janë anëtare të përgjegjshme të KS të OKB-së, i cili ka përgjegjësi të mëdha për paqen dhe sigurinë në botë.

E di, nga përvoja, se Kina kurrë nuk do të pengohet, përmes vetos, për një çështje e cila është jashtë rajonit të saj. Kosova është jashtë rajonit të saj, është një çështje evropiane. Për Rusinë është më ndryshe.

Por edhe Rusia ka përgjegjësi të caktuara si anëtare e KS të OKB-së. Andaj, gjithmonë argumentoj se liderët kosovarë duhet të luftojnë sa më shumë të jetë e mundur që të marrin njohje nga më shumë se 100 shtete të botës.

RADIO EVROPA E LIRË
Por pse 100 shtete?

ALEXANDER BORG OLIVIER
Disa njerëz janë të hutuar, sepse mendojnë se me 100 njohje, me automatizëm fitohet ulësja në OKB. Jo! Ajo që bënë kjo shifër prej 100 njohjeve, është se ka përafërsisht 200 shtete sovrane në tërë botën.

Nëse janë 100 njohje, atëherë mund të pretendohet se janë shumica e shteteve të universit që janë me Kosovën, kurse është një më pak, atëherë nuk mbështetet nga shumica, dhe mund të thuhet se shumica e botës nuk po e njeh Kosovën.

Duhet të kthejmë këtë ekuacion në anën e Kosovës, për të fituar më shumë legjitimitet. Kur fitohet legjitimiteti moral, është shumë e vështirë për Rusinë dhe Kinën, që të bllokojnë pafundësisht pranimin e Kosovës si shtet anëtar i botës.

RADIO EVROPA E LIRË
Po thoni ju se koha ideale për të aplikuar në OKB, është kur të sigurohen, 100+ njohje?

ALEXANDER BORG OLIVIER
Nuk mund të aplikoni, sigurisht...ose nuk do të duhej, sepse do të dështonit. Por nëse keni 100+ njohje, atëherë keni legjitimitetin moral, dhe mund të jeni me të sigurt se keni më shumë gjasa që aplikimi i Kosovës do të konsiderohet në favor. Mendoj se duke kaluar barrierën prej 100 njohjeve, qëndrimet e Kinës dhe Rusisë ndryshojnë. Ato nuk do të duan të jenë në pozitë që të thonë JO, kur shumica e botës mendon PO.

Mendoj se nëse BE-ja dhe SHBA-ja bëjnë mjaft presion në procesin e dialogut, për të siguruar se pengesat që deri tani janë përdor secilin herë kur Kosova tenton të merr kodin ndërkombëtar telefonik, kur mundohet që të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare...shumica e organizatave e kanë në statutin e tyre, se një shtet i ri mund të bëhet anëtar i tyre, nëse është vend anëtar i OKB-së.

Pra ky është parakusht. Unë kam punuar shumë ngushtë me qeverinë, dhe kemi përdredhur këtë parakusht, sepse Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk e kishin këtë kusht, por të tjerë. Andaj e patëm mundësinë që të anëtarësohemi, duke bindur shumicën e vendeve anëtare në anën tonë.

OKB-ja ka një formulë e cila konsideron që një shtet, është një shtet brenda një formule të vjetër të shteteve. Ju do të pyesni se çka është formula e vjetër...Formula e vjetër e shteteve, është përdor pas Luftës së Dytë Botërore, në mënyrë për të përcaktuar nëse ju e ftoni një entitet në një konferencë të OKB-së, dhe duke bërë këtë gjë, ju po i bëni njohje atij shteti.

Ne kemi thënë se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, nuk duhet të bëjë ftesa nëse ai shtet, është brenda formulës së vjetër të shteteve. Që do të thotë se është anëtar i OKB-së, ose anëtare e një prej Agjencive të saj të Specializuara. Nëse plotëson një prej këtyre kushteve.

RADIO EVROPA E LIRË
Që do të thotë çka, cilat janë ato agjenci të specializuara?

ALEXANDER BORG OLIVIER
Agjencitë e specializuara, janë të gjitha ato organizata ndërkombëtare, si Organizata Botërore e Shëndetësisë, UNESCO, në shëndetësi, në arsim, në telekomunikacion si ITU. Në fushën e financave, keni Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ato janë agjenci të specializuara të OKB-së.

Pra Kosova është titullare për të pranuar ftesë, kurdo që Asambleja e Përgjithshme thirr të gjitha shtetet për të marr pjesë në një ushtrim [debat]. Është shumë e rëndësishme, sepse njëherë kur hyni në artikullin e Shteteve të Vjetra, atëherë jeni shtet, dhe askush nuk mund ta mohoj këtë.

Me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe me njohjet të cilat i ka Kosova, janë në favor të saj, dhe po e forcojnë edhe më tej Kosovën.
XS
SM
MD
LG