Ndërlidhjet

Korrupsion, jo efikasitet dhe nepotizëm


Kuvendi i Kosovës (Foto nga arkivi)
Kuvendi i Kosovës (Foto nga arkivi)
Gjendja ekonomike në Kosovë, e cila u diskutua në seancën e Kuvendit të Kosovës nga partitë opozitare u konsiderua e rëndë dhe pa përmirësime. Derisa, situata ekonomike dhe sociale e qytetarëve, është një gjendje e mjerueshme.

Kjo gjendje ekonomike në Kosovë u tha se është si pasojë e joefikasitetit dhe politikave jo të mira ekonomike të Qeverisë së Kosovës.

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si iniciuese e këtij debati parlamentar, thanë se edhe pas pesë vjetësh të shpalljes së pavarësisë, institucionet e Kosovës karakterizohen për joefikasitet, korrupsion e nepotizëm.

Hikmete Bajrami, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë më të madhe opozitare, tha se institucionet e Kosovës duke i dhënë prioritet agjendës politike, kanë lënë anash zhvillimin ekonomik të vendit. Për pasojë, sipas Bajramit, ekonomia e Kosovës është nën nivelin e dëshiruar dhe me dështime të mëdha të shumë proceseve ekonomike.

“Sot, varfëria dhe papunësia janë më të larta se pesë vjet para shpalljes së pavarësisë. Planet e Qeverisë, se për një periudhë afatmesme do të arrihet norma e rritjes e ekonomike 7 deri në 10 për qind, nuk janë realizuar. Derisa rritja ekonomike në vitin 2008 ishte 6.9 për qind, në vitin 2012, sipas FMN-së Kosova kishte rritje ekonomike 2.7 për qind të GDP-së, ndërsa për vitin 2013 parashikimet e FMN- së janë 3.2 për qind duke siguruar qytetarët e Kosovës se do të mbesin më të varfrit në rajon”, tha Bajrami.

Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, hodhi poshtë të gjitha këto konkluzione të deputetes Bajrami dhe foli për arritura të mëdha ekonomike gjatë këtyre pesë vjetëve të pavarësisë së Kosovës.

Thaçi theksoi se gjatë kësaj periudhe pesëvjeçare, Kosova ka shënuar rritje ekonomike dhe përmirësim të dukshëm në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

“Gjatë kësaj periudhe pesëvjeçare kemi arritur që përmes politikave adekuate ekonomike të krijojmë kushte për rritjen e të ardhurave për kokë banori për dy herë më shpejtë se gjatë pesë vjetëve para shpalljes së pavarësisë. Pra, gjatë kësaj periudhe ato janë rritur për 70 për qind, derisa kjo rritje përgjatë 5 vjetëve të para pavarësisë ka qenë vetëm rreth 40 për qind. Kjo rritje dëshmon se mirëqenia materiale dhe shoqërore e qytetarëve është përmirësuar dukshëm gjatë kësaj periudhe”, u shpreh Thaçi.

Debati për gjendjen ekonomike të Kosovës më pas u përcoll me replika ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryeministri Thaçi adresoi një varg kritikash në drejtim të qeverisjes së komunës së Prishtinës, duke thëne se nuk është bërë asgjë për kryeqytetin, të cilin e udhëheq Lidhja Demokratike e Kosovës.

Premtimet, theksoi kryeministri Thaçi, që LDK-ja iu ka bërë qytetarëve të Prishtinës, nuk i ka realizuar.

“Iu keni premtuar qytetarëve të Prishtinës ndërtimin e unazës në Prishtinë. Më thoni a e keni planin ideor, a e keni bërë fizibilitetin dhe më thoni a e keni bërë vetëm një metër unazë të Prishtinës. Për çdo vit iu teprojnë para është paaftësi menaxhuese dhe qeverisëse. Që nga viti 2007 iu teprojnë para nga buxheti dhe do t’iu teprojnë edhe në vitin 2013”, shtoi Thaçi.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i shefit i Grupit Parlamentare të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, duke thënë se kryeministri nuk është i informuar për projektet e komunës së Prishtinës dhe realizimin e tyre.

“Kryeministër, po të informoj se ju nuk keni dhënë as një cent për ndërtimin e unazës. Prishtina i ka tri unza. Ju, kryeministër, këtë nuk e dini pasi që nuk jeni i interesuar. E para është e kryer, e ju asnjë cent nuk e keni dhënë. Sa i përket buxhetit që tepron, janë të hyra vetanake - më mirë është të teprojnë ato para se të keqpërdoren”, u shpreh Beqiri.

Ndërsa, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke folur për gjendjen ekonomike në Kosovë ka theksuar se rritja ekonomike në Kosovë nuk është as e qëndrueshme, e as gjithëpërfshirëse, ajo bazohet në import, remitenca dhe shpenzime qeveritare.

“Kemi reduktim të dyfishtë njëfarë ekonomizimi të ekonomisë, zhvillimi kufizohet në infrastrukturë dhe infrastruktura në asfalt. Në anën tjetër, joformaliteti i përhapur i ndërmarrëseve dhe tatimi joprogresiv i lë jashtë rritjes ekonomike më të varfrit. Klasa e pasur nuk ka probleme, andaj nuk sheh probleme, ndërkaq aty ku klasa e mesme sheh probleme ekonomike, klasa e varfër sheh problem sepse përjeton problemet sociale”, theksoi Kurti.

Në seancën e së premtes, kryeministri Thaçi premtoi se gjatë këtij mandati, Qeveria e Kosovës do t’i rrisë edhe një herë pagat e punëtorëve të arsimit, policëve, prokurorëve, punëtorëve të shëndetësisë, por edhe të sektorëve të tjerë.
XS
SM
MD
LG