Ndërlidhjet

Ligji për të verbrit, i pazbatueshëm


Ligji për personat e verbër është miratuar në Kuvendin e Kosovës në qershor të vitit të kaluar. Por ky ligj nuk po gjen zbatim në vendin tonë.

Në Kosovë jetojnë rreth 4 mijë persona të verbër, apo me të parë të dobësuar.

Këta persona ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet, por infrastruktura rrugore është një ndër problemet që i mundon dhe ua kufizon lëvizjen e lirë me shkop, vlerëson kjo kategori e shoqërisë.

Për jetën e tij të përditshme, telashet dhe sfidat, si dhe mos zbatimin e ligjit, për Radion Evropa e Lirë, rrëfen edhe Ejup Rashica, i verbër.

"Dua të them që personat e verbër kanë probleme të natyrave të ndryshme, duke filluar nga infrastruktura, mungesa e zbatimit të ligjit për të verbër, etj. Semaforët akustikë të cilët duhet të jenë të sinjalizuar dhe të shenjëzuar me alfabetin e brajllit, dhe që do të ishte një ndihmesë. Ndërkaq, ligji për të verbrit edhe pse është aprovuar, ende nuk është bëtë implementimi i tij dhe ai ligj nuk realizohet", bën të ditur Rashica.

Por, zoti Rashica nuk e ka fatin e shumë të verbërve në Kosovë, të cilët janë të varur financiarisht, qoftë nga familjarët apo detyrimisht i bën të verbrit t’iu nënshtrohen skemave sociale.

Ai punon në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, derisa shton se çasja në punësim për të verbrit në përgjithësi është shumë e vështirë.

"Unë punoj në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Këto janë raste të rralla që të verbrit gjejnë punë por shpresoj se me implementimin e ligjit edhe të verbrit do të gjejnë veten dhe do të integrohen në shoqëri. Qasja në punësim është shumë problematike, sidomos duke e pasur parasysh që kryeqyteti nuk e ka të zgjedhur infrastrukturën për të verbrit", shprehet ai.

Bujar Kadriu, kryetar i Shoqatës së të Verbërve, njëherësh me të parë të dobësuar, thotë se sfidë e madhe e personave të verbër është diskriminimi, që, sipas tij, është element shumë negativ.

"Situata e të verbërve në Kosovë nuk është aspak e favorshme për shkak shumë barrierave që kanë krijuar me këta qytetarë. Ligji ekzistues nuk ka qenë aspak i favorshëm për këtë kategori, por shpresoj që në bashkëpunim me gjithë akterët që janë duke kontribuar në relacion për përmirësimin e personat e verbër".

"Ne kemi miratu ligjin dhe i cili është i krahasueshëm me gjitha ligjet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, dhe është i krahasueshëm me vetë konventën e OKB-së dhe mendoj se ky ligj do të mbulojë të gjitha mangësitë që ligji për të verbrit nuk i ka pasur deri tani. Por ligjet te ne po mbesin në letër, derisa zbatimi i tyre po është i vështirë", thekson Kadriu për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarë nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në kuadër të kryeministrisë, thonë se edhe pse ligji ka hyrë në fuqi vitin e kaluar, deri tani janë përgatitur aktet nënligjore dhe së shpejti pritet që ky ligj të fillojë të implementohet.

Habit Hajredini nga kjo zyre jep hollësi të tjera.

"Ligji që 6 muaj ka hyrë në fuqi dhe tash pritet të nxirren akte nënligjore në mënyrë që të implementohet. Ne kemi punuar dhe tash jemi duke e formuar komisionin mediko-social dhe do të përcaktojë rregullat dhe standardet që personat e verbër do të përfitojnë. Personat e verbër do të marrin nga 100 euro ne muaj", thotë ai.

Sidoqoftë, kryetari i shoqatës së të verbërve shpreson se gjatë këtij viti ligji do të fillojë të implementohet dhe të verbrit do të mund të përfitojnë më shumë nga ai.
XS
SM
MD
LG