Ndërlidhjet

Vetëvendosje akuzon PDK-në për sulm ndaj Nazlie Balës


Kundër dhunës ndaj gruas
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:09 0:00

Kundër dhunës ndaj gruas


Policia kishte mbyllur dyert dhe personeli i sigurimit vetëm i shikonte se çka po bëjnë katër vajzat, të cilat në këtë formë protestonin për gjuhën që po përdorin deputetët, gjatë debatit të përfshirjes së grave të abuzuara seksualisht në ligjin për viktimat e luftës.

Dhjeta gra e burra, të cilët nuk pajtohen që dinjiteti i gruas së abuzuar në kohë lufte, të shkelet me deklaratat, siç thonë, të pamatura të politikë-bërësve, dolën për të qenë pjesë e kësaj shfaqje artistike, e cila u shndërrua në mbështetje të Nazlie Balës.

Hana Qena, një prej aktivisteve që mori pjesë në këtë shfaqje, shpjegoi porosinë që interpretoi, dhe atë se si e kupton ajo debatin e disa deputetëve.

“Molla simbolizon shëndetin. Nuk mund të ekzaminosh diçka nëse nuk e shkatërron atë. Nëse ti e ekzaminon femrën në atë mënyrë, ky është shkatërrimi i dytë për të. Këtë po e ofrojnë deputetët tanë dhe këtë dëshirojnë ta bëjnë. Ne jemi kategorikisht kundër kësaj, që të bëhet ekzaminimi edhe të bëhet nënvlerësimi i atyre femrave të dhunuara. Kam mundur edhe unë të jem e dhunuar. Nuk është marre të të dhunojnë”, tha Qena.

Debati për dhe kundër çështjes së përfshirjes së grave të abuzuara seksualisht në ligjin për statusin e viktimave të luftës, ka shënuar edhe viktimën e parë.

Nazlie Bala, që është edhe kryetare e Sekretariatit të Gruas e Lëvizjes Vetëvendosje, u sulmua të mërkurën mbrëma para derës së shtëpisë së saj, një javë pasi ishte kërcënuar se do të merrte plumb në kokë, nëse nuk ndal zërin e saj për të kërkuar që gratë e dhunuara të përfshihen në të njëjtin ligj, që rregullon statusin e veteranëve të UÇK-së dhe viktimave civile gjatë luftës.

Instituti për Studime në Kulturë dhe Shoqëri “Alter Habitus”, kishte thirrur ditë më parë këtë protestë para Kuvendit, kundër gjuhës, siç thonë, seksiste të deputetëve, në raport me gratë e abuzuara gjatë luftës. Kjo pasoi debatin e ligjvënësve për ditë me radhë, duke paraqitur lloj-lloj kërkesash se çka duhet bërë me këtë kategori të shoqërisë.

Eli Krasniqi, nga ky institut, u tha mediave se qasja e deputetëve gjatë seancës së 14 marsit, është denigruese. Ajo mori shembullin e sulmit ndaj aktivistes Nazlie Bala, për të shprehur përkrahje që debati të mos mbetet shterpë, por që të vazhdojë tutje përpjekjet e grave që kjo kategori të përfshihet në ligj.

“Nuk na ndalin në përpjekjet tona, për ta vazhduar përkrahjen ndaj ligjit, i cili po diskutohet. Frika jonë është se në leximin e dytë, ligji nuk do të përkrahet. Gjuha seksiste, mendësia patriarkale, është shpërfaqur në klasën politike edhe herëve tjera. Por, kur u bë e padurueshme, është tash kur është fjala për një kategori, siç gratë e mbijetuara të përdhunimeve në Kosovë”, tha Krasniqi.

Deputetët nga partia në pushtet, PDK, kanë kërkuar një ekzaminim për sindromën post-traumatike (PTSD), të këtyre grave dhe janë kundër përfshirjes së tyre në ligjin aktual që rregullon statusin e viktimave të luftës dhe veteranëve të UÇK-së.
Por, opozitarët në Kuvend kundërshtojnë çfarëdo kontrolli dhe kërkojnë të ndërpritet stigmatizimi i mëtejmë i këtyre grave.

Ndryshe, në seancën e së enjtes në Parlament, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, deputetja Flora Brovina shprehu keqardhje për sulmin ndaj Nazlie Balës, për të cilën tha se është një prej aktivisteve më të zëshme për çështjen e abuzimeve gjatë luftës, që ka shërbyer edhe si dëshmi në Gjykatën e Hagës.

“I bashkohemi të gjitha aktiviteteve që ajo ka, në mbrojtje të gruas së dhunuar në Kosovë, si një akt kundër njerëzimit. Ne, edhe një herë e përsëris, distancohemi nga ky akt, dhe e quajmë një akt barbar, për të cilin nuk ka asnjë diskutim. Me akte të tilla nuk zgjidhen çështjet. Dhe, mendojmë se çështja e grave të abuzuara ka rrugëzgjidhje, kemi plan konkret për t’u dalë në ndihmë këtyre grave, dhe edhe një herë Nazlies i dëshirojmë shërim të shpejtë dhe aktivitet të ndershëm”, tha Brovina.

Brovina që edhe vetë është marrë me rehabilitimin, mbrojtjen e grave dhe fëmijëve pas luftës, tha se partia në pushtet është e interesuar që të punojë bashkërisht me të gjitha palët e interesuar për çështjen e grave të abuzuara gjatë luftës.

Mirëpo, bashkëndjenja e partisë në pushtet, nuk është ajo që po kërkon Lëvizja Vetëvendosje, së cilës i takon viktima e sulmit fizik. Nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se ky akt nuk është incident i izoluar personal, por paraqet zhvillimin e një krimi të planifikuar me prapavijë politike.

Sipas tij, gjithçka filloi pas kalimit në këtë Kuvend, të Ligjit për njohjen institucionale të statusit të viktimave të dhunës gjatë luftës, për të cilin, siç tha ai, Nazlie Bala ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm.

Konjufca përmendi edhe se prania e viktimës në një emision të televizionit publik i ka sjellë asaj kërcënime, si dhe udhëheqëses së këtij programi se përse e kishte ftuar Nazlie Balën si mysafire.

“Nazlie Bala është aktiviste e Lëvizjes, dhe qëndrimet, të cilat ajo i ka shprehur në këtë emision, janë qëndrime të Vetëvendosjes, prandaj kërcënimet dhe sulmin fizik, i konsiderojmë si kërcënime dhe sulme ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Nisur nga kjo, pavarësisht deklarimeve formale, se e dënojmë aktin e kërcënimit, ne e mbajmë si frymëzues dhe si përgjegjës për këtë që po ndodh, kryeministrin dhe deputetët që i përmenda”, deklaroi Konjufca.

Policia e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se ende po punon për të sqaruar rrethanat, të cilat e karakterizojnë këtë sulm.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, tha se hetimet po bëhen nga aspekti kriminalistik i sulmit.

“Ajo që policia ka në dispozicion, është se viktima është lënduar nga sulmi fizik që i ka bërë i dyshuari, por sipas deklarimeve, sipas informatave që ka policia, ka qenë vetëm një i dyshuar”, tha Borovci për Radion Evropa e Lirë.

Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, ndërkaq, tha se përpos sulmit fizik që pësoi Nazlie Bala, ajo është kërcënuar direkt nga sulmuesi edhe për vrasje. Si rrjedhojë, ky grupim i aktivisteve ka kërkuar mbrojtje të afërt nga policia për viktimën.

Thirrje policisë i kanë bërë të enjten edhe Qeveria dhe Presidenca, të cilat përpos që dënuan këtë sulm, kërkuan nga forcat e rendit që të ndriçojnë sa më parë incidentin, që e quajnë, qyqar.


Përgjigjet e Nazlie Balajt dhënë Radios Evropa e Lirë:
RADIO EVROPA E LIRË
Çka mund të dini ju, që po u pengon të tjerëve?

NAZLIE BALA
Çdo iniciativë për të sjellë drejtësi për të gjithë ata që jetojnë në padrejtësi, sigurisht që iu pengon të gjithë atyre që heshtin dhe në heshtje pranojnë krimin ndaj grave dhe vajzave, të cilat u dhunuan nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe gjatë luftës në Kosovë”.

RADIO EVROPA E LIRË
-Kush mendoni se qëndron prapa kësaj dhe përse u sulmuat?

NAZLIE BALA
Kushdo që qëndron prapa kësaj, nuk i ndihmon në asnjë moment asnjë institucioni ku ndahet drejtësia, prandaj sulmi ndaj meje është sulm për të ngulfatur të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.
XS
SM
MD
LG