Ndërlidhjet

K. Veriore kërcënohet se ushtria është autorizuar për sulm


Armata e Koresë Veriore u ka tërhequr vërejtjen Shteteve të Bashkuara, se e ka marrë lejen për të lansuar “sulm të pamëshirshëm”, në të cilin, me gjasë, do të përfshihej edhe armatimi atomik.

Ky deklarim sot herët në mëngjes, është kërcënimi i fundit nga Pheniani i drejtuar kundër Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Jugore.

Një zëdhënës i paidentifikuar nëpërmjet një kumtese, që është transmetuar nga Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë Veriore, tha se trupat janë autorizuar për t’iu kundërpërgjigjur agresionit të Shteteve të Bashkuara “me kundëraksione të fuqishme dhe praktike ushtarake”

Ne formalisht e informojmë Shtëpinë e Bardhë dhe Pentagonin se politika gjithnjë në përshkallëzim armiqësore e Shteteve të Bashkuara ndaj Koresë Veriore, dhe kërcënimet atomike të papërgjegjshme të saj, do të shkatërrohen nga vullneti i fortë i të gjithë personelit unik dhe popullit dhe ndonjë mënyrë e një sulmi të lehtë atomik të Koresë Veriore dhe se operacioni i pamëshirshëm i forcave të veta revolucionare në këtë aspekt, përfundimisht është shqyrtuar dhe ratifikuar”, tha folësi i paidentifikuar.

Kjo vërejtje u bë pasi Pentagoni tha se do ta vendos sistemin raketor mbrojtës në territorin amerikan në Guam, për t’i përforcuar kapacitetet mbrojtëse në rajon.

Ministri i mbrojtjes i Koresë Jugore, Kim Kwan-jin tha se Koreja Veriore i ka lëvizur raketat me “rreze të konsiderueshme” në bregdetin e saj lindor. Por, ai i ka përgënjeshtruar raportet se këto raketa mund t’i arrijnë caqet në Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes së Koresë Jugore, Wi Yong-sub, tha se ushtria e këtij vendi është e përgatitur për tu ballafaquar me kërcënimet.

Armatimi ynë është i gatshëm. Sa i përket deklaratës më të re të Koresë Veriore, gatishmëria jonë ushtarake tashmë është e lartë, ne jeni të aftë ta menaxhojmë çfarëdo krize të mundshme”, tha wi Yong-sub.

Zëdhënësi i qeverisë së Japonisë, Yoshihide Suga, tha se retorika luftënxitëse e Phenianit nuk do ta frikësojë Tokion.

“Qeveria jonë nuk beson se ne duhet të tërhiqemi përreth dhe të kërcojmë nga çdo deklaratë provokative e Koresë Veriore. Ne po koordinohemi me shtetet përkatëse për të miratuar rezoluta të ndryshme të Kombeve të Bashkuara. Ne, poashtu, fuqishëm kërkojmë nga Koreja Veriore të kuptoj se këto deklarata provokuese nuk janë në interes të këtij vendi”, tha Yoshihide Suga.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Chuck Hagel, tha se Shtetet e Bashkuara i marrin me seriozitet kërcënimet e Koresë Veriore.

Ata tash kanë kapacitet atomik. Ata kanë kapacitet për lansimin e raketave tash, prandaj derisa ata e kanë përshpejtuar retorikën e tyre luftënxitëse dhe të rrezikshme, dhe disa aksione të tyre gjatë pak javëve të kaluara, paraqesin rrezik të qartë dhe kërcënim për interesat, padyshim të aleatëve tanë, duke filluar nga Koreja Jugore e Japonia, dhe po ashtu, kërcënimet që Koreja Veriore i ka drejtuar direkt kundër Shteteve të Bashkuara”, tha Chuck Hagel.

Analistët thonë se Koresë Veriore i mungojnë kapacitetet për ta sulmuar tokën e Shteteve të Bashkuara, por ajo mund t’i marrë në shënjestër trupat amerikane në Korenë Jugore dhe Japoni.

Tensionet janë rritur prej provës së tretë bërthamore të Phenianit, në muajin Shkurt, që ka çuar në ashpërsimin e sanksioneve ndërkombëtare kundër regjimit tashmë të izoluar të këtij vendi. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG