Ndërlidhjet

Ivanoviq: Më sulmuan ata që s’e duan politikën time


Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq
Është sulmuar të hënën mbrëma zyra e politikanit Olliver Ivanoviq në pjesën veriore të Mitrovicës, ku janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në selinë e partisë së tij politike.

Sipas forcave të rendit, sulmi ka ngjarë pak para mesnatës, ndërsa në objektin e djegur tërësisht të Iniciativës Qytetare Serbia Demokracia dhe Drejtësia (IG-SDP), fatmirësisht nuk ndodhej askush.

Ivanoviq, i cili udhëheq me këtë subjekt, i ka thënë policisë se është i bindur që motivi i sulmit ishte kryekëput politik.

Të njëjtën gjë u ka thënë edhe medieve serbe në veri.

“Më mbetet të konkludoj se vetëm politika ime, dhe ajo me të cilën merrem, mund të jetë motiv për ndonjë ekstremist që të në këtë mënyrë t’i zgjidh dallimet".

“Nëse dikush ka ankesa për qëndrimet e mia politike, atëherë këto ankesa duhet me i tregu. Por më së shpeshti del se sugjerimet dhe qëndrimet e mia pranohen nga popullata e gjerë”, i tha Ivanoviq agjencisë serbe Tanjug.

Pjesa veriore e Kosovës ka qenë arenë e shpërthimeve të shumta gjatë muajit mars dhe shkurt, të cilat i ka përmendur edhe vet kryeministri Hashim Thaçi gjatë paraqitjes së tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Sipas raportit të tij, të paktën 30 sulme ka ngjarë gjatë dy muajve në atë zonë, kurse përgjegjësinë për veprat kriminale, shefi i qeverisë në Prishtinë Thaçi, ia pati atribuuar strukturave paralele të sigurisë, që i financon Beogradi zyrtar.

Policia pati nxjerr një motiv të mundshëm për këto incidente, se kishin për nishan serbët nga pjesa veriore, që punojnë për institucionet e administruara nga autoritetet kosovare, e jo ato të Serbisë.

Besim Hoti, zëdhënës i policisë për rajonin e Mitrovicës, i tha Radios Evropa e Lirë të martën, se zjarrvënia në selinë e partisë së Olliver Ivanoviq, ishte e qëllimshme, dhe se policia ka gjet prova në vendin e krimit që e udhëzojnë tek ky konstatim.

“Është gjetur një shishe e cila besohet se ka pas materie ndezëse, kryesisht derivate të naftës brenda saj, dhe besohet se e njëjta është hedhur brenda zyrës së zotit Ivanoviq, me qëllim që të shkaktojë dëme materiale”, tha Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Forcat e rendit ende nuk kanë asnjë të dyshuar për këtë rast.

Por, teknikët e kriminalistikës, në vendngjarje kanë marr si provë edhe një leckë e cila është përdorur për t’ia vënë flakën zyrës së partisë së Olliver Ivanoviq. Kurse prapa objektit, janë gjetur edhe shkallët që janë përdorur për të depërtuar brenda zyrave.
XS
SM
MD
LG